Grupi arbëresh Peppa Marriti Band”me protagonist Angelo Conte i ka fillesat në fillim të viteve 90-të. Është grupi i parë muzikor që kombinoi rrokun, duke ndërlidhur muzikën amerikane me traditën muzikore dhe kulturore arbëreshe. Kanë pjesëmarrje të shumta në festivale të rëndësishëm si “Arezzo Wave”, “Invasioni, Adriatico-Mediterraneo”, “Festa della Musica”, “Suns Contest” 2009 dhe 2013, “Bunker-Fest” Pezë, Tiranë, Java Kulturore Arbëreshe në Shkup të Maqedonisë, Pallati i Brigadave në Tiranë, etj.
Ata kanë publikuar tre albume muzikore si; “Rockarbëresh”, “Këndò!” e “Ajëret”. Këngët e tyre janë transmetuar në Radio 1 në Itali, Radio Tirana në Shqipëri etj. Ata kanë qenë të ftuar në programe televizive në Shqipëri dhe në Itali si dhe në festivale dhe koncerte të ndryshme. Iniciatorët e grupit që në fillesa kanë qenë; Angelo Conte, Luigi Fabbricatore e Francesco Canadè. Më pas ju bashkuan grupit artistët Pino Murano (violinist dhe fizarmonikë ) si dhe Rita Guido. Në vitin 1991 ata publikuan albumin e parë. Edhe pse vitet ecin ata vazhdojnë ta ruajnë me fanatizën nga të parët gjuhën arbëreshe. Në muajin Kkorrik ata ishin të ftuar në një koncert të mbajtur në Përmet dhe një tjetër në Gjirokastër. Grupi sot përbëhet nga Angelo Conte – Vokali kryesor dhe kitara akustike; Antonio Castrovillari - Kitarë elektrike ; Pino Murano – Violinë; Enzo Astone – Bateri; Demetrio Corino – Kitarë Bass & dhe zëri shoqërues.
Por përse grupi ka këtë emër?! Emri i grupit përkon me mbiemrin e një druvari në Santa Sofia Depiro, Peppa Marriti, emri i vërtetë i të cilit ishte Diacono Atanasio. Ai e tepronte me pijen dhe ishte shpesh i dëbuar, i mënjanuar nga pjesa tjetër e komunitetit. Gjëja që i pëlqente më shumë të bënte, ishte të dëgjonte të rinjtë që luanin në vegla muzikore e këndonin. Kështu lindi idea e emrit të grupit, në një farë mënyre për t’i bërë të pavdekshëm personat që jetojnë të mënjanuar nga shoqëria jonë. T’i japësh zë atij që nuk ka zë, të fundit, të dëbuarit, dhe të gjithë atyre që për një arsye rrëzohen dhe bëjnë të pamundurën për t’u ngritur. Për mikrofonin e Radio “Ejani” instrumentisti dhe këngëtari i grupit “Pepa Marriti Band”, Angelo Conte dha një intervistë.
CMG: Tungjatjeta Peppa Marriti Band! Kënaqësi që t'ju kem në programin "Muzika shqip"!
Angelo Conte: Përshëndetje të gjithëve! Unë jam Angelo (Anxhelo) nga grupi Peppa Marriti Band dhe jam shumë i gëzuar që jam me ju në programin “Muzika Shqip”. Faleminderit të gjithëve!
CMG: Ju keni qenë në Shqipëri gjatë muajit korrik me dy koncerte. Si kaluat këtu?
Angelo Conte: Këtë muaj ishim në Shqipëri, ku realizuam dy koncerte, të parin në Përmet, dhe të dytin në Gjirokastër. Ishin dy koncerte shumë të bukura. Ne kur vijmë në Shqipëri na pëlqen shumë dhe vijmë me gjithë zemër të luajmë muzikën tonë. U gëzuam shumë që ishim në Shqipëri ku kënduam bashkë këngët tona, këngët tradicionale të atdheut dhe kjo është një gjë shumë e bukur.
