Foto: VCG
Është vlerësuar rreth 374 milionë euro shuma në dispozicion për të përfunduar katedralen “Sagrada Familia”, në Barcelonë, kryevepra e Antonio Gaudí, e nisur në vitin 1882 dhe që kurrë s’ka mbaruar. Lajmi u bë i ditur nga gazeta spanjolle “El País”, bazuar në një dokument të komunës së Barcelonës, ku është vendosur buxheti i duhur për të përfunduar punimet.
Plani u paraqit për të marrë lejen e ndërtimit për “Sagrada Familia” te fondacioni kanonik privat përgjegjës për vendet e ndërtimit, që nuk ishte dhënë asnjëherë zyrtarisht në 137 vitet e mëparshme. Në atë kohë mendohej se do të ishte e mundur t'i përfundonin punimet në vitin 2026, një qëllim i shpallur i paarritshëm në shtator 2020, pas fillimit të pandemisë Covid.
Sipas një artikulli të “La Vanguardia”, përcjellë nga “Ansa”, pjesa më e madhe e punimeve nuk do të jetë në gjendje të rifillojë para vitit 2024, për shkak të reduktimit drastik të të ardhurave nga numri tepër në ulje i vizitave turistike, prej marsit 2020 e deri tani. Parashikimi aktual është që vitin e ardhshëm numri i turistëve që vizitojnë “Sagrada Familia” të arrijë 50% të atij të vitit 2019, kur ishin rreth 12.000 në ditë. (Elona)