Aroilda Ibrahimi ka nisur të merret me muzikë që në moshë të vogël por në mënyrë profesionale ajo ka rreth dy vite, duke luajtur muzikë “live” dhe madje ka edhe grupin e saj muzikor.
Pavarësisht se ka talent në muzikë, Aroilda ka studiuar për menaxhim biznesi dhe aktualisht është në vitin e dytë Master, profili Marketing.
Së fundmi ajo ka publikuar këngën "Bab e bij".
CMG: Aroilda, kur i qëndroni përballë pasqyrës "Kush jeni ?”
Aroilda Ibrahimi : Ata që më njohin, më njohin më emrin Aroilda ndersa miqtë e ngushtë me Ilda. Para pasqyrës kam përshtypjen Ilda është një vajzë shumë ëndërrimtare, ka shumë pasione, por ka edhe shumë frikëra pavarësisht se mundohem t’i zbeh.
CMG: Le t’i zbulojmë cilat janë pasionet dhe frikërat?
Aroilda Ibrahimi :Paison unë kam muzikën. E dua shumë dhe më është bërë si gjaku që rrjedh në vena.
CMG : Cili ka qenë kontakti juaj i parë me muzikën?
Aroilda Ibrahimi : Ka qenë një audicion që kemi bërë në shkollë dhe një profesor vinte të na provonte, por unë në atë periudhë nuk kisha zë fare dhe nuk arrita që të bëja provën
Një nga frikërat e mia me të mëdha është se në fakt unë jam shumë e turpshme dhe kam pasur shumë pak besim në vete. Edhe tani kam ende siklet, por më pak se disa vite më parë.
CMG : Muzika ju ka ndihmuar ? Në cilin aspekt?
Aroilda Ibrahimi : Muzika me ka ndihmuar në disa aspekte, por mbi të gjitha që unë të mos kem më emocione.
Emocionet kanë qenë në çdo moment me mua, sidomos kur dilja para klasës (qesh)
CMG :Cfarë është një ditë perfekte për ju?
Aroilda Ibrahimi : Në fakt kohët e fundit mua ka nisur të më mungojë një ditë perfekte. U bë pak kohë që jam tepër e angazhuar dhe duket sikur s’kam kohë për asgjë.
Një ditë e tillë do ishte të isha me njerëzit e zemrës. Nëse do përmendja dikë që vërtet e bën ditën time perfekte, do ishte vëllai im. Ai më mungon tepër, pasi kam një lidhje shumë të ngushtë.
CMG: Kur i ke kënduar vetes për herë të fundit?
Aroilda Ibrahimi: Unë këndoj çdo ditë dhe jam shumë e lumtur. Përveç publikut i këndoj vetes shpesh. Kjo ndodh më së shumti kur kompozoj këngët e mija. Zgjedh që t'ia këndoj vetes fillimisht.
CMG : Sa për qind e vetes gjendet tek këngët tuaja?
Aroilda Ibrahimi : Unë përfshihem shumë, duke marrë parasysh faktin që i kompozoj ato me emocion dhe për njerëzit e dashur. Kështu edhe kënga “Babë e Bijë” që sapo ka ardhur në treg. Sa herë e këndoj këtë këngë mendoj që jam unë.
CMG: Ku e keni marrë frymëzimin për të shkruar dhe kënduar?
Aroilda Ibrahimi : Dua t’i tregoj njerëzve atë që ndiej dhe atë që mendoj. Ndaj erdhi kjo këngë dhe shumë këngë të tjera. Kënga e fundit ka tepër emocion dhe arritje, sepse unë dua t’i bëj prindërit e mi krenarë.
Sakrificat që ka bërë babai im për mua janë shumë të mëdha, ndaj mendoj që ai e meritoi këtë këngë.
CMG : Cili ka qenë komenti i parë që babi ka bërë, kur e dëgjoi këngën?
Aroilda Ibrahimi : Këngën ia kam treguar në ditëlindjen e tij, sepse ishte një dhuratë për atë ditë. Këngën ia vendosa në një ekran shumë të madh bashkë me njerëzit që ishin të pranishëm. Do doja t’i kisha thënë disa fjalë në fakt, por nuk munda. Nuk munda, sepse me mbytën emocionet e forta. Pasi e vendosa këngën ai nuk reagoi dhe gati- gati ishte mpirë, por ishte shumë i emocionuar. Më vonë ai u largua dhe e pamë që ishte në një cep duke qarë dhe duke e përjetuar. Këto ishin emocionet mbi këngën.
CMG : Si ka qenë marëdhënia juaj?
Aroilda Ibrahimi : Marëdhënia me familjen ka qenë shumë e fortë.
Ne jemi një familje që nuk bëjmë asnjë gjë pa njeri- tjetrin.
Ka pasur momente që kam qenë larg familjes dhe më kanë munguar shumë. Babai im punon gjatë dhe mungon shumë në familje.
CMG : Aroilda Ibrahimi, ju vetë i vendosni dot një titull gjithë rrugëtimit të jetës suaj?
Aroilda Ibrahimi : Pak e vështirë (qesh). Unë kam një jetë me shumë ëndrra dhe do luftoj shumë që t’i realizoj, sepse dua fort të mbahem mend për gjërat që realizoj.
CMG :Cila është aftësia që të mungon?
Aroilda Ibrahimi : Do doja shumë të lexoj mendjen e njerëzve (qesh)
Unë si natyrë jam një vajzë që kontrolloj gjithçka, madje edhe kohën e kafes. I dua gjërat shumë shpejt dhe mendoj se kjo gjë as më ka ndihmuar, as më ka prishur punë. Njeriu sa më shumë kërkon nga vetja, aq më mirë është.
CMG : Çfarë do doje të ndryshoje nga jeta?
Aroilda Ibrahimi : Ka shumë gjëra personale, por tek vetja do doja të mos isha e ndjeshme.Bota po ecën me hapa shumë të nxituar dhe nuk i pranon njerëzit kaq të ndjeshëm sa unë.
CMG :Ti nuk merresh vetëm me muzikë, apo jo?
Aroilda Ibrahimi: Unë jam gazetare, por gjithashtu bëj edhe menaxhim biznesi dhe projekte të jashtme marketingu apo edhe biznes familjar. Ndaj mund të them që bëj shumë përveç muzikës.
CMG :A jep shpesh këshilla?
Aroilda Ibrahimi : Jo shpesh por mund të them që, sa më shumë këshilla të japësh aq më keq është, sepse t’i marrin për keq.
CMG: Na ofron një këshillë për një të sapolindur?
Aroilda Ibrahimi : E kam menduar në fakt para disa ditësh se çfarë do t’i thoja vetes nëse do isha e vogël. Do t’i thoja " Mos nxito të rritesh!"
CMG : Këshillë për një adoleshent?
Aroilda Ibrahimi : Puno! Sa më i vogël të punosh, aq më mirë për ju.
CMG : Për një të sapodiplomuar?
Aroilda Ibrahimi : Mos mendoni që jeta pas shkollës është ashtu siç e prisni.
CMG : A i keni realizuar të gjitha synimet tuaja?
Aroilda Ibrahimi :Jo, por do vijoj të punoj fort për t’i arritur.
Intervistoi :Megi Latifi