Fundjavën që lamë pas këngëtarja e famshme ndërkombëtare Dua Lipa vizitoi Shqipërinë me familjen dhe të dashurin e saj.
Në një konferencë për mediat të mbajtur në Tiranë ajo theksoi se ka menduar të bëjë një këngë autentike shqiptare. Ylli i muzikës “pop” u shpreh mirënjohëse ndaj mbështetjes që i japin shqiptarët kudo nëpër botë, ndërsa premtoi surpriza në festivalin “Sunny Hill”. Ndërsa vizitoi kopështin që po ndërtohet me kontributin e saj financiar, pas dëmtimit nga tërmeti ajo u shpreh: “Mburrem shumë që e kam mundësinë të jem këtu sot, të ndihmoj në çfarëdo lloj mënyre të mundem jo vetëm me këtë kopësht edhe më tej. Për një komunitet që më ka dhënë shumë, për krejt shqiptarët përreth botës që më kanë suportuar dhe kjo është një mënyrë e vogël çfarë mund të bëj, kështu që shumë faleminderit për suportin!”. Dua Lipa shtoi se e ka në plan të realizojë një “cover” të një kënge të vjetër shqiptare e të bashkojë diçka që është edhe moderne e ta publikojë në mënyrë që ta dëgjojnë shumë njerëz. Dua Lipa vazhdon qëndrimin e saj në Shqipëri duke vizituar vende të ndryshme, ku së fundi ka postuar fotot e saj duke pushuar në bregdet. Gjithashtu premtoi se do jetë në Festivalin “Sunny Hill” i cili do mbahet në Kosovë dhe të gjitha të ardhurat nga ky festival do të shkojnë për festivale alternative, si dhe për bamirësi. Ajo theksoi se do ketë patjetër një koncert të sajin në Tiranë, por data është ende surprizë.
Edicioni i 5-të i Za fest
Za Fest në edicionin e pestë! Nis në Shirokë dhe vijon në disa lokalitete në Shkodër .
Za Fest ka brenda shumë estetika të artit, poezinë, këngën, filmin, teatrin si dhe baletin kontemporan. Za Fest do t’i zhvillojë aktivitetet e tij në veri të Shqipërisë, Në një konferrencë për shtyp, artisti i cili e sjell për herën e pestë këtë event, që është dhe drejtori artistik i Za Fest Vlashent Shata u prezantua me artistët, Josif Gjipali, Arben Bajraktari dhe Gentian Doda. Za Fest mbahet këtë vit në Shkodër, në datat 29,30,31 korrik. Të ftuar specialë do të jenë Shpat Deda, Josif GJipali, Gjon’s Tears me grupin e tij dhe artiste të tjerë.
Linda Halimi publikon “Amin”
Linda Halimi ka publikuar së fundi këngën e saj më të re me titull “Amin”. Linda Halimi, apo siç njihet me emrin artistik si Lindita, ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor në gjuhën shqipe dhe me ritme verore.
Kënga është punuar nga producentët Fatjon Miftari dhe BLVCK, ndërsa tekstin e ka shkruar vetë këngëtarja.
“Amin” vjen edhe me një videoklip mjaft veror, në të cilin këngëtarja shqiptare shfaqet në disa skena ku nuk ka hezituar të ekspozojë linjat e saj trupore me veshje të ndryshme provokuese.
Kjo këngë vjen pas suksesit të këngëtares me baladën e saj “Pa t’pa” me të cilën u prezantua në festivalin “Kënga Magjike 2021”.
Përgatiti Sava Lena