Yjet e muzikës operistike botërore, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho dhe tenori spanjoll Placido Domingo, kanë mirëpritur ftesën e autoriteteve shqiptare për të marrë pjesë në inagurimin e rindërtimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, në Tiranë.
Mesazhet e tyre i ka përcjellë kryeministri shqiptar Edi Rama, duke njoftuar se ata do të jenë në “Grand Gala” mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë.
“Jam shumë e lumtur që të marr pjesë në hapjen e Teatrit tonë Kombëtar të Operas dhe Baletit, mes artistëve të mi bashkëkombas dhe me pjesëmarrjen e legjendës së operas botërore, Placido Domingo", -shkruan Ermonela Jaho.
"Është një gëzim për mua që të jem me ju, për këtë mbrëmje speciale me kolegë të mrekullueshëm. Shihemi më 15 shtator për t’a shijuar të gjithë së bashku skenën e re pas rikonstruksonit të plotë", -shprehet nga ana e tij tenori i famshëm spanjoll.
Teatri i Operas dhe Baletit nisi ndërtimin rreth 60 vite më parë, por për publikun u hap në shtator 1966.
Ai ka qenë vendi i mbajtjes së aktiviteteve më të rëndësishme politike dhe artistike në Shqipëri, pjesë e kompleksit që njihet me emrin "Pallati i Kulturës" në Tiranë. (Fatosi)