Se Shqipëria është një vend shumë i bukur turistik për tu vizituar, këtë e dëshmon numri në rritje i turistëve dhe jehona në median botërore. Destinacione historike dhe të natyrës, të malit apo të detit, zënë gjithnjë e më shumë vend në listën e dëshirave për tu vizituar dhe parë. Por kur një yll si Dua Lipa, kalon pushimet në Shqipëri dhe para largimit, deklaron se nuk dëshiron të largohet më kurrë nga ky vend, atëherë ne, ndonëse jemi të vetëdijshëm për bukuritë mahnitëse që ofron vendi ynë, bëhemi kureshtarë për të mësuar se cilët ishin vendet ku ajo ndaloi. Prandaj ne do të propozojmë si destinacion pushimesh, pikërisht turin turistik që ylli i popit bëri në Shqipëri.
Ju ftojmë që ta konsideroni turin e Dua Lipas, si një tur pikant, që nuk duhet ta humbni. Nëse keni afërsisht rreth një javë kohë në dispozicion, nga ky tur do të merrni ca pilula pikante me histori lashtësie, trimërie, diell të fortë mesdhetar, peshk të freskët jugu dhe det të bukur, të pastër si kristal.
Pika e parë e kontaktit me Shqipërinë është Aeroporti Nënë Tereza në Tiranë, aeroporti kryesor në vend.
Rruga më e shpejtë për të mbërritur nga aeroporti drejt qendrës së Tiranës është me taksi, e cila ofrohet edhe në të gjithë qytetet e Shqipërisë apo zonat e banuara. Udhëtimi nga Tirana International Airport për në qëndrën e Tiranës zgjat 20-25 minuta, në varësi të trafikut dhe kushton 2500 LEK ose (20 EUR) për rrugë (një drejtim).
Mund ta merrni taksinë më vete, ose ta ndani me të tjerë, mund ta merrni në moment, ose ta prenotoni on line, mjafton që të hyni në faqen online të Aeroportit. Shërbimi ofrohet 24 orë pa ndërprerje në çdo ditë të javës.
Por nëse doni, që makinën ta keni pas vetes gjithë kohës në dispozicion, atëherë më e mira është të merrni një makinë me qera, në një nga zyrat e dedikuara që e ofrojnë këtë shërbim. Në dalje të aeroportit gjenden mjaft prej tyre, por mund të gjeni edhe një listë on line në faqen zyrtare të aeroportit dhe të bëni zgjedhjet tuaja duke krahasuar çmimet e tyre.
Tani që e siguruat mjetin, jeni gati për të ndjekur guidën. Nisuni drejt Krujës, qyteti që ju frymëzon me histori. Një qytet shumë i hershëm me një kështjellë që u bë qendër e epopesë shqiptare të shekullit XV kundër osmanëve dhe e njohur në gjithë Evropën.
Këtu Dua Lipa vizitoi Muzeun Historik Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ndërtesa ka karakterin e një memoriali dhe hapet me një grup skulpturor që paraqet Gjergj Kastriotin në mes të popullit. Ky muze është një ndër vendet më të njohura dhe më të vizituar nga turistët.
Muzetë e Krujës, gjatë muajit korrik 2021 u vizituan nga rreth 8500 vizitorë, ku ndër ta ishte edhe Dua Lipa me familjen dhe të dashurin e saj. Ajo pozoi përpara statujës së heroit duke bërë edhe simbolin e shqiponjës.
Më tej, guida vazhdon drejt jugut, ku Joni ju fton drejt detit. Mund të ndaloni në Vlorë për një pauzë dreke sikundër bëri Dua Lipa, por ndalesa kryesore do të jetë në Dhërmi, një nga zonat më të bukura në bregdetin shqiptar.
Këtu të magjeps deti, por edhe fshati i vjetër, që është i ndërtuar mbi një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit. Natyra është e pasur me asete të shumta, si prania e afërt e malit të Llogarasë, zbritjet në det, plazhi i gjerë zallor, parcelat me ullishte, agrume, fruta dhe bimësi të tjera. Është një kombinim i veçantë det-mal.
Fshati përbëhet nga tre lagje: Kondraqa, apo Kallami, që është lagjja e parë për ata që vijnë nga Llogaraja, vijuar nga Gjileku dhe Dhërmiu -lagjja e tretë dhe më e madhja, që i ka dhënë edhe emrin fshatit.
Dhërmiu është një fshat karakteristik i jugut, pasi ndodhet përafërisht në mes të kodrës, dhe ndërpritet prej rrugës nacionale.
