Naser Berisha 2021
Naser Berisha është këngëtar i njohur i muzikës rrok. Qysh në moshë shumë të re ai filloi të kërkojë veten përmes lloj -lloj sportesh si karate, futboll, etj, por në moshën 13 vjeçare ndalet në vendin e duhur, ku edhe sot është i lumtur që ka ndalur në muzikë, pra në këndim dhe instrumentin e kitarës. Në shkollën e mesme Naseri bashkë me një shok të klasës dhe vëllain e tij ( Shefqet dhe Zeqirja Bajramin) formuan Band-in "PREMIERA" e më vone ju bashkohet edhe Luli si baterist, grup i cili funksionoi për rreth 6 vite dhe në vitin 1993 u shpërbë. Por gjatë atyre 6 viteve për moshën shumë të re dhe mundësitë që kishin, patën një sukses të madh. Me këngën "Maturantët" arriti në Top-listë në vendin e 2-të. Ka marë pjesë në disa festivale si “Zhurma show”, “Çelësi muzikor”, dhe “Netët e Klipit Shqiptar”.
Në vitin 2000, Naser Berisha publikoi albumin "Jo Mos Thuaj", më pas vjen albumi "Gjurmët” dhe në vitin 2006, Naser Berisha solli albumin "Nëse Shkon". Gjatë vitit të fundit ai ka punuar fort dhe shumë shpejt pret të sjellë për publikun albumin e tij të katërt.
Naser Berisha me grupin Premiera
CMG: Përshëndetje Naser! Mirë se erdhe në programin "Muzika shqip"! Ti ke sjellë në muajin qershor këngën më të fundit shoqëruar me videoklip "Pikë në zemër". Na trego pak për fabulën dhe krijimin e kësaj kënge?
Naser Berisha: Përshëndetje ty Sava, si dhe dëgjuesve të radio “Ejani”! Shumë faleminderit për ftesën! Kënga “Pikë në zemër” ka pak javë që është publikuar dhe ka qenë bashkëpunëtori im, ish basisti i grupit “Premiera” Zeqirja Bajrami, kitarën e ka bërë Reshat Beqiri, Vokalet janë të vajzës time Lorana Berisha, inçizimet mix dhe master i kam realizuar në studion time në Gjermani. Videoklipin e kemi xhiruar te “Rana e Hedhun” pranë Shëngjinit në Shqipëri, ku ishte një përvojë shumë e bukur. Madje në bregdetin shqiptar kam realizuar edhe dy videoklipe të tjera si “Fjala e thyer” dhe një tjetër videoklip, i cili do vijë pak në vonë.
CMG: Ti e ke nisur muzikën që në moshën 13 vjeçare. Në fillimet e tua ke qenë pjesë e Bandit “Premiera”. Më mirë kur je pjesë e një grupi, apo kur interpreton si solist?
Naser Berisha: Kemi filluar që në shkollën e mesme me shokët e klasës, më pas u bashkuan dhe pjesëtarë të tjerë të grupit. Që në atë kohë në fund të viteve ’80 kemi patur regjistrimet e para në studiot profesionale të radios në Prishtinë, më pas xhirimet në televizionin e Prishtinës, më pas u shua puna me grupin muzikor “Premiera”. Sa i përket pyetjes se ku ndjehem më mirë me grupin apo si solist mendoj se, kur je pjesë e një grupi ndjehesh më i afërt me njëri -tjetrin dhe gjithësecili ka pozicionin e tij dhe di se çfarë bën. Koncertet dhe mbrëmjet atëherë ishin më emocionuese për ne sepse ishim dhe shumë të rinj, ndërsa tani si solist unë edhe kur këndoj live, përsëri e kam një band muzikore që më shoqëron, por jo gjithmonë janë të njëjtët, përveç solo-kitaristit Reshat Beqiri, i cili më ka shoqëruar që nga fillimet e karrierën e deri më sot.
CMG: Ka patur më shumë frymëzim për të krijuar muzikë të mirë dikur apo tani?