CMG: Kur do ju shohim përsëri në Shqipëri?
Angelo Conte: Kur do vijmë në Shqipëri?! (Qesh) po ne mund të vijmë dhe nesër në mbrëmje në Shqipëri, por nuk mundemi pasi janë kufizimet e Covid-19 dhe nuk është e mundur të vijmë për momentin në Shqipëri. Në muajin korrik erdhëm me një organizatë që bëri dy koncerte, por shpresojmë të vijmë përsëri në Shqipëri.
CMG: Edhe pse shqiptarët e parë janë larguar pas vdekjes së Skënderbeut, ju vazhdoni të ruani traditat dhe folklorin shqiptar. Ka qenë e vështirë kjo?
Angelo Conte: Eh, nuk e di si bëjmë për të mbajtur gjuhën dhe traditat arbëreshe, sepse për 500 vjet ka qenë shumë e vështirë, por është edhe më e vështirë tani. Për shkak të globalizimit gjuha arbëreshe nuk flitet shumë. Tani nëpërmjet këngëve me ndonjë projekt me grupin mundohemi të mbajmë gjuhën, por e shoh se nuk është e lehtë.
CMG: Grupi juaj është krijuar në fillim të viteve '90 dhe vazhdon të rezistojë edhe sot. Cili është sekreti juaj?
Angelo Conte: Edhe pse jemi arbereshë, ne jemi dhe kalabrezë sepse jemi kokëfortë, nuk heqim dorë kollaj. E mbajmë fort këtë projekt të grupit sepse për ne grupi muzikor është shumë i rëndësishëm. Ne kemi shumë vite që bëjmë muzikë madje kemi ende shumë forcë edhe sot që të bëjmë këngë të reja dhe koncerte sepse kështu jemi ne, jemi pak kokëfortë (Qesh).
CMG: Si është raporti me pjesëtarët e grupit Peppa Marriti Band?
Angelo Conte: Në gjithë këto vite janë ndryshuar shumë muzikantë në grupin Peppa Marriti Band. Unë dhe violinisti Pino jemi të parët e grupit ndërsa të tjerët kanë ndryshuar të gjithë. Pjesëtarët që janë tani me grupin kanë shumë vite që janë pjesë e tij. Ne jemi miq edhe jashtë muzikës, madje frekuentohemi me familjet, rrimë bashkë dhe kur nuk bëjmë muzikë. Të gjithë ne jemi nga Shën Sofia une dhe Pino, violinisti jemi nga Shën Sofia e Pinos, Braushi është basisti nga Metrocorino, pra arberesh i paster. Ne jemi tre arbereshë dhe dy të tjerët, njeri në kitare elektrike Antonio Gastrovilo dhe ne bateri është Enco Astone, që janë të dy nga Cozenca. Këta nuk janë arbëreshë, por këndojnë me ne muzikë arbëreshe.
CMG: Ju keni sjellë të përpunuara shumë këngë të njohura shqiptare. Suksesi ka ardhur nga këto këngë apo nga materiale të reja muzikore?
Angelo Conte: Gjatë koncertit të grupit ne kemi bërë vetëm dy këngë shqiptare, këngën “25 gërsheta” e cila është e pasqyruar edhe në një video në Youtube. Gjithashtu kemi realizuar dhe “Xhamadani vija- vija”, janë dy këngë që na pëlqejnë dhe duam t'i bejmë një homazh muzikës shqipe. Këto këngë kur i kënduam në Shqipëri i përqafoi shumë publiku, por edhe në Itali, në fshatrat arbëreshe pëlqehen mjaft, dy këngë ku versionet tona janë shumë të bukura. Këngët e tjera janë të realizuara nga vetë grupi. Jemi të gëzuar që në koncertin ku kemi kënduar në sheshin “Skenderbej” ku kënduam këngët tona, publiku i pëlqeu shumë ato. I njihnin nëpërmjet internetit dhe i këndonin bashkë me ne. Kjo gjë na ka gëzuar shumë!
CMG:Ju jeni një grup rroku. Ku ishte frymëzimi juaj në fillimet e grupit?
