Gerald Murrja ka përfunduar studimet e larta në degën e kantos dhe tashmë është pjesë e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Në vitin 2012, Geraldi mori pjesë në spektaklin e talenteve të reja “X Factor Albania 2” aty ku bashkë me dy të rinj të tjerë formuan grupin Classic Boys, duke u pozicionuar deri në gjysmëfinale. Si grup muzikor ata patën disa pjesëmarrje në festivale si ai i Rtsh-së, Kënga Magjike, etj, tek ky i fundit u vlerësuan me çmim. Tashmë ai është pjesë e TKOB, dhe pret të interpretojë këtë fillim shtatori në disa koncerte. Për programin “Muzika shqip” Geraldi na ka rrëfyer rreth projekteve të reja, por dhe dashurisë së tij të madhe për muzikën klasike dhe futbollin.
CMG: Përshëndetje Gerald! Mirë se erdhe në programin “Muzika shqip”!
Gerald Murrja: Përshëndetje Sava dha faleminderit për ftesën!
CMG: Na trego pak për projektet që je duke punuar këto kohë?
Gerald Murrja: Ka pak që kam filluar provat për të vënë në skenë veprën e parë për inagurimin e skenës së re të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, i cili do të jetë më datë 15 shtator. Më datë 3 shtator kemi një shfaqje në Amfiteatrin e Liqenit Artificial të Tiranës, ku do jetë një super concert. Ju pres në datë 3 shtator ora 20.00!
CMG: Çfarë repertori do të ketë ky koncert?
Gerald Murrja: Do të vijnë dy artistë shqiptarë nga Austria, të cilët do të ndajnë eksperiencën e tyre. Ky ka qenë një Master-klas që është mbajtur në Universitetin e Arteve, së bashku me të nderuarën Suzana Turku, e cila na ka përkrahur këto kohë. Do të sjellim copëza Muzikal-i nga më të famshmet në të gjithë botën. Marrin pjesë disa studentë, gjithashtu do të interpretoj unë dhe artistë të tjerë të afirmuar të skenës, të cilët do japin kontributin e tyre në këtë koncert.
CMG: Çfarë pjese ke ti aty?
Gerald Murrja: Unë kam rolin e Tonit, nga autori Ben Stein. Është një këngë dashurie, një super këngë dhe mezi po pres që ta performoj në skenë.
CMG: E interpreton bukur rolin e të dashuruarit?
Gerald Murrja: (Qesh) Në prova po, por në realitet pak.
CMG: Është e vështirë që ta sjellësh këtë këngë dashurie në realitet për njeriun e zemrës?
Gerald Murrja: Kjo këngë është krijuar rreth një shekull më parë dhe autori e ka menduar për atë kohë, në kohët e sotme mendoj se “Nuk pi shumë ujë” dmth nuk funksionon si duhet tani në shekullin e 21-të. Është muzikë shumë e vështirë për t’u kuptuar nga e gjithë kategoria e njerëzve. Ne mundohemi të hymë nga pak në zemrat e njerëzve.
CMG: Çfarë rryme muzikore dëgjoje atëherë dhe çfarë dëgjon sot?
Gerald Murrja: Kur isha fëmije dëgjoja muzikë popullore dhe më pëlqente këngëtari Mehdi Zena. Kur pata fatin ta takoja i thashë “Një pjesë e meritës që unë sot jam bërë tenor, jeni edhe ju”.
CMG: Meqënëse ke studiuar për muzikën klasike, ne të kemi parë në skena të ndryshme edhe të muzikës së lehtë. Ku e sheh veten në të ardhmen, në cilën skenë?
Gerald Murrja: Meqënëse unë kam studiuar mbi 10 vite rreth muzikës klasike, kam dhënë gjithë energjinë dhe forcat e mia, në të ardhmen e shoh veten në skenat e mëdha të muzikës operistike. Muzikën e lehtë e bëj për pasion, pasi edhe në Shqipëri vlerësohet më shumë muzika e lehtë, ngaqë është edhe më e lehtë për t’u kuptuar dhe hyn më lehtë në veshin e njerëzve të thjeshtë. Sa i takon muzikës klasike dëshira në të ardhmen është që të vazhdoj karrierën në skenat botërore. Duke qenë se kam qenë në Gjermani, në Itali kam bërë disa Master-klase dhe kjo është rruga, ky është tregu ku unë mund të ndjehem Geraldi i vërtetë. Opera këtu tek ne është një eksperiencë mjaft e mirë për një të ardhme në skenat botërore.
