Artistja shqiptare Hersiana Matmuja ka sjellë për publikun, perlën lumjane, kënduar më parë nga legjenda e rapsodisë shqiptare, Rexhep Kovaçi. Një version ky që përcjell mjaft emocion nga fillimi deri në tingullin e fundit. Hersi Matmuja është rikthyer në vëmendjen e publikut shqiptar me këtë material, duke i shtuar vlerat muzikës shqiptare, por pa e humbur origjinalitetin e këngës. Ajo e ka sjellë këtë material muzikor “Kënga e Çobanit” me një ripërpunim të shoqëruar edhe me videoklip. Për mediat ajo është shprehur se; “Videoklipi është xhiruar në Kukës jo vetëm për faktin se kënga është lumjane, por ajo dëshiron që të promovojë dhe bukuritë natyrore të zonës. Veshja e Lumës të jep ndjesinë sikur futesh në rol, sikur ndjen të gjithë njerëzit që e kanë mbajtur duke ecur nëpër gurë me këtë veshje. Çdo gjë është bërë njësh me natyrën. Doja t’i bëja homazh dhe bukurive të natyrës së Kukësit“ janë këto fjalët e artistes që ka shprehur në intervista dhënë në media të ndryshme në Shqipëri.
Hersi gjithashtu ka treguar dhe për planet në vazhdim. Së pari, do të organizojë një festival në Kukës, nga ku dhe ka prejardhjen. Festivali do të mbajë titullin “Gjallica International Festival”, i cili ka për qëllim për të promovuar kulturën dhe traditat shqiptare, gjithashtu në planet e saj të ardhshme është dëshira që të realizojë një album muzikor me këto perla të muzikës shqiptare.