Intervistë me kompozitorin Lambert Jorganxhi
Lambert Jorganxhi është autor këngësh, instrumentist dhe artist i njohur. Ai është një prej emrave të rinj, por mjaft të talentuar të muzikës shqiptare. Lamberti është një ndër ata artistë që guxon të sfidojë antivlerat në muzikë me talentin e tij, duke zbatuar me përpikmëri rregullat bazë të tij, të cilat janë; “të jesh vetvetja, dhe të mos abuzosh me notat”. Në karrierën e tij si kompozitor, ai numëron me dhjetra krijime që ka realizuar për këngëtarë të njohur të skenës apo dhe të rinj. Lamberti rrjedh nga një familje artistësh, babai i tij profesor Rikard Jorganxhi një dirigjent mjaft i njohur, ka qenë brezi parë i artistëve që kanë studiuar për muzikë në Moskë. Ndërsa halla e tij Rozmari Jorganxhi është dirigjentja e parë shqiptare si dhe këngëtare profesioniste në Teatrin “Giusepe Verdi” të Triestes, ku këndoi për 10 vjet. Zhuljana Jorganxhi, poete dhe autore e njohur e teksteve në Festivalet shqiptare është një tjetër pjestare artiste në familjen Jorgaxhi.
Lambert Jorganxhi në spektaklin -Me yjet flasim
Lamberti përfundoi studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” për piano dhe kreu studimet në Akademinë e Lartë të Arteve, në Degën e Kompozicionit. Menjëherë pas përfundimit të studimeve, ai fillon karrierën e tij si muzikant profesionist, ku ka marrë pjesë si kompozitor në festivale të ndryshme, si intrumentist në spektakle dhe programe televizive, si dhe ka realizuar 3 instrumentale të shoqëruara me videoklipe. Së fundi ai solli për publikun kryeqytetas koncertin "Me yjet flasim" në Amfiteatrin e Tiranës.
CMG: Përshëndetje Lambert! Mirë se erdhe në programin “Muzika shqip”!
Lambert Jorganxhi: Përshëndetje Sava! Faleminderit për ftesën!
CMG: Çfarë impresionesh të ka lënë angazhimi i fundit në koncertin “Me muzikën flasim”?
Lambert Jorganxhi: Koncerti ka qenë ide e ne të treve, Silvana Braçes, Ilir Çumanit dhe e imja. Donim që të sillnim për publikun muzikën e vërtetë , muzikën shqip. Dëshira lindi në fillim që të sillnim disa këngë hite edhe krijimtari të ditëve të reja, ku një këngëtar të këndonte një këngë të para viteve ’90 dhe një këngë të ditëve të sotme. Në fund koncerti rezultoi me sukses. Në spektaklin “Me muzikën flasim” morën pjesë këngëtarët; Kozma Dushi, Liljana Kondakçi, Rovena Dilo, Orgesa Zaimi, Altin Goci, Emi Bogdo dhe të ftuar specialë. E gjitha kjo u realizua në një kohë rekord për gati dy javë dhe për këtë gjej rastin të përshëndes dhe falenderoj të gjithë miqtë e mi të grupit, të cilët bënë një punë të madhe në një kohë të shkurtër. E gjitha u realizua live dhe mbi të gjitha ia vlejti sepse ne kemi një muzikë vlerash.
CMG: Çfarë publiku ju ndoqi përgjatë asaj mbrëmje dhe si ju priti?
Lambert Jorganxhi: Ndriçimi i skenës nuk më lejonte që të shihja mirë publikun, por aty kishte çdo lloj moshe duke filluar nga fëmijët dhe deri te brezi i tretë.
CMG: A ju shoqëroi publiku përgjatë interpretimit të këngëve të njohura?
Lambert Jorganxhi: Këngët më të njohura publiku i duartrokiti dhe i këndoi bashkë me artistët që ishin në skenë, madje u prit shumë mirë edhe këngëtari Kozma Dushi me këngën “Eja, o shoku ynë”.
Kur u mbyll koncerti, shumë njerëz nga publiku erdhën të na takonin dhe të bënin foto me ne. Kishte të rritur dhe fëmijë dhe padiskutim që u të gjithë ne ndjemë të vlerësuar.
Sava Lena & Lambert Jorganxhi
CMG: Ti për një kohë të gjatë ke punuar në programe të ndryshme televizive. Por ku merr ti më shumë sadisfaksion, në transmetimet televizive, në koncerte apo spektakle ku publikun e ke përballë?
Lambert Jorganxhi: Secila prej tyre ka të mirat e veta. Televizioni është një punë e përditshme, të jep shumë dorë për të ecur përpara nga ana e karrierës, ku do të veçoja programin “Top Arena”. Së bashku me mikun tim Edi Manushin sollëm një spektakël të suksesshëm, ku u bashkua sporti me artin dhe unë aty risolla rreth 10 orkestracione të filmave të njohur shqiptarë, të cilat më dhanë suksesin.
