Këngëtarja nga Shkodra, Arilena Ara ka kohë që ka nisur punën për albumin saj të ri të quajtur “Pop Art”. Tashmë ajo ka bashkëpunuar për projektin e saj më të ri “Thirr policinë”, me këngëtare Dafina Zeqiri.

Arilena ndau një postim në rrjetet sociale, duke njoftuar disa detaje të tjera për këtë bashkëpunim dhe postoi në rrjetet sociale: “Kudo unë & ti, “Thirr Policinë” në bashkëpunim me Dafina Zeqirin, videoja muzikore po vjen. Një javë deri kur të thërrasim policinë”, ka shkruar ajo. Pritet që ky projekt i dy këngëtareve të njohura të entuziasmojë publikun, duke patur parasysh numrin e lartë të fansave të të dy artisteve.

“Amore” kënga e re e Onat, Majk dhe Cozman

“Amore” mban titullin kënga që i ka bërë bashkë Onatin, Majkun dhe Cozmanin. Reperët e dikurshëm të “Babastars” tashmë janë ribashkuar për të sjellë një bashkëpunim të ri dhe ai është videoklipi i këngës “Amore”.

Bigdeal Records ka bërë realizimin muzikor, si dhe miksimin dhe masterizimin e këngës. Për vijën melodike janë kujdesur Sensi, Onati dhe Majku, ndërsa këta dy të fundit janë autorët e tekstit “Amore”.

Për videoklipin e këngës është kujdesur MAX Production.

Ermal Meta koncert në “Air Albania”

Këngëtari me origjinë shqiptare Ermal Meta do të mbajë më 17 shtator një koncert në stadiumin “Air Albania”, në Tiranë.

Ky do jetë koncerti i parë që organizohet në stadiumin e ri në kryeqytet. Ermal Meta ka shkruar në rrjetet sociale: “Siç premtuam, kemi një datë të re. Pas koncertit në Taormina do të këndojmë së bashku nën qiellin e Tiranës. Më 17 shtator në stadiumin ‘Air Albania’ do të krijojmë një kujtim të bukur. Koncerti do të jetë falas dhe artdashësit mund të regjistrohen nga e marta, 25 gusht”. Pra të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë në koncertin e Ermal Metës, mund të regjistohen në linkun që ai ka vendur në postimin e tij.

Ermal Meta, që prej fillimit e ka nisur veprimtarinë e tij artistike në Itali, ndërsa rikthehet pas tri vitesh në turin e tij të ri muzikor në Tiranë, ku dhe do të mbajë një koncert në Stadiumin Air Albania. Pas shumë muajsh pauze prej pandemisë, Ermali vendosi të kryejë turin e tij të parë muzikor. Një turne, i cili do t’i japë fund mungesës së koncerteve, por në të njëjtën kohë është edhe një rëndësi e madhe emocionale për artistin shqiptar të qënit prezent në vendlindjen e tij, në Shqipëri.

Përgatiti Sava Lena