Adhurim Demiri është një artist, i cili kulmin e suksesit e ka patur në fillim të vitetve ’90. Ishte dhjetor i vitit 1991, kur këngëtari Adhurim Demiri bashkë me Mimoza Selimin dhe Dashnor Dikon morën pjesë në Festivalin e 30-të të këngës në RTSH me këngën "Na Kujtoni". Gjithashtu anëtar i “Grupin X” kanë interpretuar në ato vite këngët të cilat i kanë rezistuar kohës edhe sot, si “Muzika”, Ecën në shi” ,“Zemra e një gruaje” etj. Që nga ai moment dhe deri më sot muzika dhe kitara kanë qenë të pandashme në jetën e tij. Pas një shkëputjeje disavjeçare nga skena, pas largimit nga Shqipëria, Adhurim Demiri rikthehet për të qenë më prezent pranë publikut, që i ka munguar aq shumë.
Erdhi nga Austria, duke patur shumë mall për bulevardin ku kaloi rininë, duke sjellë këngën “Mall bulevardi”. Në programin “Muzika shqip” këngëtari Adhurim Demiri ka rrëfyer për të rejat e tij në muzikë si dhe për planet për një album muzikor.
CMG: Kam kënaqësinë të kem të ftuar sot në programin “Muzika shqip” artistin Adhurim Demiri. Përshëndetje Adhurim, mirë se erdhe!
Adhurim Demiri: Faleminderit Sava për ftesën! Është shumë kënaqësi të jem në valët e radios tuaj. Më vjen mirë që ftesa e parë në këtë rikthim më vjen nga radio “Ejani”.
CMG: Kam parë në rrjetet sociale se je duke punuar për materiale të reja muzikore. Kantautori Elton Deda kishte shkruar në rrjetet sociale duke t’u drejtuar ty; “Uji fle, hasmi s’fle” ku bashkë me të kishte bërë publike dhe tingujt e një kënge, ku mësuam se mban titullin “I pamposhturi”. Çfarë ka dashur të thotë ai me këtë?
Adhurim Demiri: Toni si gjithmonë është djali që bën surpriza. Bëhet fjalë për pasazhin e një projekti të ri, që unë në mënyrë intrigante e kam quajtur “Invictus” në latinisht, por në shqip është “I pamposhturi”. “I pamposhtur” jam unë, je ti, jemi ne që mbijetojmë në të përditshmen tonë, si dhe e ardhmja që vjen pas nesh me fëmijët tanë. Shqipëria ka fatin të ketë një kantautor të mirë njëkohësisht një mik të mire, si ai. Mesazhi është se unë kam një projekt me “Invictus”, pas këngës “Mall bulevardi” që pati jehonë vërtetë të mirë. Kam gjithashtu dhe një tjetër projekt me kantautorin Etmond Mancaku, që është një kompozim i imi dhe Mondi është orkestruesi i një kënge rrok baladë, që titullohet “Endem si një bohem”, ndërsa teksti është shkruar nga një djalë i talentuar korçar Arjon Këllezi.
Unë shkruaj edhe vetë tekste, por këtë herë më pëlqeu dora e tij dhe e zgjodha. Këto janë dy nga projektet e mia. Pas tyre jam në praguan e një albumi të ri muzikor për publikun shqiptar.
CMG: A do kenë këto këngë videoklipe dhe me çfarë intervali do vazhdosh?
Adhurim Demiri: Këto këngë do kenë videoklipe. Mendoj të jenë gjithsej 4 këngë të reja, dy këngë do vijnë në një ripërpunim gjithmonë në stilin rrok-balada dhe them se në tregun shqiptar ka një vend bosh për këto këngë. Sidomos kur ke bashkëpunime të mira me Elton Dedën, Etmond Mancakun dhe gazetare si ju, apo media dinjitoze, ndjehesh vërtetë komod.
CMG: Këngën patëm mundësi ta dëgjonim për disa sekonda në publikimin e Elton Dedës. Kur do të vijë videoklipi i këngës “I pamposhturi”?