Naser Berisha: Mendoj se dikur ka patur më shumë frymëzim për të shkruar këngë, ka patur mundësi dhe kohë të mjaftueshme. Kemi punuar një album brënda dy viteve dhe pas dy viteve është publikuar, ndërsa sot gjërat janë më të shpejta, më dinamike, kërkesa është më e madhe, konsumimi i këngëve është i shpejtë. Në përgjithësi në kohët e sotme një këngë e cila është punuar në mënyrë super të shpejtë dhe konsumimi i këngëve është gjithashtu i shpejtë, pra suksesi i tyre mund të zgjasë pak. Ndoshta nuk mbijeton më shumë se 2 apo 4 javë, pastaj del një tjetër e kështu me rradhë. Nëse puna për një këngë është e shkurtër dhe jetëgjatësia e saj do jetë po aq e shkurtër. Këngën për aq kohë sa e shkruan, sa kohë të duhet të thellohesh në të po ashtu reflektohet dhe në jetëgjatësinë e asaj kënge. Normalisht edhe vetë jam “viktimë”e kësaj shpejtësie të prodhimit, ndoshta jo shpejtësi aq të madhe si disa të tjera, por zgjodha periudhën e pandemisë për të punuar më fort për realizimin e këngëve të albumit. Kështu pasi i realizova këngët, jam duke i prezantuar një e nga një deri sa t’i publikoj të gjitha që të plotësohet i tërë albumi.
CMG: Çfarë e frymëzonte artistin dikur dhe çfarë e frymëzon sot?
Naser Berisha: Duke u nisur nga vetja, dikur vetë kam shkruar tekstet, këngët, i kam rënë instrumenteve dhe kam kënduar, pra kemi ndërlidhur idetë mes pjesëtarëve të grupit deri në orkestimin dhe publikimin e një kënge. Sot e shoh që në shumicën e rasteve këngëtarëve të rinj i mjafton vetëm një producent i cili bën një këngë me tekst shumë të kapshëm, por shumë të thjesht, duke përsëritur një fjalë të vetme dhe në këtë mënyrë mendojnë se mund të bëjnë një “hit”. Thjeshtësia është bërë standardi i këngëve.
CMG: Ti Naser pas shkëputjes në muzikë, ju riktheve asaj duke ripërpunuar këngët që kishit realizuar me grupin "Premiera" ku risolle albumin "Jo, mos thuaj". Suksesi i këtyre këngëve ka qenë më shumë me grupin apo si solist?
Naser Berisha: Në vitin 1993 grupi “Premiera” përfundoi së ekzistuari. Më pas në vitet 2000 unë fillova të mbledh të gjitha këngët që kisha punuar me pjesëtarët e grupit, gjithashtu edhe disa këngë të cilat i kisha realizuar ndër vite. Këngët i orkestruam te Ernis Presheva në Prishtinë, një nga producentët më të mirë të asaj kohe, ku nga ai album doli kënga “Do të doja” si ‘hit” i albumit, më pas mori rrugën albumi i dytë e kështu me rradhë.
Naser Berisha
CMG: Kënga "Maturantët" a i reziston kohës dhe sot?
Naser Berisha: Po. Kënga për maturantët është kënga e parë ku e kam shkruar tekstin dhe muzikën kur ishim të rinj me grupin “Premiera”. Në kohën kur e krijuam, ishim dhe vetë nxënës të shkollës së mesme dhe prisnim të vinte mbrëmja e maturës. Nga njëra anë po gëzoheshim se po rriteshim e nga ana tjetër e kishim një lloj nostalgjie për kohën që po na ikte. Kjo këngë mbeti si një himn i gjeneratave të tëra që i shoqëronte gjatë mbrëmjeve të maturës, por edhe gjatë gjithë kohës kur ishin në shkollën e mesme para përfundimit të maturës.
CMG: Ti ke qenë pjesë e disa festivaleve. Cili është festivali që ti vlerëson më shumë dhe që do doje të merrje pjesë në vazhdimësinë e karrierës tënde artistike?
Naser Berisha: Në “Netët e klipit shqiptar” kam marr pjesë disa herë me videoklipet e mia, por vetëm një herë kam qenë prezent. Në festivale të tjera me karakter garues kam një pjesëmarrje te “Zico Company” që ishte “Çelësi muzikor”, pasi në atë kohë kam qenë pjesë e asaj kompanie, që në një farë mënyre isha i obliguar të merrrja pjesë. Gjithashtu ishte dhe kënaqësi pasi në atë festival mora çmimin “Vokali më i mirë” që është një ndër çmimet më të mira për një artist pasi vokali është ai për të cilin ne vlerësohemi. Ndërsa sa i takon dëshirës se ku dëshiroj të marr pjesë, është Festivali i Radio Televizionit Shqiptar, ai i cili të jep mundësinë për të konkuruar më pas në Eurovizion.
