Këngëtari Egzon Pireci hapat e tij të para në muzikë i hodhi bashkë me këngëtarin e mirënjohur Hekuran Krasniqin. Ai gjithashtu u bë i njohur edhe me pjesmarrjen në talent show-in shqiptar “The Voice of Albania”, ku arriti deri në gjysmëfinale. Në Maj të vitit 2013, Egzon Pireci mori pjesë në Top Fest 10 me këngën "Pse të doja". Më pas ai publikoi videoklipin e këngës "Forever", në duet me këngëtaren Rozana Radi, ku me këtë këngë morën pjesë në “Netët E Klipit Shqiptar”.
Ka pak kohë që ai ka sjellë një album muzikor jo me këngë të reja siç jemi mësuar, por me 13 këngë që janë covera të njohura të kënduar më parë nga këngëtarë shqiptarë si këngë të Flori Mumajesit, Elvana Gjatës, Vesa Lumës etj, por të ripërpunuara dhe kënduara në versionin e tij. Ndërsa kënga e fundit është një këngë e re e Egzon Pirecit. Ai gjithashtu po punon për të sjellë një tjetër album të dytë me covera, duke parë suksesin e të parit. Gjatë këtij sezoni veror ai ka sjellë këngën e tij më të rë që mban titullin “Sa keq pa ty”.
Egzon Pireci
CMG: Tungjatjeta Egzon! Mirë se erdhe në programin “Muzika shqip”!
Egzon Pireci: Përshëndetje Sava! Mirë se ju gjej! Është kënaqësi!
CMG: Gjatë këtij sezoni veror ti ke sjellë për publikun këngën tënde më të re me titull “Sa keq pa ty”. Do na tregosh pak për realizimin e këtij material të ri?
Egzon Pireci: Po, është e vërtetë. Kohët e fundit e kam publikuar projektin tim muzikor “Sa keq pa ty”, një këngë e ndjeshme, që ka rezultuar e suksesshme pasi është pritur mjaft mirë në të gjitha performancat e mia muzikore. Për këtë falenderoj gjithë bashkëpunëtorët e këngës sime, si dhe të gjithë ata që i kanë dhënë shpirt këtij projekti muzikor.
Egzon Pireci gjatë xhirimeve të videoklipit- Sa keq pa ty
CMG: Ti këndon:“Shumë monotoni, pa ty me jetu, ti e din sa të kam dashuru. Më mungon, e vetmia po më mbyt, më shkatërron dhe nata kur mbyll sytë. Ti m’ke lënë, e unë prapë të du”… Është kjo një histori e jotja reale?
Egzon Pireci: Nuk ka ndonjë dedikim apo histori personale kjo këngë, thjesht është një akumulim ndjenjash, histori të dëgjuara, inspirim nga këngë të ndryshme apo filma që kam parë e ndodhi që kam dëgjuar. Nuk ka absolutisht asgjë personale.
CMG:Ty personalisht të ka lënë dikush që ti e ke dashur ende, apo e do?
Egzon Pireci: Fatmirësisht apo fatkeqësisht askush nuk më ka lënë dhe as nuk besoj se kam lënë. Në jetën time personale, nëse ka ndodhur ndarja ka ndodhur nga dëshira e përbashkët. Thjesht dashuria mes të dyve është konsumuar dhe kemi vendosur që të jemi të lirë.
CMG: Ti ke qënë ndër finalistët në talent show-t “The Voice of Albania”. Për çfarë je vlerësuar më shumë në atë spektakël?
Egzon Pireci në skenë
Egzon Pireci: Po është e vërtetë që kam qenë një ndër finalistët e “The Voice of Albania 2” dhe jam vlerësuar shumë për interpretimin që kam patur, për mënyrën e të kënduarit, performancat e mia artistike në skenë, materialet të cilat i kam zgjedhur apo i kam prezantuar para publikut dhe përpara jurisë. Besoj se ky është vlerësimi më i madh dhe më i mirë. Kur publiku të jep dritën e gjelbër, je i aftë, je personi kompetentë ku ke mundësi të transmetosh më shumë shpirtin artistik, i tregon anën tënde më të mirë publikut.
CMG: Më pas ti more pjesë dhe në festivalin e RTSH-së me këngën “Triumf” . Si ishte ajo eksperincë për ty dhe a do i riktheheshe?
Egzon Pireci: Në Festivalin e RTSH-së profesionalisht ishte një nga eksperiencat e mia shumë të mira, por jo diçka që më la shije për ta provuar përsëri.
