Këngëtarja Dafina Zeqiri ka deklaruar se të gjitha paratë e mbledhura nga albumi i saj “Dafinë Moj” do të shkojnë për Shoqatën e Autizmit
Këngëtarja shqiptare prej disa ditësh ka nisur punën për përgatitjen e albumit të saj të ri “Dafinë Moj”. Artistja, e ndjekur nga mbi një milion njerëz njoftoi së fundmi një iniciativë të ndërmarrë së bashku me grupin e saj, “Moneyz”.
Në një postim të ndarë në rrjetet sociale, Dafina ka treguar se menaxheri i saj, Pëllumb Çitaku, ka vizituar Shoqatën e Autizmit dhe shton më tej se të gjitha paratë që do të mblidhen nga albumi i saj do t’i dedikohen rasteve sociale të tyre.
“Sot si përfaqësues i Moneyz Music Manager/Ceo, Pëllumb Çitaku vizitoi Shoqatën e Autizmit, me qëllimin për t’iu kumtuar se të gjitha të hollat që do të mblidhen nga shitja fizike e albumit Dafinë Moj do t’i dedikohen rasteve sociale që trajtohen në Shoqatën Autizmi në Prishtinë dhe degëve të saj në Lipjan, Podujevë e Prizren”.
“Në këto kohëra të vështira, të gjithë mund të jemi afër njëri-tjetrit me kauza të ndryshme”, ka shkruar ajo. Dafina Zeqiri theksoi në postimin e radhës se është shumë krenare me gjithë ekipin e saj. Deri në këto momente ajo nuk ka ende një datë të saktë të publikimit të albumit.
Përgatiti Sava Lena