Rosela Gjylbegu është një këngëtare e njohur shqiptare që fillimet e saj i ka që në fëmijëri. Rosela ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme shkollore, duke vijuar me pjesëmarrjen e saj ne festivalet e fëmijëve në Shkodër si koriste, e më pas edhe si soliste. Megjithëse e pasionuar pas baletit gjatë periudhës së shkollës si dhe pjesë e trupës së baletit aty, karrierën muzikore Rosela e filloi rastësisht në moshën njëmbëdhjetë-vjeçare, kur në një manifestim zëvendësoi shoqen që mungon dhe këndoi këngën “Without you” nga Mariah Carey. Interpretimi i saj i ra në sy mësueses, e cila e solli në “Qendrën Kulturore të Fëmijëve”. Në vitin 1999 Rosela u vlerësua me çmimin e dytë, në një trio të kompozuar nga Jetmir Barbullushi me titull “Të Europës jemi ne”. Gjatë kësaj periudhe ajo ka marë pjesë në aktivitete të ndryshme të qytetit të Shkodrës dhe aktivitete shkollore.
Me gjithë pjesëmarrjen në konkurse të ndryshme, vetëm në vitin 2003 Roselës iu dha një mundësi e mirë për të shfaqur talentin e saj. Ishte pjesëmarrja në “Ethet e së premtes mbrëma” spektakël që në një mënyrë i ndryshoi jetën dhe i dha mundësi të madhe për të treguar vlerat dhe talentin vokal. Rosela Gjylbegu u vlerësua e treta në këtë spektakël dhe menjëherë u bë e njohur, duke fituar simpatinë e publikut.
Menjëherë pas “Etheve”, Rosela u shfaq në Festivalin 42-të të Këngës në RTSH, në dhjetor të 2003-tës me këngën “Hirushja” (me tekst të Pandi Laços, orkestrim të Shpëtim Saraçit dhe kompozuar nga Endri Sina) dhe u vlerësua me çmim të tretë. Pas saj ajo mori pjesë në shumë festivale si, “Top Fest”, “Kënga Magjike”, “Fest i RTSH-së” si dhe në spektakle të ndryshme, fituese e shumë çmimeve, si dhe ato të para, të dyta e të treta.
Në vitin 2004 mori pjesë në Festivalin Evropian të këngës “Eurovision Song Contest” si vokaliste bashkë me “etheistët” e tjerë, kur Shqipëria debutoi me këngëtaren Anjeza Shahini. Që nga ky moment ajo vazhdon karrierën artistike me shumë sukses dhe me një repertor të zgjeruar muzikor. Gjithashtu Roselën e kemi parë edhe në rolin e prezantueses ku së bashku me humoristin Julian Deda kanë prezantuar edicionin e 50- të të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, të mbajtur në Shkodër në korrik të vitit 2012. Fituese të festivalit “Kënga Magjike” në vitin 2009, Rosela Gjybegu me këngëtaren Eliza Hoxha dhanë një mesazh mjaft të bukur, ku teksti thotë: “Ti beso në fuqinë e zemrës tënde, Dhe vazhdo dhe atëherë kur ti rrëzohesh, mos ndalo asnjëherë” Nëse keni një talent të caktuar, duhet të besoni në fuqinë e zemrës tuaj, sepse me shumë punë e talent ju do të arrini shumë lart.
Përgatiti Sava Lena