Pata fatin të luaja për këngëtarë të njohur si, Elhaida Dani e shumë artistë të tjerë të njohur, të cilët kanë interpretuar aty. Ndërsa në koncert një artist shpreh vlerat profesionale, ku jep më të mirën nga ana muzikore, por mendoj se një artist i mirë duhet t’i bëjë të gjitha.
CMG: Po ti ku ndjehesh më mirë?
Lambert Jorganxhi: Një njeri i zoti mund të bëjë pianistin, drejtuesin e grupit, muzikantin dhe orkestruesin. Unë jam pak nga të dyja, më pëlqejnë emisionet dhe koncertet, por ajo që preferoj më shumë është krijimtaria, që të realizoj këngë për artistë të ndryshëm. Zanati im i parë, instrumenti i parë që kam mësuar është piano dhe është si ajo dashuria e parë, është vetë jeta ime.
CMG: Ti ke lindur në një familje artistësh. Ka qenë e lehtë për ty apo e vështirë për të ecur në rrugën e artit?
Lambert Jorganxhi: Kur përmendet mbiemri Jorganxhi dihet që bëhet fjalë për një familje muzikantësh. Ky ka qenë një ndikim i mirë në formimin tim artistik, duke marrë parasysh edhe shkollën në Liceun Artistik, më pas në Akademinë e Arteve, jam munduar gjithmonë që të përfaqësoj veten, të dilja ndoshta nga ai kuadrati që mbiemrin e kam si pasaportë, që s’më njohin si Lambert.
Kjo nuk ka qenë e thjeshtë sepse e kam arritur çdo gjë me punë. Mendoj se një talent nëse ndodhet në momentin e duhur, në kohën e duhur, me kontaktet e duhura dhe të dijë mënyrën se si të depërtojë, patjetër që me punë ja arrin gjithmonë qëllimit. Sot që ne po flasim mendoj se i kam bërë disa gjëra vetë.
CMG: Ti ke realizuar disa orkestrale dhe njëra ndër to mban titullin “Melodi”, ku ti ke pasqyruar në videoklipin e saj foto të këngëtarëve ndër vite, si një homazh për atë plejadë artistësh. Mendon se në kohët e sotme nuk ka më melodi në këngët që dëgjojmë çdo ditë?
Lambert Jorganxhi: Pyetje e bukur! Mendoj se sot ka melodi, por muzika jonë ka vite që është në krizë. Gjithashtu jemi dhe në kultivim drejt vlerave ku shohim artistë si, Olen Çezari dhe Elhaida Dani, të cilët i kam miq dhe ata luajnë në skenat botërore. Gjithashtu edhe balerinë të suksesshëm që kanë ecur jashtë kufijve shqiptarë, ata janë formuar nga një muzikë e mirë, nga një muzikë vlerash. Gjithë këta artistë kur shkojnë në skenat ndërkombëtare përfaqësojnë veten e tyre që janë shqiptarë dhe dinë të bëjnë më së miri artin e tyre.
Dalim edhe një herë te medolia. Në kohët e sotme të gjithë kopjojnë njëri-tjetrin dhe asnjë nuk është vetvetja. Çdo artist po të japë më të mirën nga vetja patjetër që do kemi art. Dua të përmend këtu profesorët tanë, Agim Krajka, Aleksandër Lalo të cilët kanë bërë muzikë të vërtetë shqip. Në kohët e sotme tek ne mungon muzika shqiptare. Ne kemi kantautorë shumë të mirë, këngëtarë gjithashtu, por duhet të bëhet një muzikë më e mirë.
Bota mund të sjellë një muzikë, por e sjell në një mënyrë inteligjente, fisnike. Përshembull krijuesi i këngëve të këngëtares së famshme Adele, apo Laura Pausinit ata kur krijojnë marrin melos. Krijuesit sot nëse do mund të merrnin melos në këngët e tyre, atëherë muzika do të ecte më përpara dhe do të kishte vërtetë melodi.
CMG: Lambert, këto instrumentale do vazhdojnë të jenë përherë të tilla, apo do t’i shtosh më vonë tekstin për t’i sjellë edhe si këngë?
Lambert Jorganxhi: Instrumentalet si “Dielli”, “Ristart” dhe “Melodia” i kam konceptuar të tilla, vetëm si instrumentale dhe bashkë me dy miqtë e mi, violinistin Ergi Papadhimitri dhe kitaristin Ervin Telo kemi menduar t’i sjellim në frymën e një albumi.
