Këngëtarja Megi Laska e ka nisur muzikën që në moshë të vogël, kur u ngjitur për herë të parë në moshën 4 vjeçare në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë. Në vitin 2007 Megi Laska mori pjesë në spektaklin “Star Academy Albania 2” ku u seleksionua në finale e këtij spekakli. Ka disa pjesëmarrje në festival të ndryshme si “Top Fest”, “Netët e Klipit Shqiptar” dhe në Festivalin e Rtsh-së, ku përveçse ka interpretuar si soliste, ajo ka qenë edhe Back Vokaliste e tij. Pas afirmimit të saj me skenën, Megi Laska vendosi të konkurrojë në spektaklin “The Voice of Albania” në mënyrë publiku ta ndiqte atë në interpretimet live si dhe të pasuronte repertorin e saj muzikor.
Me këngën “Ti je djalli që më lëndon” të kënduar në gjuhën turke ajo përfaqësoi Shqipërinë në Edicionin e 5-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës në Turqisht, që u mbajt në Denizli të Turqisë në vitin 2014. Edhe pse profesioni i saj është ekonomiste, Megi nuk e ka lënë asnjëherë pasionin e madh që ka për muzikën, duke qenë përherë pranë publikut me interpretimet live.
E bija e artistes së njohur në Teatrin e Operas dhe Baletit sopranos Majlinda Laska, Megi duket se po i mban mjaft mirë në ekuilibrin e saj, profesionin, dashurinë për muzikën, si dhe përkushtimin për familjen dhe djalin e saj të vogël.
CMG: Mirë se erdhe Megi Laska në programin "Muzika shqip" !
Megi Laska: Faleminderit shumë për ftesën, është kënaqësi dhe vlerësim për ne artistët.
CMG: U bë vite që s’jemi takuar, në kohën kur ti ke qenë konkurente në Festivalin e Rtsh-së, gjithashtu edhe back- vokaliste në Festivalin e Rtsh-së. Pas gjithë këtyre viteve në skenë ti konkurove në talent show-n "The Voice". Përse?
Megi Laska: Sa i takon pjesëmarrjes në talent show-n "The Voice" unë e shihja si pjesë e minutazhit televiziv. Pavarësisht se ne marrim pjesë në festivale, njerëzit nuk e bëjnë diferencën e një këngëtari që këndon live dhe atyre që këndojnë me play- back, prandaj "The Voice" mu duk një mënyrë shumë e mirë për të riafirmuar veten time, sa i përket këndimit live dhe atë e pashë si një mundësi mjaft të mirë për treguar veten time me orkestër live si dhe për t’u rishfaqur para publikut.
CMG: Si ndjeheshe ti në atë konkurs talentesh të rinj të pa njohur si dhe përballë kolegëve të tu?
Megi Laska: Kjo ishte pjesa më interesante, sepse shumica e personave të cilët ishin mentorët e mi unë punoja me ta, madje ditën e parë më thanë; Pse ke ardhur?! Por kur unë i tregova arsyen time për të qenë në kontakt me skenën, për të performuar live, sigurisht që më dhanë të drejtë. Eksperienca ishte e bukur pavarësisht se ata e dinin kapacitetin tim, sërish mora dhe ide të tjera për t’u përmirësuar.
Ndërsa sa i takon këngëtarëve të rinj ata mësuan nga mua dhe unë nga ata sepse çdo këngëtar ka specifikat e veta, karakterin e vet, ka personalitetin e vet në mëmyrën se si këndon dhe bëjmë mirë të mësojmë nga njëri- tjetri.
CMG: Më bëri përshtypje që një artist i cili ka qenë solist në Teatrin e Operas dhe Baletit Gëzim Xhaxhaj, shkoi në një nga këto kompeticione dhe tha; “Kam ardhur në këtë kompeticion për t’i treguar të rinjve se si këndohet live”.
Megi Laska: Edhe nëpër botë ka patur raste kur këngëtarë të afirmuar të marrin pjesë nëpër kompeticione të ndryshme, qoftë për show, apo për rifreskim të imazhit.
CMG: Ka patur raste nëpër botë që konkurenti të jetë më i mirë se mentori i tij?
Megi Laska: Në mbarë botën ka patur mjaft raste kur mentorët nuk mund të quhen këngëtarë, por kanë arritur atë stad me anë të një marketingu shumë të fortë që të bën dikushi. Unë këta i quaj këngëtarë imazhi. Ata mund ta mësojnë një këngëtar se si të qëndrojë në skenë që të jetë edhe më i kompletuar.
CMG: Kthehemi pas në kohë, në vitin 2007 kur ti ke marrë pjesë në talent show-n "Star Akademi 2". Na trego pak për atë eksperiencë?
Megi Laska: Në atë kohë "Star Akademi" ishte një plus shumë i madh pasi në atë periudhë nuk kishte emisione të tilla dhe kjo qe një risi. Ishte koha kur shumica e shqiptarëve shihnin "Amici-n" në kanalet italiane dhe "Star Akademi" ishte një variant i ngjashëm me të. Ish një eksperiencë mjaft e bukur, ku mësonim materiale të reja, këndonim kolazhe, etj.
CMG: Çfarë fitove ti nga ai spektakël?
Megi Laska: Fitova më shumë siguri.
CMG: Ke qenë e kënaqur me vlerësimin?
Megi Laska: Njeriu nuk kënaqet asnjëherë. Unë aty fitova çmimin e tretë dhe atë të performancës. Pavarësisht se si mund të vlerësonte stafi aty, vlerësimi ishte nëpërmjet votave telefonike nga publiku, e njëjta mënyrë votimi ka qenë edhe në "The Voice" ku arrita të shkoja deri në gjysmëfinale.
