Intervistë me muzikantin e grupit legjendar “Djemtë e detit”, Valentin Markvukaj
Grupi muzikor “Djemtë e detit” përgjatë dy dekadave ka krijuar këngë hite, ishin fitues të disa çmimeve si; “Interpretuesi dhe grupi më i mire” në Festivalin e RTSh-së në vitet 1997-1998, “Çmimi i parë” në festivalin “Mikrofoni i artë” në vitin 2002 me këngën “Jo tani” etj, por mbi të gjitha ata fituan zemrat e publikut. Në vitin 1997 grupi krijoi albumin muzikor me titull “Izolimi vdes”, i cili pati mjaft sukses. Pas 10 vjetësh u desh që Valentin Markvukaj (kompozitori, tastjeristi dhe producenti i grupit) të takohej me Gentjan Demaliaj (i cili ishte solisti dhe poeti i shumë prej këngëve të grupit) dhe së bashku nisën të bashkëpunonin për realizimin e albumit të dytë me titull “EPOS”, një album me tendenca progresive, por gjithmonë prioriteti kryesor ishte melodia.
Albumi “Epos” pa dyshim që është një ndër albumet më profesionale të realizuara nga një grup rroku në Shqipëri. Është një album ku teknika, melodia, zëri dhe koncepti kurorëzohen në maksimum. Pas një shkëputje disa vjeçare grupi “Djemtë e detit” u rikthyen për publikun në vitin 2012 në spektaklin e Tv Klan, “100 vjet muzikë”, që ishte dhe dalja e tyre e fundit si grup muzikor. Ata mbeten një nga grupet më të mirë të rrokut shqiptar edhe pse tashmë të shpërbërë, hitet e tyre kanë lënë gjurmë në muzikën tonë. Solisti i këtij grupi Gentjan Demaliaj u nda nga kjo jetë disa vite më parë, në muajin e ftohtë të janarit 2015, por zëri i tij, tekstet e krijuara nga vetë ai dhe këngët e këtij grupi mbeten përjetë e të pavdekshme në memorien e publikut shqiptar.
Grupi “Djemtë e detit”, himnet e tyre, vijnë përmes një interviste telefonike nga Australia e largët me kompozitorin e grupit Valentin Markvukaj. Nga kantautori Gentjan Demaliaj ai është quajtur “bërthama e grupit”.
CMG: Ishin fillimet e viteve ’90 kur grupi “Djemtë e detit” patën sukseset e para. Çfarë kujton ti nga ato momente?
Valentin Markvukaj: Unë faktikisht i jam bashkuar grupit, pas realizimit të këngës së parë “Ëndrrat që për ty i thura”. Pas suksesit që ka patur grupi me atë prezantim do thoja se ADN-ja e grupit është e një stili tjetër, në krahasim me atë që u prezantua për herë të parë. Kemi parasysh që janë vitet ’90 dhe prezantimi me atë paraqitje skenike ishte shumë ndryshe për muzikën e asaj kohe.
CMG: Ti ke qenë autori i këngëve të grupit “Djemtë e Detit”. Si i sheh sot ato materiale muzikore pas rreth 3 dekadave?
Valentin Markvukaj: Përsa u përket krijimeve ka kaluar një kohë e konsiderueshme. Do thoja se tingollojnë këndshëm edhe sot si këngë, si inçizime, por po të ishin regjistruar në kohët e sotme do të ishin me më shumë cilësi dhe më moderne. Sa i përket stilit, strukturës dhe orkestrimeve dhe çdo gjë që i përket rrokut, tingëllon këndshëm ende dhe sot.
CMG: Çdo këngë e juaja bëhej hit dhe mbi të gjitha i kanë rezistuar kohërave. A mendon se publiku ka nevojë për t’i dëgjuar sa më shumë këto këngë dhe ka ardhur momenti për t’i risjellë në një përmbledhje?
Valentin Markvukaj: Nuk e di nëse publiku ka ende dëshirë që t’i dëgjojë këto këngë apo jo. Për mua është kënaqësi që janë dëgjuar, janë vlerësuar dhe që ende dëgjohen sot e kësaj dite. E kam menduar që në një të ardhme, jo shumë të largët të ketë një përmbledhje me një trajtim tjetër të këtyre këngëve.
