Julian Hurdha lindur në vitin 1995 në Tiranë. Ai ka një diplomë për Aktrim të Universitetit të Arteve, niveli Master dhe aktualisht performon në shown-komedi "Kosherja" që transmetohet në televizionin shqiptar ABC.
CMG : Juli, për çfarë ju njohin të tjerët?
Julian Hurdha: Në këto momente me kujtove një shprehje të një profesorit tim, i cili më ka thënë :" Ti Julian, nuk je më i mirë se këta të kursit, por kur këta të kenë vullnetin tënd do bëhen më të mirë se ty”.
Ky është Juli, me vullnet për të arritur gjërat.
CMG: Fëmijëria juaj. A flet ajo për këtë që jeni sot?
Julian Hurdha: Unë nuk e kam pasur kurrë pasion aktrimin. Në vit të dytë gjimnaz më ka lindur dëshira për t’u bere aktor. Familja nuk më ka mbështetur në këtë aspekt, sepse duke pasur një baba ushtarak nuk e donte diçka të tillë.
Gjithnjë më kane thënë një shprehje "Aktorët ecin me biçikletë", por unë nuk i dëgjova këto paragjykime dhe ndoqa pasionin tim.
CMG: Aktorët janë duke udhëtuar me biçikletë, po ti me çfarë po udhëton sot?
Julian Hurdha : Edhe unë! (Qesh) Unë për momentin jam shumë i plotësuar dhe ndihem vërtet i plotë. Jam në dy punë dhe bëj gjërat që dua. Nuk jam nga ata të rinj që them se nuk ka punë. Besoj që me durim arrihet gjithçka.
CMG: Çfarë do të thotë për ju sukses?
Julian Hurdha: Unë dua që kur të vdes të përmendet emri im. Dua të bëj vepra të mira, jo për të thënë që ishte ai apo bëri gjera ai, por për t’u kujtuar për vepra të mira në shoqëri.
CMG: Cilat janë veprat që keni bërë deri tani?
Julian Hurdha: Vepër janë dhe studimet. Ndërkohë që gjithë shokët e mi rrinin në kafene, unë qëndroja duke studiuar në shtëpi.
Nuk i kam lënë kurrë gjërat pas dore, as librat, as filmat. Asnjë gjë.
Jam gati të përthith çdo informacion dhe ta vendos në funksion.
CMG: Sa e kontrolloni ju kohën?
Julian Hurdha: Nuk jam njeri me full agjendë dhe të them që nuk vij dot tani. Madje mendoj që njeriu nëse do, e gjen kohën për t’i bërë të gjjtha.
CMG: A është gjithçka që po bën tani, ajo që keni dashur?
Julian Hurdha: Në një raport 50 me 50, po bej atë që dua. Të paktën kështu mendoj. Ndihem komod në përgjithësi. Nuk mund të them që po bëj gjërat që dua, sepse aktrimi i vërtetë nuk është kështu. Dua të bëj aktrim të vërtetë në skenë. Në Shqipëri për momentin është pak e vështirë të kesh role kryesore, por po vijoj të punoj edhe për këtë pjesë.
CMG: Kur ka qenë dalja juaj e parë në skenë dhe si jeni ndjerë?
Julian Hurdha: Në vitin e tretë në gjimnaz unë kam pasur daljen time të parë e që padyshim ka qenë një emocion shumë i madh. por ajo që kam mësuar me shkollë dhe jetë ka qenë menaxhimi i emocioneve. Kështu që arrita që të gjithë atë sallë të cilën e shihja plot, ta përqafoja.
Qysh prej daljes sime të pare, unë sot ndihem me fat që jam aktor.
CMG: Çfarë do doje të ndryshoje nga jeta?
Julian Hurdha: Nëse do ktheja kohën pas unë do doja shumë që të mësoja dhe të përkushtohesha me tepër dhe të dilja me rezultate më të mira, por "kur të vinë mendtë s’ti hane as qentë ".
Si një aktor që jam, nuk e ëndërroj Hollywood-in, por dua një projekt europian.
CMG: Aktorët e preferuar?
Julian Hurdha: Adrien Nicholas Brody është aktori im i preferuar dhe në fakt me thonë që ngjaj me të.
Do doja të theksoja AL Pacino, por që të bëhesh si ai është e vështirë.
Në fund rëndësi ka të jemi vetvetja...
CMG: Si e shikon "tregun" e aktorëve në Shqipëri?
Julian Hurdha: Në Shqipëri është terren i vogël dhe 70 për qind janë bërë vipa, por dallojnë njerëzit që kanë talent. Ka humbur sensi i të qenit aktor me vepra. Marrin pjesë në filma njerëz që nuk kane lidhje me aktrimin, por gjithsesi në një moment do të vlerësohet talenti.
CMG: Lajtmotivi i ditës suaj ?
Julian Hurdha: La vita è bella! Jeta është e bukur...
Intervistoi Megi Mëhilli