israel-albania-festival (tiranadiplomat)
Prej 12 shtatorit, Tirana do të mirëpresë Festivalin Kulturor Shqipëri-Izrael, një event i jashtëzakonshëm që do të nxjerrë në pah artin shqiptar dhe atë izraelit, si dhe shkëmbimet historike mes popujve.
Festivali, i planifikuar deri më 21 shtator, do të sjellë një varietet eventesh dhe shfaqjesh në fushat e muzikës klasike dhe tradicionale, arteve figurative, fotografisë, letërsisë, kinematografisë, kostumografisë, e të tjerë, citon “Tiranadiplomat”.
Ky event vjen në 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit dhe do të shërbejë për të celebruar marrëdhëniet e ngrohta mes dy vendeve dhe popujve.
Festivali është një iniciativë unike në skenën kulturore shqiptare dhe ballkanike. Ndër pjesëmarrësit e këtij viti do të jenë “Klezmer Orchestra” nga Izraeli, Kuartet Harqesh nga Filarmonia e Berlinit, Nitzan Bartana nga Orkestra e Bazelit (Zvicër), dirigjentja Suzana Turku “Mjeshtër i Madh”, Sivan Rotem nga Izraeli, e shumë të ftuar të tjerë të veçantë.
Almira Emiri, drejtoresha artistike e Festivalit dhe pianiste shqiptare e mirënjohur në arenën evropiane dhe në Izrael, e cilëson eventin si një mundësi të artë promovimi për artin dhe kulturën. (Irma)