Këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore Maja Alickaj para pak ditësh ka publikuar këngën e saj të re të titulluar “Lis me dega, o biro”, kushtuar djalit të saj, të cilin e ka bërë edhe pjesë të videoklipit. Kënga është kompozuar nga Adrian Hila me tekst të vetë Majës. Edhe pse ka pak ditë që është publikuar, kjo këngë ka arritur të ketë shumë sukses në tregun muzikor. Muajt e verës artistja nga Vlora me një zë unik dhe tepër e preferuar kudo ku ka shqiptarë, ka qenë e angazhuar në shumë koncerte dhe gëzime familjare. Në një intervistë ekskluzive për CMG Maja na tregon për këngën e re si dhe angazhimet e saj artistike gjatë sezonit veror.
CMG: Maja është kënaqësi që je e pranishme në Bio Folk, Radio Ejani.
Maja Aliçkaj: Faleminderit për ftesën dhe kam ardhur me kënaqësi në emisionin Bio Folk.
CMG: Ju sapo keni publikuar këngën e re “Lis me dega, o biro” dhe keni qenë e ngarkuar këtë periudhë.
Maja Aliçkaj: Kjo ka qenë një periudhë shumë e ngarkuar, por edhe pse kam qenë e ngarkuar me këngën dhe klipin e ri, unë e gjeta mundësinë që të jem e pranishme në emisionin Bio Folk. Sepse nga vetë titulli i këtij emisioni, identifikon artistët më të mirë të muzikës popullore.
CMG: Flasim pak për këngën e re dhe realizimin e saj. Pra është një kompozim i ri popullor.
Maja Aliçkaj: Kënga është kompozim i ri i kompozitorit dhe mikut tim të shquar Adrian Hila dhe me tekstin tim. Unë e dua si këngë se përndryshe nuk do ta këndoja, por shpresoj që ta duan të gjithë. Është një këngë në të vërtetë për djalin tim, personale për mua, por është sa personale, aq edhe e përgjithshme për të gjithë fëmijët. Kënga është me motive të jugut dhe një ardhje shumë interesante e kompozimit nga Adi Hila. Eshtë jug, por më e zbutur dhe është krijim i ri ku në veshët e mi është shumë interesante dhe shumë e bukur. Besoj se ashtu si e dëgjoj unë, ashtu të shkojë në veshin dhe në shpirtin e të gjithë adhuruesëve të këngës dhe adhuruesve të mi.
CMG: Në videoklip keni përfshirë edhe djalin tuaj si pjesë të këngës?
Maja Aliçkaj: Në videoklip djali im është bashkarisht me mua edhe pse është shumë i vogël, por më shkon kënga me të sepse është një këngë për atë dhe dëshira ime ishte që ta kisha në videoklip. Klipi është realizuar me Max Production.
CMG: Këtë periudhë ju keni qenë e angazhuar edhe me Maratonën “Këngë moj” në disa koncerte në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Si jeni pritur nga publiku?
Maja Aliçkaj: Pritja ka qenë e shkëlqyer dhe atë entuziazëm që publiku ka për mua ma dhuron. Edhe unë ndoshta ua dhuroj, sepse ajo është marrëdhënie merr dhe jep. Kjo është dhe një nga arsyet që po shkoj edhe pse unë kam qenë gjithmonë mike e maratonës, por sivjet është arsyeja që të jemi pak direkt me publikun, sepse mbetëm vetëm nëpër telefona dhe virtualisht nga kjo periudha e pandemisë. Faleminderit që na është dhënë kjo mundësi për të qenë edhe publiku pranë nesh, por edhe ne pranë publikut.
Ne i kemi njerëzit shumë artdashës, janë të mrekullueshëm dhe e duan gjënë e bukur. Kur isha e vogël thosha faleminderit që kam lindur në Shqipëri dhe përsëri po them faleminderit, që kam lindur këtu.
CMG: Flasim pak për spektaklin “Këngë moj”, ku ju keni qenë pjesëmarrëse në disa puntata. Cila nga netët ju ka emocioniar më tepër?
