Renato Jaho është këngëtar tashmë i njohur në tregun muzikor shqiptar dhe që në pak vite ka arritur të fitoi zemrat e shumë artdashësve të muzikës popullore. Klipi i tij i parë me këngën “Kafe Pa Sheqer”, solli tek ai një famë të një pune disavjeçare. Është i thjeshtë, i dashur dhe korrekt. Asnjëherë nuk e bëjnë euforik sukseset, përkundrazi e vendosin para përgjegjësive të reja. Këngët e tij të publikuara kanë marrë miliona klikime, duke u pritur mjaf mirë nga dashamirësit e muzikës popullore. Në intervistën e realizuar për CMG Renato na tregon për karrierën e tij muzikore, si dhe projektet artistike që ka në të ardhmen.
CMG: Renato është kënaqësi të kem të ftuar në emisionin Bio Folk.
Renato Jaho: Faleminderit për ftesën dhe kënaqësia është e gjitha e imja.
CMG: Jeni një këngëtar i suksesshëm. Këngët tuaja të publikuara deri tani kanë arritur të marrin miliona klikime. Si kanë qenë fillimet tuaja në muzikën popullore?
Renato Jaho: Faleminderit shumë për mendimin për këngët. Mendoj se gjithmonë bashkimi bën fuqinë sepse për të arritur një sukses normalisht nuk mund të bëhet vetëm nga një palë, por kur bëhen disa palë bashkë gjithmonë do të arrish në një sukses. Mbështetja ime më e madhe gjithmonë si e çdo njeriu është familja. I falenderoj shumë sepse është gjithçka e shtrenjtë që kam në jetën time. Mbështetje shumë e forte, por dhe punë shumë e fortë në fillimet e mia ka qenë kompozitori i mirënjohur Adrian Hila. të cilin gjej rastin ta përshëndes, gjithashtu dhe tekstshkruesi i parë që kam pasur Nexhip Seraj, që e përshëndes edhe atë. Një treshe e fortë ishte një bazë shumë e fortë për të ardhmen time.
CMG: Ju e thatë shumë mirë që bashkimi bën fuqinë, ku të gjithë komponentët e një kënge sjellin një rezultat të mirë.
Renato Jaho: Në të kundërt nuk mund të kesh sukses, sepse njeriu duhet gjithmonë të eci krah për krah me njerëz, miq, artëdashës dhe me emra të cilët i përkushtohen punës së tyre dhe e dashurojnë atë që bëjnë.
CMG: Ju Renato, dalloheni për një stil të veçantë interpretimi të këngës popullore të jugut. Ndoshta dhe kjo ka bërë që suksesin ta keni të garantuar?
Renato Jaho: Mendoj se çdo këngëtar ka pak a shumë stilin e tij, ka idetë e tij në kokë për gjithçka që nxjerr, por e sigurt është ajo që sapo thashë pak më parë që idetë të jenë të bashkëngjitura. Ideja e një teksti, por dhe ideja e kompozitorit apo edhe e imja për vijën melodike, pastaj fjalët e tekstit janë gjithmonë A-ja dhe janë merita e një tekstshkruesi shumë të mirë.
CMG: Keni sjellë krijimtari të re popullore dhe keni pasuruar folklorin shqiptar me këngët tuaja. Keni provuar të këndoni dhe këngë të njohura popullore për t’i risjellë siç kanë bërë dhe shumë këngëtarë të tjerë?
Renato Jaho: Sigurisht që po dhe së fundi do të jetë një këngë e tillë, jo shumë shpejt për arsye të pandemisë që na la pak mbrapa në kohë, por jam i sigurt që një gjë të tillë do ta bëj. Mezi po e pres dhe pothuajse e kam të përfunduar.
CMG: Këngët “Kafe pa sheqer” dhe “Kaçurrele” kanë pasur shumë sukses, duke u dëgjuar dhe shikuar miliona herë në YouTube.
Renato Jaho: Suksesi im i parë është me këngën “Kafe pa sheqer”, një vajzë që kishte zemrën zeherr, një vajzë që mendoja se do ishte e imja përherë, thotë teksti. Kjo këngë është meritë e një ideje shumë të fortë të kompozitorit Adrian Hila dhe me tekst të Nexhip Serajt dhe në interpretimin tim. Është suksesi im i parë që më bëri të njohur dhe të jem më afër me një publik shumë të gjerë në Shqipëri dhe kanë qenë emocionet më të mëdha që kam përjetuar në jetën time, në fillimet e mia në muzikë. Edhe kënga tjetër “Kaçurrele” është një bashkim i tre fuqive, që sapo thashë. Fillimet e mia kanë qenë gjithmonë bashkëpunim me Adi Hilën dhe Nexhip Serajn dhe kjo këngë është suksesi i dytë mbas kafes, por mendoj se shija e një kafeje të mëngjesit nuk hiqet as në darkë.
CMG: Ju jeni nga Vlora ku polifonia këndohet në çdo familje. Ju pëlqen t’i bashkoheni zërave të tjerë dhe të këndoni këngën labe?
