Laura Krliu është këngëtare e njohur shqiptaro-maqedonase. Ajo ka qenë pjesë e shumë festivaleve dhe koncerteve. Është këngëtare, dublante, aktore dhe artizane. Rrugëtimi i Laurës në fushën e artit ka nisur që në moshë të vogël ku ajo ka qenë pjesëmarrëse e rregullt e festivaleve të ndryshme për fëmijë (ku i pari ka qenë festivali Ylberi ne vitin 1998 në të cilin ajo u vlerësua me çmimin “Performanca më e mirë”) për të vijuar më pas me festivale të tjera. Ka qenë pjesë spektakleve për talente muzikor në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Ka përfunduar studimet në degën e Juridikut dhe momentalisht përfundon Magjistraturën për Marketing – Biznes. Në programin “Muzika shqip” Laura na tregon për të rejat e saj muzikore, por dhe për pasionet e saj të pandashme si; muzika, dublimi, kërcimi etj.
CMG: Përshëndetje Laura! Kënaqësi që të kam në programin “Muzika shqip”!
Laura Krliu: Përshëndetje! Kënaqësia është e gjitha e imja dhe faleminderit përzemërsisht për ftesën!
CMG: Që në moshë të vogël ti ke garuar në Talent- Show në Shqipëri dhe në Maqedoni të Veriut. Sa ke përfituar ti prej tyre?
Laura Krliu: Kam përfituar prej tyre aq sa edhe ato kanë përfituar prej meje. Sinqerisht pa to nuk do të isha këtu ku jam dhe arti në të vërtetë është simbiozë, ku të gjitha palët shkëmbejnë vlera ndërmjet tyre, duke na sjellë më pranë botës e duke e bërë jetën një dhuratë e mrekulli.
CMG: A mund të bësh art sot vetëm me talent pa përkrahje, dhe a ke patur një mbështetje ti personalisht?
Laura Krliu: Kushdo mund të bëjë art pa përkrahje. Ka shumë artistë të mrekullueshëm që nuk i njeh kush, që bëjnë art në shtëpinë e tyre dhe pa i thënë askujt. Çdokush që e ka një talent dhe mund ta bëjë diçka unike në mënyrën e tij. Mua nuk më ndimuan miqtë apo familja që të jem artiste, ata më ndihmuan që të shpërndaj artin tim me njerëzit. Ata u bënë ura për të më lidhur me publikun dhe që vazhdojnë të më ndihmojnë edhe sot. Dhe u jam shumë falenderuese!
CMG: Ti Laura jeton në Maqedoninë e Veriut. Sa e vështirë ka qenë për ty që të hysh në tregun muzikor aty?
Laura Krliu: Ka qenë e vështirë, por jo edhe aq. Kur je në të vërtetë i përkushtuar në diçka nuk lodhesh kollaj. Pasioni për muzikën ishte gjithmonë aty dhe prej tij unë e shijova të gjithë rrugëtimin tim nga fillimi deri në fund.
CMG: Përveç repertorit tënd në gjuhën shqipe ke dhe atë në gjuhën maqedonase. Kur këndon, në cilën gjuhë ke më shumë sukses në muzikë?
Laura Krliu: Suksesin pavarësisht se në cilën gjihë e këndoj, e kam në muzikë dhe përderisa muzika ka nota dhe jo gjuhë, i flasim shpirtit, nuk ka rëndësi, por nuk është sekret, që pas suksesit të mëparshëm në gjuhën maqedonase, jam orientuar komplet për tregun shqiptar. Dhomethënë këndoj në gjuhën shqipe.
CMG: Ke më shumë miq shqiptar apo maqedonas?
Laura Krliu: Kam miq shqiptar, kam dhe miq maqedonas. Shoqja ime e ngushtë është greke. Unë miqtë nuk i ndaj në nacionalitet apo në komb, thjesht i ndaj me njerëz të mirë e njerëz të këqinj.
CMG: “Kjo Bachata”. Idea për këngën “Kjo Bachata” lindi pasi u dashurove me kërcimin?