Maja Aliçkaj: Është e vështirë për të thënë se cila më ka emocionuar më shumë, sepse unë kam kënduar këngë të cilat i kam dashur shumë. Në natën e këngëve epike kam qenë përsëri ku kam marrë pjesë me këngët e mia, pasi jugu nuk është se ka shumë këngë trimash, i kemi të pakta dhe duke qenë se ishin të pakta ato ishin kënduar. Unë në repertorin tim kam një larmi temash. Nuk kisha këngë trimash, por kisha këngë trimëreshash, siç ishte kënga e Miro Tërbaçit që në të vërtetë është një legjendë dhe një histori e vërtetë. Teksti është i popullit, por unë e solla në pentagram.
Kënga tjetër ishte “Vajzat Suliote” me tekst të potetit Arben Duka. Këto këngë i solla në njërën nga netët e “Këngë moj”, sepse siç thashë kemi pak këngë trimërie jugu. Për mua ishte mirë që të përfaqësoja jugun në atë mbrëmje, pasi ishte një mbrëmje e mbushur me më shumë veri. Në fakt të gjitha netët e atij spektakli më kanë emocionuar, sepse edhe tek nata e sazeve këndova këngët përmetare që janë njëra më e bukur se tjetra. Edhe këngët e veriut më kanë pëlqyer, sepse ishte një natë e veçantë për shumë arsye.
Kënga e parë e kolazhit verior ishte kënga e këngëtarit Nikoll Nikprelaj nga Tuzi i Malit të Zi, të cilin e përshëndes dhe me lejen e tij e këndova dhe këtë këngë. Kënga e dytë ishte e imja, që është përsëri një gërshetim i gjithë trojeve shqiptare ku dhe në tekst e muzikë është një ndërthurje mbarë shqiptarisë dhe kënga e tretë një këngë allegro e Tetovës. Ky kolazh me të vërtetë më ka emocionuar shumë sepse unë e dua si çdo shqiptar vendin tim dhe këtu më erdhi mundësia që unë ta shprehja anembanë këtë dashuri, që kam nëpërmjet këngëve, zërit dhe shpirtit tim.
CMG: Ju jeni një këngëtare me një zë të veçantë dhe prezencë unike në skenë, ku dhe publikun e bëni për vete.
Maja Aliçkaj: Jam koshiente për këtë dhe nuk është se po e bëj ekstra, por që ne lindim me disa veçori dhe cilësi. Një pjesë e interpretimit tim dhe asaj përqasje me publikun dhe dërgimin e energjive të mia në publik mendoj se është e trashëguar pikërisht nga nëna ime. Edhe nga babai, por mamaja e kishte më të zhvilluar këtë pjesën e të dhënit të energjisë së saj njerëzve që kishte përballë. Pjesa tjetër është shkollimi. Në të vërtetë ne kemi bërë një shkollë shumë të mirë për aktrim në Akademinë e Arteve dhe kemi studiuar vërtetë dhe për hir të së vërtetës edhe aty kam qenë shumë mirë. Madje më vjen keq që nuk jam shpesh në teatër. Në Akademinë e arteve, pedagogët tanë, artistët e mëdhenj shqiptarë na mësuan në mënyrë të qëllimshme që emocionin tënd nëse nuk e çon në publik, atëherë nuk ke bërë asgjë.
CMG: Mendoni se shkolla e aktrimit ju ka ndihmuar edhe në fushën e muzikës?
Maja Aliçkaj: Padyshim që më ka ndihmuar dhe kur dal në skenë është vendi më i rehatshëm ku unë mund të jetoj. Unë dal në skenë dhe jam si një grua kur është në kuzhinë, jam shumë rehat. Mua fatmirësisht ma ka dhënë Zoti një profesion, të cilin unë e dua dhe përmbushem shpirtërisht.
CMG: Keni menduar ndonjëherë për një koncert recital tuajin?
Maja Aliçkaj: Unë lirisht mund të mbaj disa orë me këngët e mia. Dëshira ime ka qenë për një koncert të tillë pasi unë të lindja djalin dhe të rritej pak, do filloja me organizimin e një koncerti recital. Kjo gjë përkoi tani përsëri me pengesa të tjera dhe më ra hovi. Koncerti recital është një dëshirë e imja ende e pa realizuar. Shpresoj të kemi shëndetin mirë edhe të gjitha realizohen.
CMG: Së fundi një mesazh urimi për të gjithë adhuruesit tuaj.
Maja Aliçkaj: Gjithmonë mesazhet e mia të urimit janë shëndet dhe harmoni me njerëzit dhe njëri -tjetrin.
Intervistoi: Gazmend Agaj