Iris Bega ne interviste per CMG
Iris Bega është këngëtare e njohur e muzikës popullore tradicionale të Shqipërisë së mesme dhe kryesisht asaj tiranase. Ajo gjithashtu po aq bukur këndon dhe serenatat korçare dhe këngë të trevave të tjera të vendit. Prej disa vitesh është soliste në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Ka marrë pjesë në shumë evenimente artisike si brenda dhe jashtë vendit, duke u vlerësuar me çmime. Në një intervistë për CMG Irisi na tregon për jetën e saj artisike, dashurinë që ka për këngën tiranase si dhe projektet në të ardhmen.
Iris Bega
CMG: Ju keni një karrierë të gjatë si interpretuese profesioniste e muzikës popullore dhe kryesisht të Shqipërisë së mesme. Ndjeheni e plotësuar me vitet e karrierës suaj artistike?
Iris Bega: Është e vërtetë që unë kam vite në fakt që këndoj, pavarësisht që nuk e kam reklamuar veten. Unë i jam përkushtuar këngës, por doja të thoja se nuk ka fund e kënduara. Njeriu këndon sa të ketë kënaqsinë dhe dëshirën për ta përcjellë kulturën tonë dhe për ta ruajtur ashtu siç duhet, sidomos atë “tironsen” në rastin tim. Jam munduar me koncerte kudo, sidomos në fillimet e mia me ish Ansamblin Migjeni dhe Ansamblin Tirana, ku atëhere kam qenë studente dhe kam marrë pjesë në shumë koncerte dhe aktivitete pafund.
CMG: Ndryshe nga këngëtarët e tjerë që publikojnë këngë shpesh, ju i keni dhënë më shumë rëndësi koncerteve, duke qenë gjithmonë pranë publikut.
Iris Bega: Kjo është e vërtetë sepse unë gjithmonë merresha me shfaqje, me koncerte, me ansamble dhe nuk i jam përkushtuar që të realizoj një këngë të re apo shumë rrallë, sepse angazhimi im ka qenë gjithmonë në koncerte, turne, festival ndërkombëtare ku jam vlerësuar edhe me çmime. Ndoshta duhet me qenë pak modeste, por çmimet i kam marrë gjatë këtyre aktiviteteve dhe sidomos me këngën tiranase.
Iris Bega me kostum popullor
CMG: Gjithmonë keni qenë e ftuar te aktiviteti “Sofra Tiranase” ku përballë një publiku kryeqytetas i keni dhënë kënaqësinë përmes interpretimeve tuaja.
Iris Bega: Nuk ke si të mungosh në “Sofrën Tiranase” sepse është gabim i madh të mungosh aty mes tiranasve, ku të këndon shpirti. Po se këndove aty këngën tiranase, nuk ke ku e këndon tjetër kam përshtypjen. Ai është një ndër evenimetet që e ka ruajtur gjatë edhe mirë traditën e Tiranës dhe të këngës.
CMG: Iris, ju kur këndoni por edhe në komunikim e ruani të pastër dialektin tiranas.
Iris Bega: Unë mundohem, por shumica më bëjnë kritikë që mos të flas aq shumë në dialektin tiranas. Por unë e kam për të ruajtur gjuhën dhe dialektin. Kur rritesh mes Tiranës dhe me qytetarë të vjetër tiranas duhet me patjetër të flasësh në dialekt tiranas. Ku ka më të bukur se dialekti tiranas!
Iris Bega me kengetaren Eli Fara
CMG: Gjithashtu ju e plotësoni këngën tiranase me kostumin e bukur popullor. E përdor shpesh veshjen popullore?
Iris Bega: Me kostumin popullor është e kompletuar edhe kënga dhe Tirana dhe je tipike tiranase. Unë kostumin e dua shumë dhe më shumë kam dalë me kostum popullor, sesa me veshje civile. Kudo që shkoj pavarësisht se më thonë Iris ndrysho dhe vish një veshje civile, unë them dua kostumin sepse e do kënga.
Iris Bega gjate nje koncerti
CMG: Një tiranase që këndon bukur dhe dhe serenatat korçare. Pse të pëlqejnë serenatat, apo i përshtaten ngjyrës së zërit tuaj?
Iris Bega: Zëri mua më përshtatet më të gjitha llojet e këngëve. Një artist kam përshtypjen që mund ti këndojë të gjitha trevat e vendit. Unë mundohem t’i këndoj dhe t’i afrohem, por ka një gjë që këngën ta këndon shpirti, ke qejf dhe e këndon. Kam përshtypjen se serenatat korçare i dëshiron çdokush, por pavarësisht kësaj ne na ka bërë dhe jeta duke punuar dhe domosdo do t’i këndosh. Unë i këndoj me qejf serenatat dhe mundohem që të përshtatem.
CMG: Periudha e pandemisë ka pezulluar gjithçka edhe aktivitetet artistike. Ju si artiste sa e keni ndjerë mungesën e aktiviteteve?
Iris Bega: Në fakt ishte një mungesë shumë e madhe e aktiviteteve dhe nuk e kemi menduar ndonjëherë se do ndodhte kjo gjë, por shpresojmë t’i rikthehemi normalitetit. Me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore ku punoj kemi vazhduar me koncerte live, duke dhënë kontributin tonë. Kjo përkoi dhe me 100 vjetorin e Tiranës ku më në fund dhamë një shfaqje në ambjente të hapura, sigurisht duke respektuar masat. E kemi ndjerë shumë dhe mungesën e publikut, por shpresoj që të kalojë shpejt kjo situatë dhe të vijë më e mira.
Iris Bega duke interpretuar ne skene
CMG: Keni menduar për ndonjë këngë të re, së afërmi?
Iris Bega: Plane dhe dëshira mund të kemi shumë, jo vetëm unë por çdo këngëtar dhe artist dëshiron që të ketë, por nuk është mundësia. Unë më shumë kam projekte me aktivitete kulturore dhe festivale ndërkombëtare, ku kam ftesë për të kënduar këngën popullore dhe shpresoj të realizohen së shpejti.
CMG: Mbetemi te aktivitetet ndërkombëtare ku ju keni qenë dhe në Amerikë me ansamblin për një koncert për diasporën shqiptare. Si ju pritën bashkëatdhetarët atje?
Iris Bega: Ishin pak ditë, por ishte shumë bukur sepse pas kaq vitesh ansambli shkonte në Amerikë. Publiku na priti shumë mirë dhe ne performuam këngë e valle atje.
CMG: Ta ruash folkun shqiptar të pastër dhe traditën, çfarë do të thotë për Irisin?
Iris Bega: Do të thotë shumë sepse ta ruash traditën do të thotë që t’i tregosh brezave që ti rrjedh nga kjo gjë, kultura jote është tabani dhe që nuk duhet harruar nga askush. Muzika popullore duhet ruajtur pa u deformuar dhe mirë është që ta njohin edhe të rinjtë, sepse kultura jonë është e bukur.
CMG: Faleminderit për këtë bisedë dhe së fundi një përshëndetje për adhuruesit dhe miqtë tuaj.
Iris Bega: Unë të falendroj që më dhe mundësinë e kësaj interviste në Bio Folk. Faleminderit të gjithë shqiptarëve kudo që janë që na dëgjojnë dhe qofshin mirë me shëndet.
Intervistoi: Gazmend Agaj