CMG: Më vjen mirë që po realizon këtë album vetëm me instrumentale sepse janë të paktë kompozitorët që kanë sjellë albume të tilla. Dhe pse jo, uroj të kesh suksesin e kompozitorëve të famshëm botërorë si, Mozart, Beethoven etj.
Lambert Jorganxhi: Më vjen mirë që kam arritur të krijoj një stil ndryshe tek instrumentalet e mia, ku të gjitha pjesët që kam realizuar unë do t’i sjell në muajin shtator në një koncert akustik. Kemi një projekt bashkë me grupin tim që të sjellim një koncert instrumental, por mund të ketë të ftuar edhe nga miqtë tanë artistë. Këto instrumentale do vijnë si një abum, ku aty flet pianoja, violina, kitara. E kam strukturuar koncertin në anën e virtuozëve dhe do të vijë për publikun në muajin shtator.
Lambert Jorganxhi & Elhaida Dani në programin Top Arena
CMG: Në vazhdim përkushtimi yt do jetë vetëm te instrumentalet apo do të shohim të realizosh edhe këngë për këngërtarë të ndryshëm, apo pjesëmarrje në festivale?
Lambert Jorganxhi: Kohët e fundit kam qenë i angazhuar me koncerte të ndryshme, spektakle televizive dhe e kam patur të pamundur për të realizua këngë për festivale. Mendoj që në festivalin e Rtsh-së të prezantoj një këngë, pavarësisht se festivali nuk bën hite, por nëse gjërat do të shkonin më mirë nga ana e marketingut, mendoj se gjithçka do ishte më mirë.
CMG: Ndërsa një pjesë e mirë e artistëve nuk kanë punuar gjatë kohës së pandemisë, ndërsa ti ke qenë mjaft i ngarkuar me punë, madje në atë periudhë solle instrumentalen e titulluar “Ristart”, të shoqëruar me videoklip, dedikuar kësaj tematike.
Lambert Jorganxhi: Pandemia i bllokoi të gjithë aktivitetet dhe artistët të cilët kishin kontakt të drejtë me publikun. Ishte një shtysë e imja që më ngacmoi që të dilnim, të shihnim diellin, të merrnim ajër. Fola me miqtë e mi për idenë që kisha dhe këto instrumentale erdhën në kohën e duhur, në mënyrën e duhur. Kështu sollëm instrumentalen “Ristart” ku dhamë njëkohësisht edhe një mesazh për publikun se “muzika shëron më shumë se një vaksinë, muzika shëron shpirtin”. Kështu e realizuam për 3-4 ditë idenë që unë kisha, më pas regjistruam tek një hotel në Tiranë gjithë pjesën e videos bashkë me balerinët, ku doli në fund diçka shumë e bukur.
CMG: A je natyrë që kënaqesh me pak, apo je gjithmonë në kërkim të perfeksionit?
Lambert Jorganxhi: E mira nuk ka fund, por unë jam natyrë që asnjëherë nuk kënaqem me materialet që bëj, kërkoj përherë e më shumë nga vetja, nga të tjetërt, jam me parimin që kur i hyj diçkaje e çoj deri në fund. Një talent suksesin e tij duhet ta arrijë vetëm me punë, në mënyrë që të lerë një gjurmë, që kjo muzikë është e mirë, kjo muzikë po dëgjohet prandaj njeriu duhet të kërkojë më të mirën e vetes.
CMG: Artisti shqiptar profesor. Rikard Jorganxhi, vazhdon ende të krijojë muzikë. Ti po i sjell këto materiale në bashkëpunim me babain tend dhe ku ka më bukur se një bashkim brezash. A do kesh bashkëpunime edhe në vazhdim me babain tënd?
Lambert Jorganxhi: Im atë është A-ja, është ai i cili më ka mësuar muzikën pa hile. Ka qenë profesori im i pare, i cili më ka mësuar pianon që në moshën 5 vjeçare. Më vjen mirë që ai vazhdon ende të shkruajë muzikë, ka qenë nga brezi i parë që ka studiuar në Moskë bashkë me Pirro Manin dhe gjithë atë brezin e artë të artistëve shqiptarë. Me babin mund të bëjmë diçka shumë të bukur nga muaji dhjetor për festën e Krishtlindjes, ku do përfshijmë në koncert shumë romanca që ai i ka bërë kohët e fundit. Ka një material mjaft të mirë me Kastriot Tushën, një me Armando Kllogjerin, tenori i parë në Opera. Shpresoj që të vazhdojmë përpara sepse ai është ende djalë i ri dhe bashkë ne do bëjmë gjëra shumë të bukura.
CMG: Të mirëpres sërish për t’i prezantuar të rejat e tua në programin “Muzika shqip” në Radio Ejani. Shumë suksese!
Lambert Jorganxhi: Ju përshëndes të gjithëve! Faleminderit!
Intervistoi: Sava Lena