Valbona Mema me kostum popullor
Valbona Mema është këngëtare e njohur e muzikës popullore të Shqipërisë së mesme. Paraqitet në skenën shqiptare që prej vitit 1985, dhe që nga ai vit ajo nuk ka rreshtur së punuari për t'i ruajtur traditat autoktone shqiptare. Ka realizuar disa albume muzikore, videoklipe, bashkëpunime me shumë kengëtarë dhe mjaft koncerte në mbarë trevat shqipfolëse. Valbona i ka kënduar dashurise, gëzimeve familjare, gjithashtu edhe ka përpunuar shumë këngë të bukura tiranase e të trevave të tjera duke i qëndruar fort besnike traditës së muzikës së vërtetë popullore. Në intervistë për CMG, ajo tregon për jetën e saj profesionale, projektet artistike si dhe raportin me publikun.
Valbona Mema ne interviste per CMG
CMG: Valbona kënaqësi që je e ftuar në emisionin Bio Folk!
Valbona Mema: Faleminderit për ftesën, kënaqësia është e imja.
CMG: Keni dekada që këndoni këngën popullore bio, duke e ruajtur atë të pastër dhe interpretuar bukur.
Valbona Mema: Unë do ta përkufizoja më tepër kënga e mirëfilltë, pa ndërhyrë nëpër tekstet dhe muzikën. Jam shumë e lumtur që e kam mbajtur me fanatizëm dhe nëse unë do ta ndryshoja nuk do më linin fansat që ta ndryshoja.
CMG: Përveç këngëve të Shqipërisë së mesme ju keni interpretuar dhe këngë të trevës së veriut, siç është kënga e Rexhës. Ju pëlqen të eksperimentoni?
Valbona Mema: Kënga e Rexhës në fakt nuk ishte eksperiment sepse këngët dibrane i këndoj me shumë dashuri. Dibra mua më pret shumë mirë dhe muzikën e Shqipërisë së mesme ajo e adhuron. Këngën e Rexhës e kam kënduar me një emocion shumë të madh, sepse viedoklipin e kam bërë me artisten e madhe Tinka Kurti dhe mendoj se ishte e realizuar mirë dhe e kanë pritur shumë mirë.
Valbona Mema duke interpretuar
CMG: Edhe pse sot dalin shumë këngëtarë të muzikës popullore, ju sërish mbeteni unike në interpretimin e këngës popullore.
Valbona Mema: Vitet kanë bërë të veten dhe pse unë jam munduar që ta mbaj gjithmonë dhe ta ruaj me fanatizëm muzikën që përfaqësoj. Muzika e Shqipërisë së mesme është aq e lehtë, por dhe shumë e vështirë. Tekstin nuk duhet ta ndryshosh shumë dhe pse ka nevojë për një dorë të mirë. Mua mi ka kuruar tekstet pak a shumë poeti i madh Jorgo Papingji. Sinqerisht e kam ruajtur tabanin dhe më është dashur punë shumë e madhe për t’i bindur njerëzit që kjo është tamam këngë, por ka ardhur momenti që njerëzit janë rikthyer përsëri te tradita dhe kjo është e bukur.
Valbona Mema ne skene
CMG: Kur ju jeni në skenë e shoqëroni këngën me lëvizjet tuaja, por dhe me kostumin popullor ku dhe publiku kërcen bashkë me ju.
Valbona Mema: Kënga popullore është si nusja, po nuk i veshe fustanin nuk ka lezet sado që të lyhet. Kjo gjë është edhe me të dhënme sepse është diçka që ashtu e ndjej dhe ashtu e bëj, ashtu vjen pozitivisht te spektatori dhe sinqerisht unë në momentin që këndoj jam vetëm unë dhe kënga. Unë mundohem që këngën ta këndoj me shpirt dhe shpirti im është përpara dhe atë pozitivitet unë e transmetoj tek spekatatori.
CMG: Aktivitetet artistike gjatë pandemisë janë pezulluar. Sa ka ndikuar kjo periudhë pa koncerte tek ju si artiste?
Valbona Mema: Të them që nuk ka ndikuar, nuk mund ta them, të them që ka ndikuar shumë prapë nuk mund ta them, por them këtë gjë që shëndeti është mbi të gjitha dhe nuk ishte vetëm për neve, por ishte në gjithë botën. Mendoj që kënga aty është, shëndeti nuk vjen më.
Valbona Mema
CMG: Para pak kohësh morët pjesë në aktivitetin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore “Gjerdani i artë” në nder të këngëtares së mirënjohur Fitnete Rexha ku ju kënduat dhe një këngë dedikuar kësaj artisteje të madhe.
