Ka shumë vite që sjell në skenë dhe aktivitete këngën e bukur të Jugut, veçanërisht lirikat e ëmbla përmetare. Rilinda Velaj, e lindur në qytetin e luleve, por e rritur në Tiranë, në sallat me talente të pallatit të pionierëve, ndoqi gjurmët e babait të saj, gjurmët e respektit për folklorin e bukur të zonës, për vargjet e çmuara mbi dashurinë dhe familjen, natyrën dhe mirësinë. Gjatë karrierës së saj 12 vjeçare ajo ka sjellë këngë të bukura popullore për artdashësit, duke u bërë një këngëtare e dashur për adhuruesit e muzikës popullore të trevës së jugut. Në një intervistë për CMG ajo na tregon mbi rrënjët e saj, aktivitetin dhe projektet në të ardhmen.
Rilinda Velaj në intervistë për CMG
CMG: Rilinda faleminderit për pjesëmarrjen në emisionin Bio Folk.
Rilinda Velaj: Faleminderit juve dhe është kënaqësi për mua që të jem sot këtu.
CMG: Kur keni filluar të këndonin këngën e mirëfilltë popullore?
Rilinda Velaj: Kam filluar që e vogël në pallat të pionierëve kur isha 9 vjeç dhe më pas kam dalë te spektakli “Ti vlen” kur kam qenë 17 vjeç. Më vonë kam realizuar dy albumet e mia, pra kam 12 vjet që merrem me muzikën popullore.
CMG: Pse zgjodhe pikërisht të interpretosh muzikën popullore, ndoshta zëri juaj u përshtat më mirë me këngën popullore?
Rilinda Velaj: Duke qenë se jam rritur në një familje që këndojmë me iso, labçe dhe më pëlqente që ta ruaja këtë traditën e familjes dhe vazhdova të këndoja këngën popullore. Më pëlqen që shqiptarët të mbajnë atë traditën e tyre dhe kjo të kalojë brez pas brezi.
CMG: Sa ju ka mbështetur familja në rrugën e muzikës?
Rilinda Velaj: Familja ime është shtysa më e madhe që unë sot jam këngëtare, të dy prindërit më kanë mbështetur. Babai im është dhe presidenti i grupit “Zëri i Trebeshinës”, i cili e krijoi këtë grup vetëm për mua sepse e shikonte talentin tim. Mbështetje më kanë dhënë dhe pjestarët e grupit “Zëri i Trebeshinës”, siç është Pëllumb Aliaj, Xhevahir Allkushi, që kanë qenë shtysë shumë e madhe për mua.
Rilinda Velaj
CMG: Në koncertet tuaja ju ka shoqëruar edhe grupi “Zëri i Trebeshinës”?
Rilinda Velaj: Patjetër dhe është kënaqësi sepse kur ke të bësh me persona që të gjithë dinë të këndojnë dhe janë të fushës së muzikës, duke më shoqëruar mua si këngëtare është një gjë shumë e mirë edhe për mua.
CMG: Keni bashkëpunuar për realizimin e këngëve me një emër të njohur të muzikës shqiptare, Adrian Hila. E quani veten me fat që punoni me një kompozitor profesionist?
Rilinda Velaj: Adrian Hila jo vetëm për mua, por për të gjithë artistët është kënaqësi që të punosh me të, sepse ka treguar se çfarë materialesh bën apo çfarë këngësh nxjerr. Për mua ka qenë privilegj të punoja me të dhe pse jo të vazhdoja të punoja akoma sepse është kënaqësi e madhe.
CMG: Kënga juaj me e klikuar në kanalin YouTube është një këngë për nusen dhe vjehrrën. Si erdhi ideja e realizimit të kësaj kënge?
Rilinda Velaj: Atëherë, duke qenë se kënga doli te “Ti vlen”, ishte një këngë e goditur dhe në publik u shfaq si nusja që theu shtambën dhe unë mendova që ta bëja këtë këngë me muzikë që të dëgjohet gjithandej. Nuk ishte realizuar më përpara një këngë me një tematikë të tillë. Kjo këngë arriti që të kishte shumë sukses dhe është një nga këngët e mia më të suksesshme.
CMG: Keni shumë vite që jetoni në Tiranë. Cila është lidhja që mbani me qytetin e trëndafilave, Përmetin?
Rilinda Velaj: Unë shkoj shpesh në Përmet dhe më pëlqen sepse është vend i bukur dhe i qetë, njerëzit janë shumë të mirë. Përmetarët janë shumë të dashur, por në Tiranë ka më shumë gjëra. Jo se Përmeti nuk është i mirë sepse si qytet ka atë qetësinë dhe nuk quhet kot qyteti i trëndafilave dhe të fal qetësinë, bukurinë, çdo gjë.
Rilinda Velaj
CMG: Përmeti ka këngë shumë të bukura. Sa keni marrë ju nga lirikat përmetare dhe sazet e atij qyteti?
Rilinda Velaj: Unë këndoj dhe këngë përmetare sepse duke qenë se jam nga ai qytet edhe në festival dhe koncerte të ndryshme që unë shkoj unë këndoj çdo trevë, edhe të jugut, veriut sepse mirë është që këngëtari t’i këndojë të gjitha. Shumë njerëz e dinë se unë jam nga Vlora, por unë jam përmetare pavarësisht se ardhja ime më shumë me këngë vlonjate ka qenë edhe për shkak të grupit, sepse ne jemi pjesë e Përmetit dhe Tepelenës dhe duke qenë se jemi të përzier unë mora pak nga Vlora dhe pak nga Përmeti dhe i përzieva, kjo është një gjë që edhe mua më pëlqen.