CMG: Në "The Voice" mentorja jote Elsa Lila të ka thënë; "Nëse shkon në Amerikë do kesh sukses në zhanrin e muzical. Ke tentuar të dëgjosh këshillën e saj, që pas Turqisë me pjesëmarrjen tënde në Turqi të prekësh dhe Amerikën?
Megi Laska: Dëshira është e madhe për ne këngëtarët që të performojmë në skenat e botës, por mundësitë janë të vogla. Nuk kam tentuar se vetë jeta në Shqipëri të merr rrjedhë ndryshe gjithmonë. Angazhimi në shkollë pastaj familja, djali etj e bën të pamundur largimin tim jashtë vendit. Nuk është se pendohem për këtë gjë, por muzical mund të bëhen ndoshta edhe këtu në Shqipëri (Qesh).
CMG: Ti e ke prekur skenën në moshën 4 vjeçare, më pas në "Star Akademi" në moshën 17 vjeçare, pjesëmarrëse në festivale të ndryshme, në "The Voice" etj. Ti nuk ke studiuar muzikë, por kush ka punuar me ty?
Megi Laska: Muzikën e kam mësuar në mënyrë autodidakte sepse mamaja ime Majlinda Laska është këngëtare në Opera. Ky është një plus, që më bëri të rritem me muzikë që e vogël, plus dalja vazhdimisht në skena më mësoi, sidomos skena është shkolla më e mirë, ajo kryesore dhe mbi të gjitha live-t. Skena të mëdha apo të vogla sido që të jenë më kanë ndihmuar të këndoj për orë të tëra, por edhe për të mësuar teknika të ndryshme të këndimit që të mos e lodh zërin që në fillim të performancave dhe për të dhënë maksimumin tim te publiku. Pra shkolla më e mirë është ajo e praktikës.
CMG: Kur ke filluar të këndosh rregullisht live ?
Megi Laska: Që në moshën 16 vjeç, diku 14 vite më parë.
CMG: Emocioni më i bukur është kur këndon në netën live covera të ndryshme, apo kur ti këndon një këngë të re në një festival?
Megi Laska: Emocioni më i bukur është kur këndoj këngët e mia dhe publiku më shoqëron. Në konkurimet në festivale të mbyt një lloj stresi që nuk të lë ta shijosh skenën, pavarësisht që kur merr duartrokitjen e njerëzve është kënaqësi.
CMG: Kur mendon t’i rikthehesh konkurimeve në festivale?
Megi Laska: E kam menduar disa herë, por më duket se përherë bëhet edhe më e vështirë për të konkuruar në mënyrë të drejtë. Duke qenë se jam zhgënjyer disa herë, jam lodhur nga kjo situatë dhe e kam ndarë mëndjen që mos konkurroj më në nëpër festivale, por të punoj për këngë të reja dhe ti sjell me ndonjë videoklip ku të tregoj artin tim.
CMG: Kur mendon të sjellësh klipin tënd të rradhës?
Megi Laska: Dëshira është që nesër, por jam duke punuar disa materiale dhe mendoj që në fund të këtij viti të publikoj diçka.
CMG: Cili është zhanri yt i preferuar muzikor dhe në cilën gjuhë preferon të këndosh?
Megi Laska: Zhanri muzikor që më pëlqen më shumë është ai rrok dhe baladat, ndoshta ngaqë timbri im i zërit i tregon më shumë vlerat e mia vokale dhe them se aty shkëlqej. Sa i takon gjuhëve te huaja, unë e shoh më shumë veten te gjuha franceze. Jo vetëm për faktin që kam studiuar për frëngjisht, por muzika franceze më ka ndjekur që e vogël pasi ajo më jep një ndjesi shumë të bukur kur e dëgjoj, në shumë mënyra interpretimi. Mund edhe të flasësh duke kënduar në frëngjisht dhe prapë duket shumë bukur.
CMG: Ti sot punon si ekonomiste, përse zgjodhe këtë degë dhe jo muzikën?
Megi Laska: Zgjodha degën e ekonomikut dhe jo muzikën, duke parë vështirësitë me mamanë time në rrugën e artit, mendova të zgjidhja një profesion tjetër dhe pasionin tim mos ta lija asnjëherë dhe mendoj se bëra zgjedhjen e duhur. Ndoshta dhe mos stabiliteti në Shqipëri më bëri që të zgiidhja një degë që të ishte më afatgjatë.
CMG: Jemi në muajin Gusht dhe temperaturat vazhdojnë të jenë të larta. A ke pushuar këtë vit?
Megi Laska: Në përgjithësi nuk bëj pushime në verë sepse në këtë periudhë është fluksi i punës me live-t nëpër clube dhe resorte të ndryshme. Pushimet e mia janë 1-2 ditore dhe jo shumë të gjata.
CMG: Ti je një ekonomiste, një këngëtare e talentuar dhe një mama e përkushtuar. Si është t’i mbash këto të treja?
Megi Laska: Është e vështirë dhe një ngarkesë shumë e madhe. Çdo gjë do kohën e vet, sidomos fëmija që do përkushtimin e vet, por mundohem mos të lej mangut asgjë. Deri tani e kam përballuar me sukses (qesh).
CMG: Çfarë do shtoje së fundi për dëgjuesit tanë?
Megi Laska: Doja të shtoja që publiku shqiptar duhet të vazhdojë të mbështesë dhe të vlerësojë më shumë këngëtarët e rinj, të vlerësojë artistët e vërtetë, artin e tyre me vokal dhe jo vetëm me imazh si është bërë ditët e sotme.
CMG: Shumë suksese dhe uroj të arrish sa më lart!
Megi Laska: Shumë faleminderit dhe vazhdoni të bëni emisione kaq të bukura.
Intervistoi: Sava Lena