Angelo Conte: Kur filluam të bëjmë muzikë, frymëzimi ynë ishte te muzika amerikane, ajo klasike e cila na pëlqente shumë dhe si fillim menduam të luanim nën ritmet bluz dhe vum re se zhanri bluz përshtatej mirë me gjuhën arbëreshe. Realizuam këngën “Lule lule, mace mace” në versionin bluz dhe doli mirë. Kështu që filluam të bënim dhe këngët tona. Gjithashtu na ka pëlqyer mjaft muzika amerikane rrok, pa përjashtim të gjithë grupet e famshëm.
CMG: Po në kohët e sotme, cila është “muza” juaj e frymëzimit?
Angelo Conte: Sot bëjmë këngë tradicionale arbëreshe të cilat janë të mira dhe ne i kemi bërë në versionin tone, në versionin e Peppa Marriti Band, të cilat nuk janë tamam rrok- klasik.
CMG: Mendoni se një artist mund të jetojë vetëm me artin e tij?
Angelo Conte: Do ishte shumë bukur të jetonin të gjithë artistët në këtë mënyrë, por këtu në Itali ka artistë të famshëm që këndojnë mirë, kanë dhe lekë shumë, por ne e bëjmë muzikë për pasion. Në jetën tonë të përditshme kemi profesione të tjera. I kushtojmë shumë kohë muzikës për pasion. Vetëm violinisti i cili është mësues violine në shkollë e ka pasion dhe profesion njëkohësisht muzikën, ne të tjerët bëjmë punë të tjera në profesione të ndryshme. Do të ishte mirë që të merreshim vetëm me muzikë, por në Itali apo këtu ku jemi ne është e vështirë të jetosh vetëm me muzikën.
CMG: A keni shumë fansa në Kalabri?
Angelo Conte: Po, kemi famë në Kalabri. Nëpërmjet internetit muzika jonë njihet kudo në të gjithë Italinë, Shqipërinë, e gjithandej pasi interneti na e jep mundësine që muzika të dëgjohet në të gjithë botën.
CMG: Cilat janë të rejat tuaja në muzikë?
Angelo Conte: Kemi një këngë të re që e kemi shkruar gjatë periudhës kur ishim të mbyllur nga pandemia dhe në shtator mund ta promovojmë. Është një këngë e cila do jetë me videoklip, gjithashtu kemi realizuar dhe një videoklip të këngës “Xhamadani, vija, vija” të cilën do ta publikojmë në kanalin e Youtube të grupit tonë Peppa Marriti Band.
CMG: Meqënëse jemi në stinën e nxehtë të verës, ku të gjithë e kanë mendjen të pushojnë buzë detit, ti ku do i kalosh pushimet këtë verë?
Angelo Conte: Këtë verë jemi me problemet e Covid-19, ku ka patur raste nga variantet e ndryshme këtu në Itali dhe ende është problem ky virus. Nuk është mundësia për të bërë shumë spektakle apo udhëtime. Ne që jemi këtu në Kalabri, mund të shkojmë në detin Jon, ose shkojmë tek Sila që është shumë bukur, ose në Puljini.
CMG: Çfarë do i thonit publikut shqiptar kudo ku po na ndjek?
Angelo Conte: Të gjithë publikut në mbarë dheun i them të shkojnë në kanalin e Instagramit te Peppa Marriti Band dhe të bëni follow, ose shkoni tek faqja jonë në Facebook Peppa Marriti Band dhe të na bëni like, se kështu mbahemi në kontakt dhe mund të shihni kur kemi koncerte, apo kur nxjerrim ndonjë këngë të re. Kemi shumë dëshirë që të vijmë sa më shpejt në Shqipëri, të bëjmë ndonjë koncert, të gjendemi e të rrimë gjithmonë bashkë, me muzikën arbëreshe dhe muzikën shqiptare. Ju përqafoj të gjithëve dhe qofshi mirë! Mirupafshim!
Intervistoi: Sava LENA