CMG: Bashkëpunimi me këngëtaren Rozana Radi ka qenë menjëherë pas atij suksesi. Çfarë fitove ti nga këto eksperienca?
Rozana Radi & Egzon Pireci
Egzon Pireci: Dueti me Rozana Radin ka qenë një duet i arrirë. Jemi kombinuar dy zëra, dy artistë që gjetëm njëri-tjetrin, pasi ka shumë rëndësi kimija në bashkëpunime. Në jetë nuk kam patur shumë bashkëpunime, ky me Rozanën dhe Hekuran Krasniqin. Bashkëpunimi me Rozanën ka ardhur pas përfundimit të konkurimit tim në “The Voice” dhe kjo ishte një eksperiencë shumë e bukur.
CMG: Ti ke realizuar një album muzikor, por ndryshe nga artistë të tjerë e ke sjellë atë me këngë cover-a të këngëtarëve shqiptarë dhe jo materiale të reja. Përse kjo zgjedhje?
Egzon Pireci: Po, e kam realizuar një album me 14 balada dhe vetëm kënga e fundit “Me vetminë” është një këngë e re e imja autoriale, teksin e së cilës e kam realizuar vetë dhe me realizimi i këngës është bërë nga Kushtrim Hajrullahu. Ky është një albumi i ndjerë, këngët që kanë kënduar më parë artistë të ndryshëm, këtë herë vijmë në një orkestim tjetër dhe është pritur jashtëzakonisht shumë mirë nga publiku, madje ne kemi një shprehje: “Ja kam parë hajrin”. Pas këtij albumi më është shtuar puna, koncertet dhe personalisht kam mbetur shumë i kënaqur. Ndërkohë jemi në përgatitje për një album tjetër të njejtë, që shpresoj do të realizohet shumë shpejt. Shpresoj të ketë të njëjtën pritshmëri dhe nga publiku.
Egzoni
CMG: Ti i këndon mjaft bukur baladat, gjithashtu dhe këngët e fuqishme rrok. Cili është zhanri muzikor që ty të bën të ndjehesh më mirë?
Egzon Pireci: Unë këndoj balada, rrok, muzikë popullore të Shqipërisë së mesme nëpër dasma dhe mundohem të sjell stile të larmishme të këngës shqiptare dhe ato të huaja, por shpirti im fle më shumë te kënga rrok, pop-rrok, pasi jam rritur me këtë muzikë, me artistë të mëdhenj të kalibrit botëror si Stevie Wonder, Sting, Robbie Williams e shumë artistë të tjerë, të cilët sinqerisht më kanë frymëzuar gjatë jetës time. Gjithashtu doja të theksoja dhe një artist tjetër, i cili ka qenë një shtyllë e fuqishme e stilit tim artistik që është i ndjeri, Chester Bennington i grupit Linkin Park. Tani jemi në kohën që duhet ta materializojmë profesionin. Në trevat shqiptare është e vështirë për të mbajtur stilin pop-rrok, por shpirti im fle aty.
CMG: Meqënëse jemi në stinën e verës. Ku ke pushuar ti këtë verë?
Egzon Pireci: Kam bërë pak pushime jo shumë, kam qenë katër ditë në në Ulqin të Malit të Zi. Për shkak të agjendës time të ngarkuar këtë verë nuk kam patur mundësi të pushoja shumë, pasi kam koncerte dhe këndoj nëpër clube të ndryshme në Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë etj, por besoj se nga fundi i sezonit veror në muajin shtator, së bashku me shoqërinë time do shkojmë në jug të Shqipërisë, në plazhin e Dhërmiut ose në Sarandë.
CMG: Cili është vendi yt i preferuar për të shkuar me pushime dhe që s’e ke prekur ende?
Egzon Pireci: Nuk kam ndonjë vend të ëndrrave që më vjen ndërmend tani. Më pëlqen gjithmonë që udhëtimet t’i kem spontane, ndonjë vend që ende nuk e kam vizituar, por mjafton të jetë vend i bukur dhe me njerëz të mirë, kaq mjafton.
Sava Lena & Egzon Pireci
CMG: Faleminderit që ishe në programin “Muzika shqip”! Suksese Egzon!
Egzon Pireci: Faleminderit ty Sava, për mundësinë! Falemiderit gjithashtu dëgjuesve të programit “Muzika shqip”, ishte vërtetë kënaqësi. Ju uroj suksese dhe mirë u takofshim përsëri!
Intervistoi: Sava LENA