Laura Krliu: Në fakt unë qëllova rastësisht në një lokal në qytetin ku jetoj në Shkup, ku kishte kërcim latin dhe aty më ftuan të vallëzoja. Në atë moment ishte si dashuria me shikim të parë. U dashurova me rrymën, ushtrova kërcimin sepse përveç këngës doja që të kisha dhe eksperiencën drithëruese të stilit “bachata” në të gjitha format e saj.
CMG: Ti ke qenë në një koncert në SHBA. Na trego pak për këtë eksperiencë.
Laura Krliu: Koncerti im në SHBA ishte në kuadër të Ministrisë së Kulturës dhe shkoi më mirë se sa e prita. Aty këndova në tre gjuhë, shqip, anglisht dhe spanjisht së bashku me babain tim dhe orkestrën e tij. Kaluam shumë mirë, ishte një ndjenjë mjaft e bukur.
CMG: Ti je dublante e telefilmave turq! Çfarë pasionesh të tjera ke ti Laura?
Laura Krliu: Më pëlqen të krijoj, të jem aktive në jetë dhe të eci duke shfrytëzuar çdo sekondë. Përveç muzikës dhe dublimit, punoj në një kompani për tregun jashtë vendit. Para pandemisë hapa shkollën time për “Vallëzim latin”, por për fat të keq për shkak të pandemisë mu desh ta mbyllja, por kjo do shihet në vazhdimësi. Tjetër pasion që kam është ushtrimi dhe ushqimi i shëndetshëm. Ka disa vite që ushqehem mirë se bën mirë për për trupin dhe mendjen.
CMG: Një vit më parë ti solle këngën “Nata e fundit”. Na trego pak për këtë realizim.
Laura Krliu: “Nata e fundit” ishte një projekt serioz dhe mua. Më duket sikur unë gjej veten më në fund, gjej identitetin tim dhe komplet si artiste ku zhvillohem më shumë. Aty i kam bashkuar dy dashuritë e mia këndimin dhe vallëzimin. Gjatë realizimit të videoklipit mora gjithë shoqërinë time, ku u kënaqëm shumë edhe pse u xhirua një ditë para mbylljes së kufijve, më 9 Mars të vitit 2020. Doli ashtu si e prita, madje edhe më mirë.
CMG: Ku është synimi yt për në vazhdim, në tregun shqiptar apo atë maqedonas?
Laura Krliu: Unë jam fryt dashurie e një mashkulli shqiptar dhe një femre maqedonase, po ashtu do të jem edhe në karrierën time fryt dashurie për të dyja tregjet, por për momentin tregu shqiptar mbase edhe ai amerikan nuk i dihet.
CMG: Do na tregosh pak për jetën tënde private, a je në një lidhje Laura?
Laura Krliu: Mund të them se jam mjaft e plotësuar dhe nuk kam qenë asnjëherë më e lumtur se kaq.
CMG: Cilat janë projektet e tua në vazhdimësi?
Laura Krliu: Projektete e mia të rradhës janë dy këngë. E para do jetë përpunimi i këngës “Kjo Bachata” në gjuhën spanjolle dhe një cover do jenë në stilin e njejtë “bachata”, të cilat do dalin shumë shpejt. Është gjithçka e realizuar, vetëm po pres të përfundoj dy klipet e këtyre dy këngëve, si dhe koncerti im i parë solistik, i cili do të jetë më datën 29 korrik, ku do të përpunoj të gjitha këngët e lehta shqiptare, në një stil më modern. Natyrisht e kam lidhur edhe me latinen dhe do të kem të gjithë trupën e baletit latin që do jenë me mua në skenë. Për detaje të tjera, mund të më ndiqni në mediat e mia sociale ku unë publikoj çdo gjë të re.
CMG: Faleminderit që ishe në “Muzika shqip” dhe suksese në karrierën tënde artistike por edhe me koncertin !
Laura Krliu: Shumë faleminderit për ftesën!
Intervistoi: Sava Lena