CMG: Vitet e fundit ke qenë mjaft aktiv në tregun muzikor si solist por dhe bashkëpunime me këngëtarë të tjerë, ku vetëm këtë vit ke sjellë për publikun 4 këngë të shoqëruara me videoklipe. Është videoklipi pjesë e rëndësishme për të prezantuar këngën?
Naser Berisha: Vitet e fundit kam filluar të punoj më shumë për realizimin e këngëve, pasi kisha bërë një pushim që nga viti 2007- 2012 për arsye personale, shëndetësore. Ndërsa këtë vit kam realizuar 4-5 këngë me videoklipe, për të publikuar në fund të muajit gusht albumin e ri muzikor. Shpresoj që të mirëpritet nga publiku dhe adhuruesit e muzikës që unë bëj.
Naser Berisha nder vite
CMG: Ti ke realizuar albume muzikore me emra të njohur në botën e muzikës ndërkombëtare si, Axel M, producent dhe orkestrues shumë i sukseshëm në muzikën gjermane dhe atë ndërkombëtare (fitues çmimeve EBBA -Awards në Kanë 2004). Si ishte për ty ky bashkëpunim?
Naser Berisha: Albumin e tretë e realizova në Gjermani ku dhe jetoj. Pas dy albumeve të para vendosa të bëja diçka ndryshe. Producenti Axel M. është shumë i njohur në Gjermani dhe ka një emër ndërkombëtar, nga ana tjetër i mungonte ajo ndjeshmëria e muzikës shqiptare, e rrokut që ishin mësuar njerëzit të dëgjonin nga unë, nga njëra anë ishte më moderne, më pop, etj, por nuk isha unë. Më pas mësova nga kjo përvojë, jo fort e mirë për mua dhe vendosa që të gjitha këngët t’i punoja me shqiptarë dhe t’i punoja në vendin tim. Jo detyrimisht fakti që po punon me persona të famshëm ndërkombëtare të shtyn drejt suksesit të muzikës shqiptare, që publiku ishte mësuar nga unë.
CMG: Çfarë rryme muzikore dëgjon në kohën e lirë?
Naser Berisha: Gjatë jetës së njeriut rrymat muzikore në përgjithësi mbeten të njejta, rrallë herë mund të variojnë. Unë kam filluar me Heavy Metal, AC/DC, Iron Maiden, më pas kam vazhduar me Led Zeppelin, Queen dhe mendoj se vokalisti Freddie Mercury është artisti me vokalin më të mirë në planet, ndërsa tani dëgjoj edhe muzikë pop nga Ed Sheeran, Adele etj.
Naser Berisha
CMG: Cilat janë planet e tua në muzikë?
Naser Berisha: Planet e mia janë së pari të sjell sa më shpejt albumin tim të katërt, i cili do vijë sapo të përfundoj së publikuari 10 këngët. Nëse më parë përgjatë një viti mund të realizoja dy këngë në vit, gjatë kohës së pandemisë punova më fort gjatë qëndrimit në shtëpi dhe realizova një album të tërë.
CMG: Cili është vendi yt i preferuar për pushime? Ku do i kalosh pushimet këtë verë?
Naser Berisha: Vendi im i preferuar për pushime janë vendet tropikale. Isha në Karaibe, në Ishujt e Spanjës, në Egjipt dhe më tej. Kam qenë gjithashtu në jugun e Shqipërisë ku kam kaluar pushimet për 4-5 vite me rradhë me familjen time dhe kemi kaluar shumë, shumë mirë.
CMG: Çfarë do i thoje publikut shqiptar tani?
Naser Berisha: Unë e di se kam një publik mjaft të mirë dhe dëgjohem shumë. Në kanalin Spotify e shoh që dëgjohem shumë në Tiranë, Shkodër, Korçë etj, ka dëgjues të rregullt të cilët gjatë ditës i klikojnë disa herë këngët e mia. Unë do ju kërkoj që të vazhdojnë të më ndjekin sepse do kenë mundësi që të dëgjojnë këngë të reja, në stilin që unë realizoj. E përshëndes gjithë publikun, faleminderit dhe ty Sava për ftesën. Gjithë të mirat për ju dhe dëgjuesit tuaj!
Intervistoi: Sava LENA