Çdo vit ka hitet e veta, por ka disa hite që mbesin të tillë sezon pas sezoni, verë pas vere. Ato janë të pandarë nga festat e zhurmshme të të rinjve dhe krijojnë gëzim dhe atmosferë. Kemi zgjedhur tre prej tyre, duke qenë të binur se janë tejet përfaqësuese. Të tre hitet kanë disa veçori: janë bashkëpunime dhe si rrjedhojë krijojnë thyerje zërash, kanë pjesë reperimi, duke u pasuruar me larmi stilesh dhe kompozimi dhe këndohen nga emra Vip të muzikës shqiptare. Le t’i komentojmë të treja njëra pas tjetrës:
“Origjinale” nga Aurela Gace, Dr Flori dhe Marseli
Kënga “Origjinale” kënduar nga Aurela Gaçe, Dr.Flori dhe Marseli, është hiti më madh i këngëtares dhe një ndër hitet që ka shoqëruar festat verore të shqiptarëve. Kënga e cila në vitin 2010 u rendit si më e mira në Ballkan Awards, ka lindur krejt rastësisht, në kohën kur këngëtarja bashkë me Dr. Florin, që sot nuk jeton më, shkoi në studion e Flori Mumajesit, me të cilin do të bashkëpunonte për albumin e ri dhe i kërkoi një këngë që ta këndonte së bashku me Dr . Florin. Aty për herë të parë dëgjuan demon e këngës ku shfaqej edhe zëri i Marselit të vogël, asaj kohe vetëm 15 vjeç. Kënga u hyri në zemër menjëherë dhe nuhatja nuk i kishte lënë të gaboheshin. Dr. Flori krijoi tekstin që flet për karakterin e këngëtares në skenë dhe siguirsht Marseli ishte aty me stilin e tij. Pra u bashkuan tre stile të ndryshme dhe doli kënga “Origjinale” që nuk mund të ishte më origjinale nga ç’doli.
“Ajo” nga Getoar Selimi dhe Majku
Getoar Selimi nuk e ka hitin e vetëm, këngën të cilës po i referohemi, por një ndër më të mirat e tij. Kënga është dëgjuar, kënduar e kërcyer pa fund gjatë sezonit kur u krijua dhe vazhdon të këndohet e kërcehet pa fund. Eshtë e pamundur që në festat e verës, në diskot verore, apo buzë pishinave të mos dëgjosh “nuk ka si ajo”. Brenda pak ditëve nga publikime kënga ka marrë miliona klikime në Youtube. Gazeta zvicerane, “20minuten” në një raport për hitet e verës, të vitit 2016 ka përfshirë edhe këtë këngë, duke e renditur në mesin e hiteve botërore të verës se 2016 - ës. Sepse realisht kënga shpejt u bë e tillë.
Pesë vite pas publikimit kënga ka grumbulluar më shumë se 88 milion klikime, teksti i saj është mësuar përmendsh masivisht dhe këndohet ngado. Dikur i njohur si “Tingulli Trent”, pastaj si “Babastars”, tani si “Ghetto Geassy”, Getoar Selimi ka ndryshuar shpesh emrin skenik, grupin ku bën pjesë dhe stilin e reperimit. Kjo kërkesë vjen si nevojë e brendshme për kreativitet në muzikë, duke qenë unik gjithashtu. Prej vitesh bashkëpunon me Majk me të cilin ka krijuar disa hite të mrekullueshëm, ndër ta edhe kënga hit “Ajo”.
“Disko Disko” nga Elvana Gjata ft Kaos
Elvana Gjata, këngëtarja që sjell në muzikën shqiptare vetëm hite, vjen në klasifikimin tonë me këngën “Disko Disko”. Kënga është publikuar në vitin 2014 në bashkëpunim me Kaos dhe shoqërohet nga një klip shpërthyes ku këngëtarja shfaqet në look si një kopje e Beyonce me këngën “Work it Out”, e cila është prezantuar në vitin 2010. Ndërsa në klipin e këngës ajo ka sjellë një atmosferë tipike diskoteke të fashme në viteve ’90 dhe kënga revokon pikërisht atë epokë, duke respektuar në klip edhe dizajnin e kohës së skenave nëpër diskoteka.
Kënga është shkruar nga Flori Mumajesi me të cilin këngëtarja ka pasur edhe bashkëpunime të tjera.
Kënga ka arritur menjëherë të tërheqë vëmëndjen e publikut duke u kthyer në kryekëngën e festave të verës. Ritmike, energjike, shpërthyese, një këngë tipike për disko, shumë ftuese për të kërcyer dhe ndjekur ritmin.
Me këtë këngë këngëtarja ka sjellë një tjetër nivel në muzikën shqiptare, duke konfirmuar se është një nga pretendentet kryesore për ta pushtuar atë.
Kënga “Disko Disko” është hit i verës që nuk i mungon asnjë stine.
Neritana Kraja