Kujtim Shehu ka punuar shumë vite si mësues matemattike, ndërsa karrierën e tij artistike si këngëtar e ka nisur pranë pallatit të kulturës në Qytetin Studenti. Pasioni i tij ka qenë muzika e lehtë, por muzikën popullore e pëlqente dhe më vonë u angazhua në aktivitete të ndryshme. Ka realizuar disa albume muzikore, të shoqëruara dhe me videoklipe. Pasioni, dëshira dhe puna e tij e pandërprerë për të kënduar ka qenë arsyeja që e ngritën në karierë dhe e bënë të njohur si artist. Jeta e tij tani është e ndarë mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Në një intervistë për CMG ai na tregon për karrierën artistike, projektet e fundit dhe për mënyrën sesi ka ndryshuar jeta e tij që prej ikjes nga Shqipëria.
Kujtim Shehu duke interpretuar
CMG: Pershendetje Kujtim dhe kënaqësi që të kam të ftuar në emisionin Bio Folk.
Kujtim Shehu: Faleminderit Gazi për ftesën dhe jam shumë i lumtur që bëhem pjesë e emisionit Bio Folk në Radio Ejani, ashtu si shumë kolegë të mi që i kam dëgjuar dhe që kanë qenë pjesëmarrës në këtë emision.
CMG: Ju i keni munguar publikut të Shqipërisë këto vitet e fundit, pasi jeni larguar dhe jetoni në SHBA. Ju mungon Shqipëria dhe publiku këtu?
Kujtim Shehu: Me të vërtetë unë i kam munguar publikut për pesë vite, pasi unë jam larguar në Amerikë dhe të them të drejtën më ka marrë malli shumë. Shqipëria më mungon dhe sidomos publiku i Tiranës, koncertet, lokalet dhe gëzimet familjare. Pra çdo gjë më mungon.
Kujtim Shehu gjate nje koncerti
CMG: Pse vendosët të largoheshit nga Shqipëria dhe a vazhdoni me aktivitete artistike në Amerikë?
Kujtim Shehu: Në fakt unë vendosa që të largohem nga Shqipëria vetëm për fëmijët, që t’ju siguroja një të ardhme më të mirë, kuptohet për shkollim dhe punësim. Përsa i përket aktiviteteve muzikore, unë jam i pranishëm shpeshherë por jo si në Shqipëri. Amerika ndryshon dhe nuk është si në Tiranë, aktivitetet muzikore janë të rralla, por gjithësesi jam i pranishëm kur ka aktivitete.
CMG: Periudha e gjatë e pandemisë sa ka ndikuar në jetën tuaj artistike?
Kujtim Shehu: Ky vit ka qenë viti më i vështirë sepse ishte një përvojë që askush nuk e kishte provuar. Pastaj si për mua dhe për çdo artist u pezullua çdo gjë, u pezulluan aktivitetet muzikore, dasmat dhe koncertet. Gjithësesi artistët e gjetën rrugën pasi filluan publikimet online dhe ashtu veprova edhe unë ku publikova dy këngë, të cilat i realizova online. Kaq ishte ky vit, por shpresojmë që tani të kalojë çdo gjë dhe të fillojnë aktivitetet artistike.
Kujtim Shehu me kengetaret Irma dhe Eranda Libohova
CMG: Mësues matematike dhe njëkohësisht këngëtar i pelqyer. Kujt i ke kushtuar më shumë kohë, muzikës apo mesimdhënies?
Kujtim Shehu: Ke të drejtë Gazi, pasi siç dihet unë kam 25 vite që ushtroj profesionin si mësues matematike dhe këngëtar dhe kurrë nuk i kam ndarë nga njëra-tjetra këto dy profesione. Edhe kur isha në Tiranë unë çdo ditë kam qenë i pranishëm në shkollë dhe çdo natë kam kënduar, pra nuk është se i kam kushtuar më shumë vëmendje njërit profesion. Kur erdha në Amerikë jam shkëputur për katër vite si mësues matematike pasi më duhej të kaloja provimet dhe të realizoja gjërat që duheshin për të filluar si mësues matematike dhe jam shumë i lumtur që dhe këtë e arrita, pra punën që kisha si mësues në Tiranë tashmë e ushtroj këtu në Manhattan. Jam dhe mësues matematike, por kuptohet që edhe muzika është pjesë e jetës sime këtu.
Kujtim Shehu me kengetarin Luan Zhegu
CMG: Cilët nga këngët që keni realizuar janë pritur më mirë nga publiku?
Kujtim Shehu: Unë kam disa këngë që kanë autorësinë time. Në fakt njëra këngë ka qenë “Mos harroni babë e nënë”, të cilën kur e kam nxjerrë pati shumë sukses. Shumë sukses kam pasur edhe me këngën “Goc Tirone”, kur publikova albumin tim dhe kjo këngë është pëlqyer shumë dhe akoma vazhdon të këndohet nëpër disko dhe të dëgjohet nëpër lokale. Kjo ka qenë kënga ime më e suksesshme deri tani.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?
Kujtim Shehu: Unë në mendje kam shumë projekte dhe këngë që dëshiroj t’i realizoj, por këtë vit kam qenë shumë i ngarkuar sepse kam filluar dhe mësimdhënien. Të ikën koha këtu në Amerikë, është koha shumë e çmuar dhe nuk të del që të realizosh diçka. Gjatë muajve të verës do të realizoj një videoklip, këngën e kam audio por nuk kam pasur kohë që ta realizoj videoklip. Gjithashtu do të përpiqem dalëngadalë që të realizoj një album me këngë popullore. Këto kam në mendje, por siç e thashë më lart projekti më i afërt është realizimi i videoklipit të këngës së përfunduar
Kujtim Shehu
CMG: Keni ndonjë plan për t’u rikthyer në Shqipëri?
Kujtim Shehu: Në Shqipëri dua të kthehem sa më shpejt, pasi unë jam në proçes të marrjes së Green Card dhe kjo pandemia sikur pezulloi çdo gjë. Jam në pritje që sapo ta marr këtë dokument do vij patjetër të vizitoj Shqipërinë, sepse më ka marrë malli.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.
Kujtim Shehu: Së pari ju falenderoj për ftesën në këtë emision të bukur që siç ka emrin Bio Folk, të tillë janë dhe të gjithë artistët që keni ftuar sepse unë i kam ndjekur dhe atistët e tjerë të ftuar dhe i përshëndes të gjithë kolegët e mi që kanë marrë pjesë. I ftoj dëgjuesit e radios të ndejkin Radio Ejani sepse aty çdo gjë është bio dhe jam i sigurtë që ju do të argëtoheni me emisionet e larmishme. Edhe njëhherë suksese dhe faleminderit për ftesën
Intervistoi: Gazmend Agaj