CMG: Ti ke qenë konkurent në festivalin e RTSh-së me grupin e djemve Classik Boys. Na trego pak për këtë eksperiencë?
Gerald Murrja: Ne kemi katër vite që nuk jemi bashkë me djemtë e grupit. Komunikojmë, vazhdojmë që ta ruajmë shoqërinë Ilsi është në Amerikë, Jorgji është në Norvegji, vetëm unë kam mbetur këtu si më patrioti. Ne u formuam si grup para 10 vitesh në X-Factor, më pas morëm pjesë në shumë festivale, koncerte ku kemi patur shumë sukses. Kemi kënduar Himnin Kombëtar nëpër stadiume kur ka luajtur kombëtarja. Në Festival kishim një këngën shumë të veçantë. Kompozitori Endri Sina na realizoi një këngë e cila rrinte shumë mirë dhe u përfaqësua mjaft mirë në atë festival. Ëndrra jonë ishte që të fitonim çmimin e parë në mënyrë që të përfaqësonim Shqipërinë në Eurovizion, por ku i dihet në të ardhmen mund ta tentojmë edhe një herë këtë gjë.
CMG: Përveç muzikës ti dhe ke dhe një tjetër pasion të madh të cilën e ke lënë përgjysmë…
Gerald Murrja: Gjatë studimeve në Liceun Artistik paralelisht muzikës ndiqja dhe futbollin. Isha pjesë e ekipit të futbollit “Partizani”, por nuk isha i sigurt se cilin nga pasionet do të ndiqja në vazhdim sportin apo muzikën, pasi tek të dyja isha i talentuar. Kam qenë në Liceun Artistik kur erdhi për të bërë audicionet stafi i “X-Factor” dhe një shoku im Eraldi i cili tani studion në Itali, më kërkoi që të konkuronim bashkë. Mu duk ide interesante edhe pse mendova që të bëja rolin e shoqëruesit.
CMG: Ti personalisht i dije vlerat e tua vokale?
Gerald Murrja: Unë i dija, por duke qenë se “X-Factor” ishte një format i ri në Shqipëri, mendova se do të preferonin më shumë rryma të tjera të muzikës si, rrok apo muzikë e lehtë dhe se muzika klasike nuk do të preferohej. Gjithsesi mendova se do të isha më i veçantë se të tjerët dhe kështu e mora guximin. Gjatë rrugës këndova disa këngë të lehta, ku kalova disa sprova dhe pas disa kohësh më thotë mësuesja ime e kantos në Liceun Artistik Zina Zdrava “Gerald, përse nuk provon të këndosh opera?” Dhe kështu e provova. Ndërsa unë kaloja fazat, shoku im i ngushtë u eleminua. U nisa të shoqëroja atë dhe ngela vetëm në konkurim, por përpara se të konkuroja i pata thënë profesorit tim të futbollit se do të mungoja vetëm dy javë gjatë konkurrimit me mendimin se do të eliminohesha. Profesori më uroi që të kthehesha me fitore. Kaluan mbi 6 muaj dhe unë shkova deri në gjysmëfinale të “X-Factor”, por rendimenti fizik nuk ishte i njëjti për t’u rikthyer në futboll, trajneri ishte ndryshuar dhe fatkeqësisht e lashë futbollin në ato momente. Tani merrem sërish me futboll, madje kur isha në Gjermani u futa në një kategori të gjashtë gjermane.
Gerald Murrja intervistë për CMG
CMG: Mund t’i bësh paralelisht të dyja?
Gerald Murrja: Të gjithë habiten kur shohin postimet e mia në rrjetet sociale që merrem me muzikën dhe me futbollin. Më pëlqen t’i bëj të dyja edhe pse fokusi im është muzika, por futboll luaj dy herë në javë sepse më duket sikur heq dhe stresin e ditës.
CMG: Perfekte për ty do të ishte të këndoje muzikë operistike në fushat e futbollit…
Gerald Murrja: Në fakt e kam bërë edhe këtë. Profesori im Kastriot Tusha më ka dhënë mundësinë që të interpretoja Himnin Kombëtar në fushat e futbollit dhe këtë e kam realizuar. Të bëhem futbollist nuk besoj, por do të luaj gjithmonë thjesht për pasion.
