Këngëtarja me famë ndërkombëtare me origjinë shqiptare, Ava Max ka publikuar së fundmi videoklipin e këngës “Every Time I Cry”. Klipi vjen me shumë elemente mistike, duke iu përshtatur kështu baladës, titulli i së cilës në shqip do të thotë “ Sa herë unë qaj”. Kënga është kompozuar dhe shkruar nga Caroline Pennell, Lauren Aquilina, Sean Myer, Henry Walter dhe vet Ava Max.
Ava Max është emri i artit i këngëtares me origjinë shqiptare sepse emri i saj i vërtetë është Amanda Koçi. Ajo vazhdon të jetë mjaft aktive në muzikë, ndëras po shijon suksesin e albumit të saj muzikor të fundit, “Heaven and Hell”. Ky album u ngjit shumë shpejt në majat e klasifikimit në top listat ndërkombëtare, ndërsa ishte albumi i tretë më i dëgjuar i vitit 2020 nga një artiste femër në Spotify. Ava është shprehur sa i takon albumit se; “Bëhet fjalë për tensionin mes së mirës dhe të keqes, të drejtës dhe së gabuarës, mes po-së dhe jo-së. Unë mendoj se të gjithë e ndiejmë atë tension çdo ditë në mënyrën se si veprojmë, atë që themi dhe veprimet që zgjedhim, është një nga ballafaqimet më të mëdha të jetës”, ka deklaruar këngëtarja.