Kevin Zotrija është producent i muzikës elektronike, i cili ka kompozuar shumë këngë në këtë zhanër, duke i promovuar edhe në tregun muzikor ndërkombëtar. Pasioni për këtë zhanër muzikor e ka bërë atë që t’i përkushtohet me vite të tëra duke arritur të renditet edhe në mesin e producentëve të tjerë botërorë. Në një intervistë për CMG Kevin na tregon për rrugëtimin e tij artistik si dhe projektet muzikore.
CMG: Përshëndetje Kevin dhe faleminderit për pjesëmarrjen në “Autostradë”.
Kevin Zotrija: Faleminderit për ftesën dhe është kënaqësi për mua që të flas për elektronikën.
CMG: Kur keni nisur të merreni me muzikën elektronike dhe si erdhi dëshira për këtë zhanër muzikor?
Kevin Zotrija: Unë kam filluar të merrem me muzikën elektronike që në moshën 13 vjeçare, kur kanë qenë hapat e mia të para me grupet e para të elektronikës që unë kam dëgjuar. Ishte diçka që e dëgjova ditën e parë dhe ditën tjetër e në vazhdimësi pastaj nuk ndalova së dëgjuari. Pas gati tre vjetësh thjesht krijova shumë kulturë. në radhë të parë duke dëgjuar pjesë nga fusha të ndryshme të elektronikës, sepse elektronika ka mbi 100 fusha të ndryshme, që janë zhanre ku ka elektronikë të butë, ambientale që shumë bukur mund ta dëgjosh këngën në mëngjes, por ka dhe elektronikë që është shumë bukur për të kërcyer me orë të tëra.
Është diçka që unë e gjeta te vetja ime dhe kuptova se pas kaq dëgjueshmërie dhe kulture që krijova, mendova që nesër ose pasnesër këtë gjë unë do ta bëj vetë. Nuk bëra shkollë për këtë pjesë, por me siguri edhe e kam trashëguar nga familja dhe shumë shpejt zbulova se çfarë programi mund të përdorja që ta krijoja muzikën vetë nga zero. Shkarkova programin dhe nisa të eksperimentoj nga pak vetë pa ditur tamam diçka zanafillëse, diçka që ti e mëson vetë pa bërë një shkollë ku dikush të thotë do ta nisësh te A-ja dhe të vazhdosh te B-ja. Është diçka shumë e vështirë, por që me kalimin e kohës me ndihmoi dhe kultura që kisha krijuar tërë këto vite dhe pas disa vjetësh realizova këngën time të parë. Mbasi e transmetova te shoqëria dhe njerëz që dëgjonin muzikë elektronike, mora një impakt shumë pozitiv dhe kjo më bëri pastaj që të krijoj vetëbesimin dhe t’i futem më seriozisht kësaj pune.
CMG: Ju kompozoni këngë, por jo me nota në partitura. Mund të na tregoni se si e realizoni një këngë?
Kevin Zotrija: Mënyra dhe notat janë po të njëjtat, 7 notat që përdoren te partiturat dhe po ato 7 nota kompozoj dhe unë në programin elektronik, por në programin elektronik është diçka që ti nuk e ke partiturën në atë formë si solfezhi, por është diçka më e minimizuar dhe më praktike për të krijuar atë çfarë ke ti në mendje dhe ta transmetosh më lehtë. Besoj se ka qenë disi më e vështirë që atë që ke në kokë ta shkruash në partiturë dhe tani me elektronikën është bërë disi më e thjeshtë akoma. Të kompozosh muzikë elektronike duhet shumë fantazi për momentin.
CMG: Ku frymëzoheni për të kompozuar në muzikën elektronike?
Kevin Zotrija: Frymëzimi mund të vijë nga shumë gjëra. Ti ke krijuar kulturë duke parë filma apo duke luajtur lojra tredimensionale që të hapin një botë tjetër, koncepte të reja që të frymëzojnë dhe të japin një atmosferë shumë unike dhe atë atmosferë si artist duhet të jesh i aftë ta konvertosh në ndjesi me nota që ta shprehësh dhe te të tjerët.
CMG: Keni prodhuar edhe albume muzikore, ku njërin e keni titulluar “Kevin 94”. Çfarë këngësh përmban albumi i parë?
Kevin Zotrija: Albumi i parë ishte diçka më fantaziste dhe është publikuar në vitin 2014. Unë e dërgova në një shtëpi diskografike në Gjermani dhe pasi e dëgjuan pati një impakt shumë pozitiv dhe u lançua në tregun botëror. Pas lançimit një surprizë tjetër e madhe ishte që kënga hyri në top 100 këngët më të shitura për rrymën e vet muzikore. Kënga arriti deri në vendin e 41, gjë që mua më dha shumë vetëbesim sepse nuk e prisja këtë gjë por thjehst e lançova, provova dhe impakti që më dha ishte surprizë për mua.