CMG: Na trego diçka më tepër rreth eksperiencës me grupi Classik Boys…
Gerald Murrja: Në “X-Factor” duke qenë se ishim të tre zëra lirikë unë Ilsi dhe Jorgji ata menduan të krijonin një grup me trion e djemve. Kjo bëhet fjalë përpara se të dilnin grupi Italian “Il Volo”, ne ishim 3 tenorët e parë. Në fillim e kishim pak të vështirë që të ambjentoheshim sepse Jorgji nga Korça, unë nga Tirana, por me origjinë nga Dibra ndërsa Ilsi nga Shkodra, kishim pak problem komunikimin, si do na kombinonin tre zërat kur do na dëgjonin njerëzit, por u miqësuam shpejt me njëri –tjetrin. Më pas filluan performancat live në “X-Factor”, njerëzit na pëlqenin sidomos moshat e treta, të rinjtë apo vajzat disi më pak (qesh). Kur mbaruam spektaklin patëm mjaft ftesa dhe nga ambasadat, nëpër stadium ku këndonim Himnin, në festivalin e Rtsh-së, në “Kënga Magjike” ku kemi marr pjesë tre herë, duke u vlerësuar me çmimin “Best Group”. Kemi marr pjesë në Musikal të ndryshëm, por edhe në evente jashtë Shqipërisë, duke i bërë ato vite, të arta.
Gerald Murrja duke interpretuar ne TKOB
CMG: Nëse ju vjen një ftesë, a mund të bëheni bashkë të tre djemtë e Classik Boys?
Gerald Murrja: Para disa ditësh isha duke folur me djemtë, ku ishim të tre duke komunikuar me kamera dhe menduam pse jo, pas disa vitesh të bëjmë të tre bashkë disa këngë të reja dhe më pas të nisim një turne, duke qenë se Shqipëria nuk ka shumë grupe dhe për më tepër grupe të muzikës klasike. Do të ishte diçka shumë e bukur. Shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt.
CMG: Cilat janë projektet e tua më të afërta?
Gerald Murrja: Koncertin e parë e kam më datë 3 shtator në orën 20.00 në Amfiteatrin e Liqenit, koncertin e rradhës e kam më datë 9 te Holli i Operas, ku do të performoj bashkë me solistë të tjerë të TKOB. Ndërsa më datë 15 shtator bëhet dhe inagurimi i sallës së re në në Teatrin e Kombëtar të Operas dhe Baletit. Kam dëshirë që më vonë të realizoj një recital timin bashkë me artistë të tjerë të ftuar. Mezi po pres që ta sjell këtë vepër kaq të madhe e cila do më vlejë për gjithë jetën.
Geraldi me pushime ne jug te Shqiperise
CMG: Si ishin pushimet e tua këtë vit? Ishin të plota apo gjysmë punë e gjymë pushim?
Gerald Murrja: Ne në TKOB kemi një muaj pushim, por meqënëse unë kam patur përgatitje për koncertet e rradhës, më është dashur që të punoj dhe t’i marr me vete partiturat. Ka qenë një kohë mjaft e bukur. I nisa pushimet me shoqërinë dhe i mbylla me familjen. Kisha vite pa kaluar pushimet bashkë dhe mendoj se ja vlejti, ishin pushime të bukura.
CMG: Përherë i merr me vete partiturat?
Gerald Murrja: Kur shkova me pushime, sa hapa bagazhin e makinës më tha babai “Po ti ke ardhur për pushime apo për të punuar?!” Pastaj qeshi. Po ne këngëtarët lirikë kështu jemi gjithë kohës. Edhe kur flemë ne mendojmë se si do jemi nesër. Ka patur raste që çohesha në orën 4 të mëngjesit dhe provoja se si do të jetë zëri, sidomos kur jemi para koncerteve është një stres i vërtetë, pasi muzika klasike interpretohet pa mikrofon dhe duhet të jemi të ngopur mirë me gjumë, të ushqehemi mirë e të mos abuzojmë me alkolin apo cigaren.
CMG: Të uroj shumë suksese në vazhdimësi Gerald!
Gerald Murrja: Faleminderit shumë Sava!
Intervistoi: Sava Lena