CMG: Ju e keni trashëguar këngën nga familja dhe vazhdoni ta ruani traditën e folkut shqiptar.
Rilinda Velaj: Duke qenë se unë kam marrë nga gjyshi dhe babai, unë jam kam transmetuar dhe nipit Klevis Hyskos i cili sot është këngëtar dhe i pëlqen shumë muzika. Mua më vjen mirë që në familjen tonë po vazhdon kjo çështja e brezave.
CMG: Flasim pak për periudhën e pandemisë dhe mungesën e aktiviteteve artistike. Sa ka ndikuar te ju si këngëtare kjo periudhë e vështirë?
Rilinda Velaj
Rilinda Velaj: Unë e kam ndjerë shumë sepse duke qenë se kemi pasur një jetë aktive brenda dhe jashtë Shqipërisë, dasma dhe koncerte dhe nuk kishim ndenjur ndonjëherë kaq pezull. Shpresoj se me kalimin e kohës kjo situatë të mbarojë dhe t’i rikthehemi normalitetit, të vazhdojmë koncertet tona sepse duke kënduar ne ndjehemi dhe ndryshe.
CMG: Si i keni mbajtur kontaktet me fansat tuaj gjatë periudhës së pandemisë?
Rilinda Velaj: Unë në fillim të pandemisë kam bërë diçka ndryshe, duke dalë live në faqen time në Facebook, gjithashtu dhe në Instagram, duke ju kënduar këngë, duke i pyetur se çfarë kënge dëshironin që t’jua këndoja. Pandeminë nuk e kam ndjerë fare sepse kam kënduar çdo darkë në livestream këngët e mia ose këngët e dikujt që ata preferonin, thjesht për të hequr mendimin e keq që mund të kishte pandemia.
CMG: Keni udhëtuar për shumë koncerte jashtë shtetit, ndërkohë që udhëtimin më të largët për koncerte e keni pasur në Australi. Si ju priti publiku shqiptar atje dhe çfarë ndjesi përjetuat ju si artiste?
Rilinda Velaj: Në Australi kemi ndenjur gati tre javë duke dhënë koncerte, por shqiptarët atje në Australi janë shumë mikpritës, janë shumë njerëz të mirë dhe që e ruajnë traditën. Ata edhe sot e kësaj dite dasmat i bëjnë më mirë se ne ku traditat me këngë dhe valle janë siç i kemi ne pak a shumë, por që ata e ruajnë me fanatizëm traditën.
CMG: Kënga duhet t’i ketë të gjitha komponentët që të jetë një këngë profesionale dhe të pëlqehet. Ju me cilin bashkëpunoni për tekstet e këngëve?
Rilinda Velaj
Rilinda Velaj: Unë kam bashkëpunuar me disa tekstshkrues dhe njëri prej tyre është Pëllumb Aliaj, i cili është një shtysë për mua sepse çdo gjë ma thotë nëse është mirë apo jo. Ai është dhe pjesëtar i grupit “Zëri i Trebeshinës” dhe më jep një mendim ndryshe. Gjithashtu për tekstet kam bashkëpunuar dhe me Nexhip Serën, Arben Dukën, pra janë disa tekstshrues që unë bashkëpunoj.
CMG: Keni menduar për ndonjë bashkëpunim me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore në të ardhmen?
Rilinda Velaj: Unë një bashkëpunim e kam me këngëtarin Arjan Strojka, i cili ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë, kënga ka qenë shumë e suksesshme dhe publiku e ka pëlqyer. Më pëlqen të bëj bashkëpunime ndoshta dhe më një këngëtare femër nga jugu.
CMG: Si janë marrëdhëniet tuaja me këngëtarët e tjerë të muzikës popullore?
Rilinda Velaj: Kam marrëdhënie shumë të mira dhe të gjithë kolegët i vlerësoj për atë që bëjnë sepse është një sakrificë shumë e madhe që të futesh në botën e artit. Mbi të gjitha duhet të jesh njeri i mirë dhe të kesh pak humanizëm dhe ëmbëlsi dhe nuk na gjen asnjë gjë e keqe duke folur mirë për kolegët dhe pse jo të dëgjojmë vetëm gjëra të mira sepse jemi shqiptarë të gjithë.
CMG: Rilinda, ju keni studiuar për psikologji. Si e lidhni këtë fushë me muzikën?
Rilinda Velaj: Psikologjinë e lidh me njerëzit, duke arritur t’i psikologjis se çfarë kanë në mendje. Më saktë psikologjia më duhet për veten time, pavarësisht profesionit, është diçka që vlen.
CMG: Keni dëshirë që ta ushtroni si profesion në të ardhmen?
Rilinda Velaj
Rilinda Velaj: Patjetër, unë jam gjithmonë e hapur për ta bërë këtë gjë, pavarësisht se unë përkohësisht kam pasur biznesin tim dhe nuk është se e kam ushtruar, por që jam kurdo e hapur që ta ushtroj si profesion.
CMG: Keni ndonjë projekt artistik së afërmi për ndonjë këngë të re?
Rilinda Velaj: Shpresojmë që gjërat të kthehen në normalitet dhe të shohim pastaj se çfarë mund të bëjmë sepse jeta po na tregon një gjë tjetër që ndoshta ti mund të bësh plane por ato nuk mund të dalin. Nëse gjërat do të kthehen në normalitet, patjetër do bëj një këngë të re.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe fansat tuaj.
Rilinda Velaj: Unë i përshëndes të gjithë dhe i falënderoj që dëgjojnë këngët e mia. Shpresoj që të jeni të gjithë mirë në familjet tuaja dhe kënaqësi që ishim sot bashkë për këtë bisedë shumë të këndshme.
Intervistoi: Gazmend Agaj