Adhurim Demiri: Të dyja këngët do kenë videoklip, por videoklipi i parë që do vijë për publikun është ai i këngës “Invictus”, pra “I pamposhturi” me një ekip shumë të mirë realizues me në krye Armand Vllahun dhe është i njëjti ekip që realizoi dhe videoklipin e këngës “Mall bulevardi” që unë i përshëndes. Deri tani ajo ka marr formën e duhur dhe ekipi realizues i ka idetë e qarta. Kam sjellë ide të mia personale dhe kemi një dakortësi shumë të mirë së bashku.
CMG: I ke nisur xhirimet?
Adhurim Demiri: Sipas tekstit, koha optimale për të xhiruar është muaji nëntor, pasi klipi është në funksion të tekstit. Nga pranvera e vitit që vjen do sjell një tjetër videoklip dhe në fund pasi të kem përfunduar me të gjitha materialet muzikore, do vijë dhe albumi im, i cili do mbajë titullin “Mall bulevardi”. Të gjitha këngët do jenë të reja, me përjashtim të dy këngëve të mia më të njohura, të cilat do i sjell me një tjetër ripërpunim.. E kam një projekt, një riinçizim të këngës “Jeta si koha”, një bashkëpunim ky me të ndjerin Selim Ishmakun, të cilën dua ta rikthej.
CMG: A ishte kënga “Mall bulevardi” ajo që të solli mallin për muzikën?
Adhurim Demiri: Ishte pena e artë e Pandi Laços, ku unë mora ngacmimin. Dhe unë i them djalë me “semafor jeshil”, sepse të hap gjithmonë krahun. Është e vërtetë që “Mall bulevardi” ka qenë pikënisja. Kisha mall për bulevardin, për Tiranën, malli për rininë tonë në bordurat e bulevardit, pikërisht ky mall më bëri të rikthehem në rrokun shqiptar.
CMG: Adhurim, përse dikur bëheshin këngë më të bukura, të cilat i kanë rezistuar kohërave?
Adhurim Demiri: Është pyetja më e saktë dhe pyetja e ditës. Këngët atëherë kanë patur më shumë ndjenjë, mbaheshin mend më lehtë. Ndoshta është një fenomen që ndodh në të gjithë botën dhe ne prandaj po mundohemi t’i rikthehemi.
CMG: Mos ndoshta muza e frymëzimit ka qenë më e fortë, apo dashuria më e sinqertë?
Adhurim Demiri: Sot është brezi më modern, por atëherë ka patur më shumë sinqeritet e ndoshta kjo ndikon në muzën e kompozitorit apo autorit të tekstit dhe kjo është e hidhur sot, por e vërtetë. Ta nisim nga kantautori Francesk Radi, Djemtë e detit, Elton Deda, Redon Makashi etj, të gjitha këngët e tyre mbahen mend shumë lehtë sot.
CMG: Çfarë mban mend ti nga “Grupi X”?
Adhurim Demiri: “Grupi X” ka histori nga më të ndryshmet. Do tregoja një rast kur po iknim në Egjipt ku isha unë, Aleksandër Gjoka, Redon Makashi dhe Dashnor Diko. Ai që kishte më shumë frikë nga avioni ishte Redoni. Nga Athina ne morëm avionin për në Kajro, ndërsa një moment dëgjoj që Redon Makashi i thonte Dashnor Dikos; “Po sikur avioni të ketë ndonjë difekt, çfarë mund të ndodhë?” Dhe Dashnor Diko që ja ktheu: “Avioni parkon te reja këtu djathtas, sapo të vijë servisi dhe rregullohet”. Kemi bërë gallata të kësaj natyre plot, por në skenë kemi qenë strikt, dhe “Grupi X” e donin të dy breza ai i riu dhe i vjetri, pasi kënduam rrok edhe për nostalgjikët, ishim ne që bëmë urën lidhëse. Sot nuk është se nuk ka këngë të bukura, por është vulgariteti që po sundon tregun.
CMG: “Është e bukur Europa kur kërkoni lumturinë, por në zemër mbani Shqipërinë”. Çfarë të kujtojnë këto vargje?
Adhurim Demiri: Këto janë vargjet e Arben Dukës dhe të madhit Vladimir Kotani dhe kjo ishte hera e parë që ne dilnim në skenë në Pallatin e Kongreseve, ku interpretuam unë Dashnor Diko dhe Mimoza Selimi dhe këto vargje janë aktuale dhe sot.
