Këngëtarja me fame botërore Ava Max nuk e ka fshehur asnjëherë origjinën e saj shqiptare, ashtu sikurse ka pranuar edhe faktin që ende nuk e ka vizituar Shqipërinë. Artistja me famë botërore, e cila ka lindur në Sarandë, ka treguar më parë se pandemia i prishi planet për të udhëtuar drejt vendlindjes së saj. Së fundmi, ajo ka folur për rubrikën “How I Blew Up Up” të revistës “Uproxx”, ku ka treguar se si ka qenë jeta e saj para se të bëhej e famshme.
Këngëtarja ka rrëfyer se është përpjekur që të bëjë një punë normale në SHBA si gjithë të tjerët, por çdo gjë i ka rezultuar pa sukses. Ava tregoi se ajo e dinte që do bëhej këngëtare dhe kjo ishte ajo që donte në të vërtetë, pasi asnjë punë tjetër nuk mund ta bënte si duhej. Në këtë intervistë ajo ka thënë se; “Fillova të gjej një punë të zakonshme me orar 9:00-17:00. Më pas më pushuan nga puna pasi nuk isha shumë e mirë në atë që duhet të bëja. Provova të punoja si recepsioniste e një salloni estetik, por më pushuan pasi isha e dobët në matematikë, pasi duhet të bëja shumë llogaritje. Matematika nuk ishte arma ime më e fortë,”- është shprehur këngëtarja.
Më pas, artistja filloi punë si shitëse pjastrash në një qendër tregtare. Ajo e përshkruan këtë si përvojë pune argëtuese, por iu desh ta linte punën, pasi kritikohej gjithmonë nga shefi i saj. Arsyeja ishte se shkonte me vonesë në punë dhe me një kapuçino në dorë. Këto kanë qenë dhe arsyet përse e kanë pushuar nga puna .