Aktori Herion Mustafaraj njihet si nga personazhet më të dashur të filmave për fëmijë. Herioni ka lindur në Vlorë në vitin 1968 dhe hapin e pare drejt karrierës artistike e ka nisur që në moshë të vogël. Ai ishte vetëm 6 vjeç, kur u zgjodh nga regjisorja Xhanfize Keko (Artiste e Popullit) për të interpretuar rolin e Benit, në filmin aq të dashur për fëmijë “Beni ecën vetë” në vitin 1975. Karriera e tij kinematografike do të vazhdojë me filma të tjerë si “Tomka dhe shokët e tij”, dhe “Shoku ynë Tili”. Pas mbarimit të shkollës së mesme në vitin 1986 Herioni filloi studimet e larta në “Akademinë e Arteve” në Fakultetin e Dramës. Gjatë kësaj periudhe ai interpretoi në filmat “Rikonstruksioni” dhe “Sinjali i dashurisë”.
Në vitin 1990 Herioni u diplomua dhe një vit më pas u largua si emigrant në ShBA, ku ka ndjekur disa kurse aktrimi. Kohët e fundit Herioni ka interpretuar në një dramë së bashku me Uliks Fehmiun (djalin e aktorit të mirënjohur Kosovar Bekim Fehmiu). Prej disa vitesh Herioni është rikthyer në Shqipëri ku po realizon projektet e tij në teatër dhe kinema.