CMG: Si krijohej muzika atëherë dhe si krijohet tani?
Valentin Markvukaj: Ne dikur krijonim për vete, për të kënaqur dëshirat tona në rradhë të parë, pastaj ishim me fat që muzika jonë u pëlqye. Mesazhi është transmetuar te publiku dhe fansat tanë i lidhin këngët tona me një pjesë të jetës së tyre. Kjo është fantastike! Kurse sot shihet muzika në një prizëm tjetër, muzika sot është biznes. Ne dikur kemi testuar në një farë mënyre veten tonë dhe njohuritë tona muzikore, që fatmirësisht ndodhi që të ishim të suksesshëm.
CMG: Ti ke punuar këngë dhe për këngëtarë të ndryshëm. Cilit vokal i përshtatet më së miri muzika jote?
Valentin Markvukaj: Varet çfarë muzike krijoj, por gjithsesi mendoj se i përshtatet një vokali potent. Është ai që kam preferuar gjithmonë të bashkëpunoj.
CMG: Me largimin nga kjo jetë të këngëtarit, Gentjan Demaliaj, a do ketë vazhdimësi grupi “Djemtë e Detit”?
Valentin Markvukaj: Me largimin e Gentit, ai la një boshllëk të madh në grup dhe mendoj se është shumë e vështirë që të riplikohet ajo ADN-ja e grupit, por asnjëherë nuk i dihet.
CMG: Si është jeta jote në Australi?
Valentin Markvukaj: Këtu në Australi unë vazhdoj të punoj si producent muzikor. Kam studion time, ku punoj me artistë të ndryshëm dhe pak a shumë ky është aktiviteti im për momentin.
Jeta këtu është shumë e bukur, e qetë, multi-kulturore si çdo vend i Perëndimit me rregulla, por në përgjithësi është vend i këndshëm për të jetuar.
CMG: A do të të shohim në të ardhmen në ndonjë festival apo koncert me materialet e tua muzikore?
Valentin Markvukaj: Nuk e di, nuk kam qenë i interesuar, por në të ardhmen nuk i dihet.
CMG:Si është marrëdhënia juaj me vajzën e Gentit, Edean? A mund ta marrë ajo stafetën e babait të saj?
Valentin Markvukaj: Edea është një vajzë shumë e zgjuar, me një vokal mjaft interesant dhe as që kam dyshimin më të vogël që të vazhdojë karrierën e saj si këngëtare. Për momentin ajo po ndjek studimet e larta dhe është shumë e fokusuar te shkolla. Ne kemi bërë disa bashkëpunime, disa gjëra të vogla me Edean. Por padyshim që ajo ka potencialin për t’u bërë një këngëtare mjaft e suksesshme dhe një kantautore mjaft e mirë, pasi Edea edhe shkruan vetë këngë.
CMG: Çfarë të ka mbetur pa u thënë sa i takon grupit “Djemtë e Detit” dhe që mund ta shprehësh sot?
Valentin Markvukaj: Shumica e gjërave mendoj se janë thënë, por ajo që na ka mbetur merak është se pas albumit “Epos” ne kemi patur në plan që të bënim një turne në të gjithë Shqipërinë, me një koncert të madh në një stadium me grupin, por që nuk u realizua për arsye se mua mu desh që të kthehesha në Australi pas publikimit të albumit. Ky është një nga ato pengjet që mund të them.
CMG: Çfarë do u thuash adhuruesve të muzikës tuaj, që aq shumë ju duan?
Valentin Markvukaj: Për këtë doja të falënderoja të gjithë adhuruesit, të gjithë fansat që e kanë dashur, e kanë vlerësuar dhe akoma vazhdojnë t’i dëgjojnë këto këngë pas kaq vitesh. Më bëjnë të ndjehem mjaft mirë, shumë i vlerësuar në këtë drejtim dhe i falënderoj përzemërsisht.
CMG: Ndërsa unë të falënderoj ty Valentin shumë për këtë bisedë telefonike në distance të largët. Programi “Muzika shqip” ka gjithmonë hapësirë për të transmetuar këtë muzikë kaq të bukur që ju keni realizuar me aq mjeshtëri. Shumë faleminderit për këtë muzikë të mirë!
Intervistoi: Sava Lena