Ervis Behari është këngëtari i muzikës popullore me një zë të veçantë dhe tepër i suksesshëm, një nga këngëtarët më të kërkuar të momentit në tregun muzikor shqiptar, i cili herë pas here ka sjellë hite në këtë zhanër. Këngët “Nënë” “Dajo”, “Plaka mbi taka” dhe të tjera të publikuara nga ky artist kanë marrë miliona klikime, duke u bërë hite. Pjesmarrja e tij në spektaklin televiziv “Këngë moj” ku interpretoi mjeshtërisht disa kolazhe popullore të trevës së jugut, bëjnë që Ervisi të jetë një përçues i denjë i muzikës së vërtetë popullore. Në një intervistë për CMG ai na tregon për rrugëtimin e tij artistik si dhe projektet në të ardhmen.
CMG: Përshëndetje Ervis dhe faleminderit për pjesëmarrjen në Bio Folk!
Ervis Behari: Kënaqësia është e gjitha e imja dhe faleminderit shumë për ftesën.
CMG: Ju keni pak vite që keni hyrë në tregun muzikor shqiptar, por keni arritur të keni shumë sukses dhe jeni nga këngëtarët më të preferuar të momentit. Kjo mendoj falë talentit dhe punës tuaj profesionale.
Ervis Behari: Janë disa gjëra që besoj ndikojnë në suksesin e një këngëtari, pa diskutim që talenti është kryesor, por janë dhe bashkëpunimet. Unë prej disa vitesh bashkëpunoj me kompozitorin e mirënjohur Adrian Hilën dhe poetin Arben Duka dhe besoj që këto kanë ndikuar në suksesin tim, janë ata që jam edhe unë.
CMG: Është fat i madh të bashkëpunosh me emra të mëdhenj të muzikës si Adrian Hila dhe Arben Duka. Kështu që kur bashkohet një treshe e mirë dhe suksesi është i garantuar.
Ervis Behari: Unë jam i priviligjuar që punoj me këta emra të mëdhenj të muzikës shqiptare dhe është e vërtetë që kemi krijuar një treshe dhe mundohemi në maksimum për të sjellë gjëra sa më të bukura për publikun dhe sidomos realitetin.
CMG: Në fakt këngët tuaja janë tepër aktuale dhe që kanë prekur të gjitha familjet shqiptare, siç janë kënga “Nënë” apo kënga tjetër “Dajo”.
Ervis Behari: Kënga e nënës bazohet në histori të vërtetë të jetës time personale, po ashtu dhe kënga e dajos. Këto këngë kanë një realitet brenda dhe kjo ka ndihmuar që këto këngë të bëhen hite dhe të kenë këtë lloj suksesi.
CMG: Ndalemi pak tek krijimtaria juaj e re popullore, ku ju keni sjellë këngë të reja, por njëkohësisht keni interpretuar dhe këngë të vjetra popullore.
Ervis Behari: Unë të gjitha këngët që kam në repertorin tim deri tani janë krijime të reja. Dua të përmend një fakt. Unë kam qenë pjesë e spektaklit “Këngë moj” në Vizion Plus e cila ka qenë një eksperiencë shumë e bukur për mua dhe aty më kanë parë njerëzit me këngë të tjera, sepse e gjithë krijimtaria ime ka qenë e re.
CMG: Jeni i vetmi këngëtar që i keni kushtuar një këngë dajallarëve. Si është pritur nga publiku këngë “Dajo”?
Ervis Behari: Unë kur kam qenë i vogël kam qenë shumë i lidhur me dajon dhe njëkohësisht ai me mua. Në atë kohë unë kam qenë në klasën e parë dhe dajo im që jetonte jashtë shtetit, duke parë që unë këndoja në shtëpi dhe gjatë gjithë kohës kur komunikonim në atë kohë me telefon më kërkonte që t’i këndoja dajos. Daja ka qenë mbështetja ime më e madhe, përpos mbështetjes së prindërve të mi. Prandaj që them se i takonte një këngë dajos.
Kjo këngë është pëlqyer shumë që në momentin e parë që është publikuar dhe më ka dhënë identitet. Unë e këndoj me gjithë shpirt sa herë jam nëpër evente të ndryshme, sepse e ndjej te vetja ime pastaj detyrohem ta këndoj dhe për publikun.
CMG: Edhe videoklipet tuaja janë realizuar në mënyrë profesionale. Videoklipi i këngës “Plaka mbi taka” është realizuar kaq bukur!
Ervis Behari: Unë dëshiroj të falenderoj të gjitha zonjat që kanë qenë pjesë e videoklipit, sepse përveçse një këngë e bukur mendoj që një klip i bukur e kompleton atë këngë dhe këto zonja që morën pjesë në videoklipin e këngës “Plaka mbi taka”, më kanë ndihmuar shumë për atë projekt që të dilte diçka e bukur.
CMG: Ju jeni dhe modest. Thjeshtësia që ju aforn edhe më tepër me publikun.