Renato Jaho: Ne që jemi nga Vlora me polifoninë jemi rritur, polifonia na është ushqyer gjatë gjithë kohës, traditat, të afërmit tanë që normalisht e këndojnë, sepse në Labëri këndohet gjerë dhe ne andej jemi. Kështu që e kemi traditën tonë.
CMG: Kemi më shumë se një vit që nga pandemia ka pasur kufizime edhe në aktivitetet muzikore. Sa ju kanë munguar aktivitetet dhe publiku?
Renato Jaho: Kjo është një goditje për të gjithë botën. Normalisht përsa i përket pjesës tonë e goditi jashtëzakonisht shumë dhe e ndjemë shumë të gjithë. Më vjen shumë keq normalisht si për veten time ashtu dhe për kolegët e mi dhe për të gjithë botën, që ndodhen në këtë situatë kaq të vështirë. Shpresoj që të mbarojë sa më shpejt dhe pse jemi bërë pak të ftohtë nga kjo pjesë, por gjithmonë njeriu ecën me një shpresë dhe lutet atje ku mund të gjejë fuqinë më të madhe. E rëndësishme është që të jemi mirë, të kemi njerëzit tanë të afërt mirë dhe të kemi shëndet, sepse çdo gjë e keqe kalon.
CMG: Si e shikoni këtë sezon veror në lidhje me nisjen e koncerteve?
Renato Jaho: Pak më ndryshe nga sezoni i pare, por prapë i ftohtë duket. Shpresoj që të hapen plotësisht dhe shpresojmë që njerëzit të bëhen të ndërgjegjshëm që të bëjnë vaksinën dhe unë jam i pari që do ta bëj vaksinën, sepse pa atë nuk kemi asnjë gjë në vijë.
CMG: Si keni komunikuar me fansat tuaj gjatë kësaj periudhe, që keni qenë i pa angazhuar në koncerte?
Renato Jaho: Jemi munduar të këndojmë nga pak live nëpër rrjetet sociale me aq sa kemi pasur kohën dhe mundësinë, sepse në të shumtën e kohës unë jam në studio ku bëj prova dhe shkruaj. Unë jam edhe vetë tekstshkrues deri diku mirë për atë që më duhet mua. Përgjithësisht me fansat komunikimi ka qenë në rrjetet sociale, Facebook, Instagram ku dalim gjithmonë live si dhe kam kënduar me ta, kemi bërë dhe grup me fansat dhe kush ka dëshiruar të futej live patjetër e kam ftuar me kënaqësi. Kemi kënduar labçe, si nga jugu. Kjo ka qenë mundësi nga më të mirat për t’u lidhur në këtë kohë me fansat tanë në këtë periudhë të vështirë pandemie.
CMG: Keni dhënë koncerte si brenda dhe jashtë vendit. Si ju ka pritur publiku këtu dhe ai në diasporë?
Renato Jaho: Pritja e publikut kudo që të shkosh mjafton të ketë shqiptarë dhe çdo gjë funksionon në mënyrën më të bukur, sepse ne shqiptarët e duam të bukurën dhe qejfin. Me pak fjalë kudo që të shkosh dhe ka shqiptarë është një dashuri më vete.
CMG: Para pak kohësh keni publikuar një këngë të re, e cila është pritur mjaft mirë nga adhuruesit e muzikës popullore.
Renato Jaho: Është një këngë pak më ndryshe nga këngët e tjera, sepse është si një lloj thirrjeje dhe force që mund t’ju japësh njerëzve të cilët kanë pritur kaq gjatë për t’u argëtuar, për të punuar dhe për të takuar njerëzit e tyre të afërt. Jam munduar ta them në mënyrën më të thejshtë që ne prapë se prapë do të këndojmë si gjithmonë së bashku dhe më e rëndësishmja që kam dashur të them në atë këngë është që një ditë do të vijë mirësi te dera që të harrojmë hallet, dertet. Të gjitha një ditë do të treten dhe ato që do mbeten do të jenë vetëm momentet e vogla, që do të kujtohen.
CMG: Jeni i kënaqur me çfarë keni arritur tani në fushën muzikore?
Renato Jaho: E mira gjithmonë nuk ka fund, unë jam i kënaqur që njerëzit i kam afër vetes, jam i kënaqur që kam një familje shumë të shëndoshë dhe i dua fort. Jam i lumtur që kam edhe një famlje të dytë. Ajo është e gjithë Shqipëria, të paktën ata që më ndjekin mendoj se janë një familje e dytë, sepse çdo artist pa ata është askushi.
CMG: Keni ndonjë projekt muzikor së afërmi?
Renato Jaho: Shumë projekte kemi, por më i shpejti është ndoshta në fund të gushtit apo shtator, por t’i lemë pak shije kësaj këngë që sapo nxorrëm. Për momentin nuk dua të them asgjë më tepër përsa i përket këngës, sepse e bukura gjithmonë duhet lënë surprizë. Unë mendoj dhe jam i sigurtë që do jetë gjë e bukur dhe do mundohem të bëj më të bukurën për veshin e njerëzve.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe fansat tuaj.
Renato Jaho: Ju përshëndes dhe ju uroj shëndet në familjet tuaja. Përqafime dhe kalofshi bukur sot edhe gjithmonë!
Intervitoi: Gazmend Agaj