Valbona Mema: Ishte një përgjegjësi dhe një përfaqësim dinjitoz, ashtu siç e meritonte Fitnetja. Unë kam pasur fatin ta njoh nga afër, të flas më të dhe të këshillohem nga ajo artiste e madhe. Unë kam marrë një emocion që sinqerisht nuk kam fjalë. Unë atë natë kam kënduar këngën himn të Fitnetës “Qan lulja për lulen” dhe ashtu si ishte kënga, ashtu u përlotëm të gjithë, një emocion që nuk ka fjalë. Falenderoj shumë të gjithë ata që menduan se unë duhej ta përfaqësoja Fitneten tamam ashtu siç donte ajo. Kënga kushtuar Fitnetes është realizuar në bashkëpunim me poetin Jorgo Papingji dhe me muzikën e Dritan Baftjarit dhe u munduam të bënim diçka të bukur.
Valbona Mema
CMG: Kush e kishte idenë për të realizuar një këngë për Fitnete Rexhën?
Valbona Mema: Ideja për këtë këngë ka qenë e imja dhe e djalit të Fitnetes, Çim Rexha i cili më ka ndenjur shumë afër, pastaj e ka kompozuar Dritan Baftjari, i cili dhe e ka orkestruar dhe që u këndua live me një emocion të madh.
CMG: E kishit pritur këtë moment që t’i kushtonit një këngë artistes së madhe Fitnete Rexha?
Valbona Mema: Po. Unë gjithmonë kam kënduar dhe kam pasur figurën e saj dhe gjithmonë e them sikur t’i afrohem pak, sepse ajo ka pasur një shpirt shumë të madh që futej në publik dhe interpretonte. Ajo nxirrte shpirtin para mikrofonit dhe këndonte dhe këtë dua dhe unë.
CMG: Ju keni shumë këngë që janë bërë hite dhe që këndohen nga të gjithë këngëtarët nëpër gëzime familjare. Si ndjeheni kur shikoni që këngët tuaja këndohen edhe nga të tjerë artistë?
Valbona Mema: Ndjehem shumë mirë sepse është normale, ashtu siç këndova dhe unë këngët e paraardhesve të mia, ashtu do këndohen dhe këngët e mia nga brezi tjetër. Uroj që sa më shumë të këndojnë këngë popullore dhe këngë të njëri- tjetrit sepse kështu transmetohet brez pas brezi kënga e mirëfilltë.
Valbona Mema
CMG: Si e mendoni këtë verë, më ndryshe nga një vit më pare, përsa i përket koncerteve dhe dasmave?
Valbona Mema: Unë besoj se dasma do të ketë, por jo si ka qenë. Mendojmë që do ketë këtë verë.
CMG: Këngët “Artizane” dhe “Shamija e kuqe” mbajnë vulën tuaj dhe ju së fundi i keni risjellë në dy kolazhë të ndryshme live.
Valbona Mema: Jo se janë këngët e mia, por janë këngët që kanë emocion dhe i risolla ashtu si ato e donin. Jam shumë e lumtur që këto këngë mbajnë vulën time. Në një kolazh kam risjellë artizanen, ndësa në kolazhin e parë solla këngën “Moj shami e kuqe”, ku e risolla edhe njëherë në një regjistrim live.
Valbona Mema
CMG: Keni marrë pjesë në shumë koncerte jashtë vendit. Cili ka qenë publiku më emocionues dhe që ju ka pritur më mirë?
Valbona Mema: Gjakova më ka pritur shumë mirë dhe që ma merrte këngën nga goja dhe të gjithë këndonin bashkë me mua.
CMG: Shikojmë herë pas herë që përdorni kostumin e Shqipërisë së mesme kur këndoni nëpër koncerte. Ju pëlqen ta vishni këngën me kostumin popullor?
Valbona Mema: Unë e adhuroj atë kostum sepse kur e vesh atë unë kam peshën që më duhet ta vlerësoj dhe që të veshësh një kostum kombëtar dhe të këndosh do të thotë që ti të kesh shumë përgjegjësi, nuk mund ta veshësh dot kot. Mendoj dhe them që mbase kthehet tradita që të gjitha nuset shqiptare të paktën kostumin e parë ta kenë kostumin e krahinës së tyre.
CMG: Keni ndonjë projekt artistik së afërmi?
Valbona Mema: Unë po pregatitem për koncertin tim recital dhe po pres që spektatorët të jenë plot sepse pa duartrokitjet e tyre unë nuk mundem. Ky është projekti im dhe për më tepër ngelemi në surprizë sepse është një koncert me përmasa shumë të mëdha, që unë po e pres me kënaqësinë më të madhe.
CMG: Ky koncert do të ketë këngë të njohura apo edhe krijimtari të re popullore?
Valbona Mema: Koncerti do të jetë live dhe do të jenë të gjitha këngët e mia dhe të gjitha këngët e atyre që neve i dëgjuam dhe sot i këndojmë këngët e tyre.
CMG: Së fudni një përshëndetje për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani.
Valbona Mema: Unë ju përshëndes shumë, ju dua shumë. Ruajeni veten, kujdesuni për veten sepse shëndeti është mbi të gjitha. Më mungojnë shumë duartrokitjet tuaja, ju dua pafund dhe sinqerisht ju jam mirënjohëse deri në fund të jetës.
Intervistoi: Gazmend Agaj