Ervis Behari: Unë mendoj që është familja baza e gjithë kësaj sepse nuk mundesh gjithësesi që të hiqesh si dikush që nuk je. Unë kështu jam, kështu sillem dhe kështu do jem gjithmonë. Madje edhe me miqtë dhe shokët e mi në këto momente ku unë kam arrtiur këtu ku jam sot megjithëse kam akoma shumë punë për të bërë, përsëri mundohem njëherë në kaq kohë ti bëj telefon që të mblidhemi dhe mos t’i harroj ata. Unë jam përsëri ai Ervisi që kam qenë në gjimnaz, apo në shkollën e lartë dhe jam i njëjtë si në jetën reale ashtu dhe në skenë.
CMG: Jeni nga këngëtarët më të kërkuar nëpër evente artistike si jashtë dhe brenda vendit, por gjatë periudhës së pandemisë aktivitetet janë pezulluar. Sa e keni ndjerë mungesën e publikut dhe të koncerteve?
Ervis Behari: Mendoj se ka qenë për të gjithë këngëtarët një vit i vështirë dhe jo vetëm për neve, nuk po flas vetëm për anën ekonomike sepse në situata të ndryshme shikoj njerëzit që kanë një rrogë minimale dhe mendoj se ne jemi mirë sepse ka njerëz shumë herë më keq se sa ne përsa i përket anës ekonomike. Ndërsa më shumë rëndësi ka ana shpirtërore, që do të thotë që këngëtari është i ndjeshëm dhe i mungon ai publiku dhe mua pa diskutim më ka munguar shumë, e them sinqerisht këtë gjë.
CMG: Keni qenë pranë publikut virtualisht në spektaklin muzikor “Këngë moj”, ku çdo javë keni sjellë kolazhe të bukura popullore të trevës së jugut. Gjithashtu edhe dueti me këngëtaren Juliana Pasha pati një sukses të madh. Çfarë emocionesh përjetuat në skenën e këtij spektakli?
Ervis Behari: Ka qenë projekti më i bukur gjatë gjithë kësaj kohe pandemie, sepse i ka sjellë njerëzve çdo të martë këngëtarët më të mirë, kurse unë isha më i riu aty. Ky ishte një spektakël i jashtëzakonshëm duke pasur parasyssh se ishte treshja Adrian Hila, Pandi dhe Bledi Laço. Nuk mundej kurrësesi që të dilte diçka e dështuar, kur bashkohen ato të tre del gjë shumë e bukur.
Përsa i përket duetit me Julianën, kënaqësi shumë e madhe që unë të këndoja me Juliana Pashën, përveçse një mike shumë e mirë ajo është një këngëtare shumë e mirë. Ka qenë një duet ku unë kam kënduar me kënaqësinë më të madhe dhe që dëshira ka qenë shumë e madhe, si nga ana ime ashtu edhe nga Juliana që të sillej ai kolazh.
CMG: Si u ndjetë kur këndonit live në një skenë të madhe me një orkestër profesionale?
Ervis Behari: Neve gjatë gjithë kohës nëpër evente të ndryshme këndojmë live, sepse jemi këngëtar të muzikës popullore dhe normalisht që në koncerte ne shkojmë me orkestër. Por aty ishte diçka tjetër, aty ishte emocion sidomos për mua si këngëtar i ri dhe në atë lloj skene ku përballë kisha këngëtarët që unë jam rritur me këngët e tyre dhe ai për mua është emocion i jashtëzakonshëm. Ai event më bëri shumë mirë sepse kam fituar eksperiencë, duke dëgjuar edhe këngëtarët e tjerë.
CMG: Si janë marrëdhëniet tuaja me këngëtarët e tjerë?
Ervis Behari: Me të gjithë këngëtarët unë kam marrëdhënie shumë të mira. Mendoj që njeriu duhet të përmirësohet fillimisht si njeri në jetën e tij, pastaj nga ana profesionale.
CMG: Keni ndonjë projekt artistik së afërmi?
Ervis Behari: Unë kam disa materiale të reja, vetëm kemi pritur momentin bashkë me Adi Hilën dhe besoj shumë shpejt do të kemi një material të ri shumë të bukur, një këngë verore. Kaq mund të them dhe ta lemë surprizë, kur të dalë kënga.
CMG: Keni prenotime koncertesh këtë vit dhe a do udhëtoni për aktivitete jashtë vendit?
Ervis Behari: Shpresoj, por deri tani nuk kemi marrë ndonjë konfirmim zyrtar, por prenotime normalisht që kemi gjatë gjithë vitit. I kemi të mbylluara të gjitha datat dhe besoj që në nëntor dhe dhjetor do të jem te shqiptarët që jetojnë në Amerikë. Për mua është hera e parë që do jem atje dhe kënaqësi shumë e madhe të jem mes shqiptarëve, që ndodhen në Amerikë.
CMG: Faleminderit Ervis për këtë intervistë dhe së fundi një përshëndetje për dëgjuesit.
Ervis Behari: Faleminderit Gazi dhe të uroj shumë suksese në punën tuaj. Përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe të emisionit Bio Folk.
Intervistoi: Gazmend Agaj