Në vitin 2022 Tirana do të marrë titullin Kryeqyteti Evropian i Rinisë, duke sjellë në qytet mijëra të rinj nga e gjithë Evropa, për të marrë pjesë në mbi një mijë aktivitete rinore.
Në konferencën e donatorëve të mbajtur në mjediset e amfiteatrit pranë Universitetit të Arteve, kryebashkiaku Erion Veliaj e vuri theksin te rëndësia e këtij eventi, që nuk është vetëm për të festuar dhe për t’u argëtuar, por për të krijuar një lidhje të rëndësishme mes të rinjve nga e gjithë bota.
“Edhe për pak muaj Tirana do të jetë Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Do të jetë viti më fantastik për të rinjtë, jo vetëm të Shqipërisë, por do të prodhojmë vitin më energjik dhe më frymëzues edhe për të rinjtë e Evropës”, -tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës ftoi të gjithë të pranishmit që të japin sa më shumë ide dhe të ftojnë sa më shumë të rinj të talentuar nga vendet e tyre që të bëhen pjesë e këtij eventi.
“Ne do të kemi vitin tjetër edhe Dua Lipën edhe Rita Orën e në qoftë se ka sugjerime të tjera, jeni të mirëpritur të na i thoni. Do të ishte gabim nëse ky do të trajtohej si një vit feste dhe ahengu sepse nuk është vetëm i tillë. Ne duam edhe të reflektojmë, të krijojmë lidhje, të krijojmë projekte që do t’i vazhdojmë përtej vitit 2022, të cilat mund të kthehen në marrëdhënie afatgjata”, -pohoi Veliaj.
Përfaqësuesi i BE-së, Sylvain Gamberg, u shpreh se fuqizimi i të rinjve është prioritet i Delegacionit Evropian dhe ky titull është një çmim prestigjioz për të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, rajonit dhe Evropës, sepse është fituar nga vetë ata.
Nën sloganin “Activate”, ky titull është i bazuar në 8 programe kryesore që synojnë gjithëpërfshirjen dhe aktivizimin e të rinjve për zhvillimin e potencialit rinor të qytetit. Në këtë konferencë morën pjesë partnerë ndërkombëtarë, institucione shtetërore dhe biznese. (Elona)