CMG: Tashmë keni hyrë në tregun ndërkombëtar, ku keni lidhur dhe kontrata me shtëpi diskografike të ndryshme. Sa e vështirë ka qenë për ju që të futesh në tregun botëror me këtë rrymë muzikore?
Kevin Zotrija: Ka qenë e vështirë për faktin që ke disa shtëpi diskografike, sepse ka shtëpi diskografike që kanë shumë impakt dhe deri në 100 mijë ndjekës në ço këngë që ata publikojnë, dhe këto janë pak të vështira për t’i kontaktuar sepse ata mund të marrin rreth 200 demo në ditë nga artistë të ndryshëm dhe kjo gjë e bën disi të vështirë sepse nuk mund të të jepet shansi që ty të ta dëgjojnë demon. Unë kam insistuar dhe kam gjetur se kush janë shtëpitë e duhura për muzikën time që mund ta lançoj dhe të jenë edhe serioze. Prandaj dhe pjesa e shtëpisë diskografike ku duhet ta laçosh muzikën ka të bëjë shumë dhe duhet ta studiosh.
Kohët e fundit kam bërë një album me një emër të ri dhe e lançova me shtëpinë më të mirë diskografike në Kaliforni. Mund të them që është shtëpia më e mirë që unë mund të kem kapur këto vite, me gati 100 mijë ndjekës dhe të japin edhe përshtypjet se si ka qenë kënga. Kjo gjë sjell përfitimin më të madh që mund të ketë një artist që të bëhet global dhe mund të ftohesh për koncerte kudo ku është bërë e famshme kënga jote, që është mendoj maksimumi që mund të arrijë një artist.
CMG: Gjatë pandemisë shumë artistë nuk janë aktivizuar. Ty përsonalisht të ka frymëzuar për të krijuar periudha e karantinës?
Kevin Zotrija: Mendoj se e kam shfrytëzuar shumë mirë atë pjesë sepse çfarë mund të bëja më mirë i mbylluar në shtëpi dhe ishte pjesa më e mirë e kohës që shfrytëzova për kompozim. Kam parë shumë filma duke marrë shumë ndjesi nga ato filma dhe shumë ndjesi i kam transmetuar në nota, duke i konvertuar në këngë. Gjatë periudhës së pandemisë kam prodhuar gati 10 këngë, pra dy albume të plota me nga 5 këngë secili album. Mbasi i mbarova i lançova dhe ato me shtëpitë diskografike, duke pasur shumë sukses.
CMG: Keni qenë i ftuar në evente të ndryshme në Shqipëri për të performuar në muzikën që ju krijoni?
Kevin Zotrija: Shqipëria ka evente për muzikën elektronike, por në një formë më komerciale, e cila mund të them që është me muzikë elektronike, por e shoqëruar me elemente që e bëjnë më popullore. Ndërsa pjesa e muzikës që kompozoj unë është disi me një audiencë më specifike dhe më e kufizuar në Shqipëri. Nuk kam shumë aktivitet këtu, por ato aktivitete që janë, jam munduar t’i shfrytëzoj, jo vetëm për veten time, por dhe për brezin e ri që të transmetoj një formë tjetër të artit dhe të muzikës elektronike në Shqipëri.
CMG: Keni pasur ndonjë aktivitet këto ditë në Tiranë?
Kevin Zotrija: Para pak ditësh kisha një aktivitet organizuar nga Bashkia e Tiranës te pedonalja në qëndër të qytetit. Unë aty luajta si “Projekt 22” në bashkëpunim me një koleg tjetër, që kemi 8 vite që e kemi nisur si projekt, por është hera e parë që jemi 100% live vetëm me këngët tona. Këngët ishin të reja dhe të paekspozuara më parë, pra ishin ekskluzive për këtë festival dhe mendoj se ishte një nga aktivietet më të mira për ne për ta lançuar muzikën që kemi krijuar në mes të një audience me shumë rini. Besoj se përcollëm diçka të veçantë për brezin e ri.
CMG: Së fundi, një mesazh për të gjithë ata rinj që dëshirojnë të mësojnë muzikën elektronike.
Kevin Zotrija: Unë do ju thosha se kushdo që ka dëshirën për t’u bërë producent ose që dëshiron të mësojnë, gjëja e parë është dëshira dhe përkushtimi, dhe e dyta të jenë sa më origjinal në kompozimin e vet.
Intervistoi: Gazmend Agaj