Kalanja e Ali Pashës
Olen Cesari, violinisti i njohur shqiptar me famë botërore, do të organizojë “Porto Palermo festival”, në Kalanë e Ali Pashës, i cili do të mbledhë pushuesit e bregdetit të Jonit, çdo fundjavë, duke filluar nga 15 korriku deri më 15 gusht.
Olen Cesari e konsideroi kalanë e Porto Palermos kornizën më të bukur që mund të ketë ky festival. “Kemi menduar që ta zgjasim në harkun kohor të një muaji. Festivali do të jetë çdo të premte të shtunë, ndërsa në javën e katërt që ka më shumë njerëz do të ketë tre koncerte”, -tha Cesari, raporton “Top Channel”.
Një muaj i magjishëm do të përcillet nën tingujt e muzikës së shumë emrave të njohur të skenës shqiptare dhe jo vetëm. Të ftuar përgjatë javëve do të jenë Daniele di Buonaventura, Eden Loren dhe Laura Bredam, Gëzim Myshketa, Elina Duni, Kastriot Tusha e Vikena Kamenica. Ndërsa Olen Cesari trio do të jetë pjesë e të gjitha mbrëmjeve, me orkestrime të ndryshme dhe bashkëpunime. (Irma)