CMG: Jo më kot i përmenda këto vargje sepse ti vetë i ke kënduar këto fjalë, por edhe ti je një nga ata që jetojnë jashtë vendit…
Adhurim Demiri: Unë jam larguar për obligime personale familjare, por nuk jam larguar që mos të rikthehem, por shkoj e vij shpesh.
CMG: Po këto vargje çfarë të kujtojnë: “Zemra e një gruaje them shpesh me vete, më ngjan me një xixëllonjë që digjet në heshje”… ?
Dashnor Diko, Aleksander Gjoka, Adhurim Demiri Fest i kenges ne Rtsh 1992.
Adhurim Demiri: Kjo është një histori e vërtetë. Një fansja jonë, shoqja jonë dikur në atë periudhë punonte diku jashtë profesionit të vet dhe kishte konflikte me të shoqin. Gjurma më e madhe te femra është gjurma psikologjike, nuk është gjurma fizike edhe pse shumë e rëndë dhe bastarde dhe kjo. Dhunimi psikologjik lë gjurmë gjithmonë… Zonja në fjalë që ishte fanse e jonë, më tregon historinë e marrëdhënies së saj bashkëshortore. Ai ishte një nga ata meshkuj sharlatanë, që gjithmonë e injoronte e shante me ironi. Ka qenë viti 1992 dhe ajo pinte kafen me ne dhe një ditë më thotë këto fjalë: “Femra gëlltit shumë dhe nuk tregon kurrë, ndërkohë që digjet me veten”. Që nga ai moment më erdhi një motiv “Xixëllonja digjet në heshje, dhe nuk flet kurrë”, Aleksandër Gjoka i dha bukurinë e vet me vokalin dhe kështu e prezantuam këtë këngë në festivalin e pranverës së vitit 1993. Kjo këngë u bë “hit” që këndohet dhe sot nga të rinjtë dhe kjo është gjë shumë e bukur. Jo për modesti, por kënga është e saj dhe jo e imja dhe unë ja dedikova tekstin e kësaj kënge të gjitha femrave shqiptare, të cilat dhunohen nga meshkujt.
CMG: Si ndjehesh ti si autori i një kënge kaq të njohur?
Adhurim Demiri: Ndjehem shumë mirë, ndonjëherë kur kjo këngë perfomohet në lokale këtu në Shqipëri qesh dhe kthej kurrizin nga salla se jam pak natyrë e tërhequr dhe më vjen turp kur vjen vëmendja tek unë. Kënga duhet të ketë mesazh brënda vetes dhe kjo është detyra e një kantautori, mendoj se ja kemi arritur.
CMG: E ke takuar kohët e fundit atë femër që i është dedikuar kjo?
Adhurim Demiri: Po, e kam takuar rastësisht katër vite më parë. Ajo ishte me djalin e saj dhe ishte ajo zonjë që më foli me shkurtimin e emrit tim “Dhuri” dhe të them të drejtën u përlota. Ajo ishte shumë e kënaqur që kënga vazhdon të dëgjohet ende dhe sot.
CMG: Ti ke kënduar në vitet ’90 dhe po vazhdon edhe sot. Na bëj një krahasim sa i takon muzikës në këto tre dekada?
Adhurim Demiri : Më duket më e bukur ajo kohë në aspektin e muzikës në vitet ’90 ka qenë më potente dhe kishte më shumë bukuri. Pati disa kohë që rroku filloi të zbehet, por duket se kohët e fundit po rizgjohet. Ajo kohë më duket se ishte më e pastër, më e brishtë.
CMG: Kur e mësove ti instrumentin e kitarës?
Adhurim Demiri: Isha në shkollë të mesme, diku nga mosha 16 vjeç. Në atë kohë ishte periudha e kasetave dhe ajo kaseta që kishte njëri nga ne shkonte dorë më dorë. Dikur te Shallvaret, ku sot janë dyqane të bukura, dikur ishin bodrume ku mblidheshim me shokët tanë Genc Dashin, Artur Strazimirin, Aleksandër Gjokën dhe aty vinin dhe shoqet tona ku këndonim së bashku këngë të “The Beatles”, “The Rolling Stones, Led Zeppelin etj. I dëgjonim, këndonim duke pirë nga pak konjak me llokume, e kështu filloi në atë kohë aktivizimi me muzikën.
