Ronela Hajati është një këngëtare dhe autore këngësh shumë e njohur. Por a e dini fëmijë se ku e ka patur ajo daljen e parë në publik?! Ronela Hajati daljen e parë në televizion e ka patur që në moshën 4-vjeçare, pikërisht në një emision fëmijësh. Që e vogël ka studiuar për piano dhe balet, ka qenë pjesëmarrëse në shumë festivale fëmijësh nga ku është vlerësuar edhe me çmime, një ndër to është çmimi i parë në një festival në Tetovë të Maqedonisë së Veriut. Më pas, në moshën 12 vjeçare Ronela ka qenë e pranishme në spektaklin "Kërkohet një yll", duke vijuar 6 muaj më vonë si një konkurrente e Talent-Show-t "Ethet e së premtes mbrëma", ku arriti të kualifikohej deri në 30 këngëtarët më të mirë, ndonëse ishte ende një femijë. Më pas konkurroi në "Poleposition", në Top Channel duke arritur deri në finale.
Në moshën 16-vjeçare, pjesëmarrëse në "Star Academy 1" në Tv Klan, pas gjashtë muajsh sfida të fituara Ronela u vlerësua me çmimin “Best Performance”. Në nëntor të vitit 2006, Orgesa Zajmi dhe Ronela Hajati morën pjesë në festivalin “Kënga Magjike” me këngën "Requiem", ku fituan çmimin "Tendence". Menjëherë filloi të ketë sukses me hitet e saj të njëpasnjëshme si “Harroje”,”Nelës”,“Mala gata”, “Mos ma Lsho” etj. Ronela u bë menjëherë shumë e njohur dhe e dashur për publikun. Këngët e saj dëgjoheshin kudo dhe çdo këngë e saj bëhët “hit”.
Ronela Hajati së fundi ka sjellë të gjitha këngët e albumit të saj më të ri me titullin”Rron” në videoklipe, ku secila prej tyre ka patur mjaft sukses, veçanërisht kënga “Aventura” dhe “Alo”, kjo e fundit në bashkëpunim me reperin Vig Poppa.