Intervistë telefonike me këngëtaren shqiptare nga Maqedonia e Veriut
Këngëtarja shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Hana Palloshi jeton dhe studion në Shkup. Ajo është vetëm 19 vjeç, por ka një karrierë të pasur artistike. Që në moshë të vogël ka nisur të studiojë për violinë, gjithashtu pasioni i saj i madh është kënga. Ka qenë pjesë e shumë festivaleve për fëmijë në Maqedoni, por edhe Festivalin e Fëmijëve në Shkodër. Hana ka marrë pjesë në disa festival vitet e fundit, por nuk kanë munguar edhe koncertet live.
CMG: Përshëndetje Hana! Mirë se vjen në programin "Muzika shqip"!
Hana Palloshi: Përshëndetje Sava dhe faleminderit për ftesën! Gjithashtu përshëndetje dhe të gjithë dëgjuesve të programit "Muzika shqip"!
CMG: Ti je vetëm 19 vjeçe dhe ke shumë pjesëmarrje në festivale. Na trego për fillimet tua me muzikën, si dhe rrugëtimin tënd deri më sot?
Hana Palloshi: Po është e vërtetë që kam marrë pjesë në festivale të ndryshme në Shkup, Shkodër, Manastir, Bullgari dhe vende të tjera nga ku kam mbetur shumë e kënaqur. Fillimet e mia me muzikën kanë qenë që në moshën 8 vjeçare, kur kam filluar të merrem profesionalisht me muzikën dhe violinën, të cilën vazhdoj të studioj dhe sot në Shkup. Ka qenë dëshira ime fillimisht kur ndiqja që e vogël në televizion filarmoninë e Vjenës dhe botën e muzikës, si një botë më vete ku e gjeja veten shumë mirë. Që nga ai moment i kërkoja prindërve të më blinin një violinë. Derisa më në fund arrita ta merrja instrumentin tim të preferuar dhe ai ishte një nga momentet dhe surprizat më të bukura që kam patur ndonjëherë. Sa i përket këndimin, atë e kam filluar shumë spontanisht dhe kjo në moshë shumë të vogël. Për këtë i jam falenderuese profesorit tim të muzikës Adem Ymeri, i cili më ka orientuar drejt këngës.
CMG: Kush e ka spikatur talentin tënd në art?
Hana Palloshi: Kam qenë diku në klasën e pestë kur mësova se do të mbahej një audicion në shkollë për këndim, ku fituesi do të merrte pjesë në festivalin mbarëkombëtar në Shkodër dhe më pas mora vesh se e kisha fituar audicionin. Nuk kishte gëzim më të madh për mua në ato momente. Më pas filluan përgatitjet për festivalin, nisën provat në Shkodër. Aty u shoqërova me fëmijë të talentuar nga të gjitha vendet pjesëmarrëse, me të cilët i mbaj kontaktet edhe sot. Shkodra ka qenë vendi i parë ku unë kam marr mikrofonin në dorë dhe ky do mbetet një kujtim mjaft i bukur nga fëmijëria ime, të cilin nuk do ta harroj asnjëherë.
CMG: Ti studion për violinë. Sot e konsideron veten këngëtare, apo violiniste e mirë?
Hana Palloshi: Violinën e studio, ndërsa këngën e kam pasion. Mendoj të dyja nga pak.
CMG: Si e sheh të ardhmen tënde, si instrumentiste e famshme, apo këngëtare?
Hana Palloshi: Nuk do thoja e famshme, por mund të them si një instrumentiste profesioniste.
CMG: Kë do më shumë, instrumentin e violinës apo këngën?
Hana Palloshi: Me thënë të drejtën kjo pyetje më është bërë shpesh nga njerëzit e mi të afërt, por mendoj se të dyja kanë vendin e vet dhe nuk mund të veçoj instrumentin apo këngën.
CMG: Cila është rryma muzikore që ti dëgjon në kohën e lirë?
Hana Palloshi: Në kohën e lirë dëgjoj rryma të ndryshme të muzikës, por ato që më pëlqejnë më shumë janë rrymat Pop dhe Jazz, këtë të fundit e dua më shumë.
CMG: Ku ka qenë vlerësimi yt më i madh? Në cilin festival apo event?
Hana Palloshi: Në moshë të vogël do të veçoja Festivalin për Fëmijë të Shkodrës, ku jam ndjerë vërtetë shumë e vlerësuar mes të gjithë fëmijëve që ishin konkurentë prej vendeve të ndryshme. Ndërsa në një moshë më të rritur do veçoja këndimin live me bandën muzikore, që e kemi mbajtur në Shkup në muajin prill, dy vite më parë. Ka qenë një event me këngë të vjetra shqiptare, por ishte gjithçka shumë bukur.
CMG: Cili është synimi yt për të arritur?
Hana Palloshi: Synimi im është të jem e suksesshme dhe e lumtur në rrugën e muzikës, qoftë në instrument apo në këndim.
CMG: Jemi në fund të muajit gusht. Si ishin për ty pushimet e këtij viti?
Hana Palloshi: Me thënë të drejtën është shumë ndryshe nga pushimet që jemi mësuar t’i bëjmë përherë, për shkak të pandemisë, dhe kjo besoj ka qenë jo vetëm për mua, por për të gjithë. Sa i përket koncerteve ato nuk kanë munguar, sigurisht me masat mbrojtëse. Gjithësesi jemi argëtuar edhe në këto kushte jo normale.
CMG: Çfarë do shtoje së fundi?
Hana Palloshi: Së fundi dua t’i uroj të gjjthë njerëzve shëndet dhe suksese në punën që po bëjnë. T’i ndjekin ëndrrat dhe synimet që kanë në jetë. Të falenderoj shumë ty Sava për intervistën dhe shpresoj të dëgjohemi herë të tjera.
Intervistoi: Sava Lena