Adhurim Demiri me bashkeshorten
CMG: Këto materiale muzikore që ju keni kënduar me “Grupin X” të cilat janë hite, a mund t’i sillni në një përpunim që të vijnë edhe cilësisht më mirë për publikun?
Adhurim Demiri: Ne gjithmonë kemi diskutuar me Sandër Gjokën për të rikthyer qoftë edhe një këngë të vetme, por duhet të pyesim Dashnor Dikon, i cili nuk dëgjon të kthehet.
Ka një histori Dashnori në ato kohë. Një vajzë gazetare ishte deri vonë me ne dhe kur e pyet i vëllai, ku ishe? Ajo i thotë “isha me Dashnorin”, kur i vëllai e gjuan sepse mendoi se ishte me të dashurin. Me këto emra disi intrigantë kemi plot histori të ngjashme.
CMG: Ti ke 16 vite që je larguar nga Shqipëria, që përkojnë edhe me martesën tënde. Bashkëshortja jote merret me muzikë, apo është adhuruese e muzikës dhe e Adhurimit?
Adhurim Demiri: Bashkëshortja ime, dikur ka qenë fanse e imja, por unë nuk e dija. Dikur kam pas kënduar në një club shumë të njohur në Durrës dhe aty ajo erdhi e mu prezantua. Ishte një fanse e imja, e cila vinte nga Austria dhe më dëgjonte mua. Është fanse e muzikës shqiptare, por në profesion nuk ka lidhje me muzikën.
Unë jam munduar ta fus në kategorinë tjetër, jo thjesht adhuruese e Adhurimit, dua që ta përqafojë rrymën që këndojmë ne. E kam jo vetëm adhuruese personale, por edhe të muzikës. E kam prezantuar me Elton Dedën, me Sandër Gjokën etj. I kam thënë se kjo është bota ime, bota e rrokut dhe mendoj se kam bërë mirë. Emri i saj është Arjana dhe në gjuhën aziatike do të thotë “ erë deti”,” fllad deti”.
CMG: Të pëlqen deti?
Adhurim Demiri: Tej mase. Deti nuk është i frikshëm, është paqësor.
Adhurim Demiri në intervistë për CMG
CMG: I ke dedikuar një këngë asaj?
Adhurim Demiri: Të them të drejtën jo, por mendoj që t’i dedikoj një këngë asaj si individ sepse ka qenë një heroinë. Ne artistët jemi ndryshe nga të tjerët, i shohim gjërat disi ndryshe dhe një femër që duron një artist 24 orë në 24 nuk e ka të lehtë. Ato femrat që kanë në krah një artist dhe i durojnë ata janë heroina dhe kjo është e vërtetë.
CMG: Ti për pak ditë largohesh drejt Austrisë, por ku mendon të jetosh në vazhdimësi në Shqipëri apo në Austri?
Adhurim Demiri: Unë kam gjetur një rrugë të mesme me familjen time, me bashkëshorten. Me këtë rikthim timin në muzikë, mendoj se do vazhdoj të rri më gjatë këtu ndoshta 8 muaj në Shqipëri dhe pjesën tjetër në Austri.
CMG: Do kesh prezantime në festivale apo në netët live?
Adhurim Demiri: Në netët live mendoj se po, ndërsa në festivale nuk kam qejf të marr pjesë.
CMG: Të falenderoj shumë për intervistën dhe kur të rikthehesh pas publikimit të videoklipit tend, do kemi çfarë të diskutojmë në intervistën e ardhshme!
Adhurim Demiri: Dhe ta premtoj publikisht se do jesh nga gazetaret e para që do prezantosh videoklipin tim të ri. Gjithashtu do doja të shtoja për të gjithë të rinjtë, të cilët duan të hyjnë në botën e rrokut duhet, sa më shumë djersë, djersë dhe punë.
Intervistoi: Sava Lena