Fshatit shquhet për praninë e 30 kishave monument kulture të kategorisë së parë, të cilat janë restauruar dhe janë shndërruar në atraksione turistike mjaft të pëlqyera. Shfytëzojeni edhe ju mundësinë për ti vizituar ato si dhe bëni sa më shumë fotografi të një peizazhit që magjeps.
Plazh mund të bëni në një nga plazhet e Dhërmiut, por ne do të ndalojmë sikundër Dua Lipa në resortin Drymades Inn.
Në Drymades Inn dizajni dhe linjat ndjekin natyrën duke u bërë njësh me të. Pishina të ndjek dhe nuk do të arrini dot të bëni dallimin se ku mbaron pishina dhe ku deti fillon. Tridhjetë dhomat e mysafirëve janë të vendosura në vila druri të mrekullueshme, të zhytura nën hijen e ullinjve. Një oaz i vërtetë paqeje pranë plazhit.
Më tej ju ftojmë të darkoni në restorantin “Zoe Hora”, një hotel restorant i hapur së fundmi, në fshatin karakteristik 600-vjeçar të Dhërmiut, në një nga pikat më panoramike të tij, në kodër. Një hotel luksoz, me një pishinë që duket si e pafundme, që ka një pamje fantastike mbi det. Dhomat akomoduese janë me pamje nga fshati i vjetër, ndërsa hoteli gjendet vetëm 5 minuta larg nga plazhi.
Etapat e udhëtimit vijojnë drejt Sarandës, ku do të ndalojmë në Butrint dhe në Ksamil, dy pika ku ka bërë check- in, ylli që sot po ndjekim gjurmët e saj.
Ksamili quhet ndryshe "margaritari i Jonit" për shkak të bukurisë së tij.
Ksamili ndodhet në një mjedis spektakolar, në një gji, ka katër ishuj të vegjël përkarshi, drejt të cilëve mund të shkohet me not, ose me varka. Të mbushura me bimë dhe zogj, të gjithë ishujt ofrojnë plazhe natyrore, ngjyrë bruz, ku mund të shijoni diellin dhe detin, të shikoni zogjtë dhe të zhyteni.
Dua Lipa zgjodhi të qëndronte në Kep Merli, në një nga vilat luksoze që ky resort ofron, prej nga ku shijoi mrekullitë e plazhit, pishinës dhe natyrës së Jonit. Nga aty ajo ka postuar një mori fotosh të mrekullueshme që kanë zgjuar vëmendjen e ndjekësve të saj.
Nga Ksamili, e keni shumë të lehtë, të vizitoni Butrintin, një atraksion që kurrsesi nuk duhet humbur. Nuk ka ide më të mirë sesa të alternoni pushimet e detit me turet kulturore në Butrint.
Parku Arkeologjik i Butrintit, është më i rëndësishmi në Shqipëri.
Butrinti është një qytet antik në rrënoja të ruajtura mirë që bën pjesë në listën e vendeve të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Në Butrint, ju mund të shihni një amfiteatër të vjetër, rrënojat e një manastiri, të kullave të vrojtimit, mureve mbrojtës, banjove publike, etj.
Ju duhet të planifikoni rreth tre orë për të vizituar Parkun. Gjatë vizitës, do ju ndihmojë guidat që janë në shqip dhe anglisht, ndërkohë që mund të bëni foto gjatë gjithë vizitës suaj, pasi ato nuk janë të ndaluara. Dua Lipa realizoi në Butrint një set të mrekullueshëm fotosh dhe në më pak se një orë ajo ka marrë mbi 1 milion pëlqime nga ndjekësit e saj. Gjatë vizitës në Butrint ajo ngjante si mbretëresha e qytetit antik.
Bashkëngjitur fotove, këngëtarja me famë botërore shkruan: “E bukura Shqipëri”.
E nëse Dua Lipa shëtiti me jaht një pjesë të bregut dhe u mahnit me bukuritë e tij, ju mund të shfrytëzoni një nga turet me anije, që nuk kanë ndonjë kosto të madhe, për të cilët kemi folur edhe më parë.
Sigurisht që nuk kemi as famën dhe as paratë e Dua Lipës, për të shijuar të gjithë luksin që ajo mundet, por kemi një guidë vendesh dhe gjërash për tu parë, që në mos yll, na bëjnë të ndihemi mirë, kur mendojmë se jemi kaq pranë atyre gjërave që ylli shqiptar i popit, e njohur në të gjithë botën, shijoi dhe reklamoi, duke nxitur për Shqipërinë kureshtje dhe dëshirë.