Neki Emra
Neki Emra është këngëtar dhe autor këngësh i njohur kosovar. Ai u lind në një familje me traditë muzikore me babain Fikrim Emra, kompozitor i njohur i viteve '80. Nekiu u rrit me tingujt e pianos çdo ditë dhe talenti i tij u vu re që në moshën 4 vjeçare, koha kur filloi të luante në piano. Më pas përfundoi shkollën e ulët të muzikës për piano. Ishte një ndër talentët e veçantë të shkollës së muzikës në Prizren. Që në fëmijëri Nekiu këndoi në vitet '80 këngët " Jam Pioner" dhe "Prindët shumë i dua".
Pas disa viteve ndërprerjeje të aktivitetit muzikor, Nekiu u rikthye në muzikë në vitin '96 ku filloi të performonte në restorante me muzikë të vjetër qytetare. Në vitin '99 mori pjesë me grupin rock "Hard" si tastier në shumë koncerte, mbrëmje muzikore, e festivale. Ndër to vlen të përmendet festivali "Rock për Rock", ku grupi fitoi çmimin e parë.
Në vitin 2007 kompozoi këngën "Qyteti im", me të cilën ishte fitues i “Zambakut të Argjendë” dhe në festivalin tradicional "Zambaku i Prizrenit", ku u paraqit si kantautor. Neki Emra gjithashtu ka marrë pjesë në Festivalin e 55-të të Këngës në RTSH në viin 2016, me këngën "Dashuri dhe urrejtje".
Prej disa kohësh ai vjen me një tjetër stil të kënduari dhe njihet nga publiku si “këngëtari i baladave”, por me shumë seriozitet e ka marrë dhe servirjen në publik të realizimit të videoklipit të këngës, në mënyrë që ajo të vijë e kompletuar. Ka qenë pjemarrës çdo vit në festivalin “Netët e Klipit shqiptar” ku është vlerësuar një herë me çmimin e madh si dhe çmime të ndryshme vlerësuese. Në videoklipin e këngës së fundit "Provokim" ai ka një rol, ku në fund duhet të ndërrojë jetë. Neki Emra rrëfen për programin "Muzika shqip" gjithçka rreth fabulës së kësaj kënge, por dhe për karrierën e tij artistike.
Neki Emra
CMG: Përshëndetje Neki! Mirë se vjen në programin “Muzika shqip”!
Neki Emra: Përshëndetje Sava, përshëndetje të gjithë atyre që po ndjekin programin "Muzika shqip"!
CMG: Urime dhe komplimentet e mia për projektin tënd më të fundit “Provokim”! Do na tregosh diçka më të zgjeruar për këtë këngë dhe videoklipin ?
Neki Emra: Shumë faleminderit Sava për vlerësimin, e çmoj mendimin tend. Sa i përket këngës së fundit, është Avni Qahili ai i cili ka bërë tekstin dhe muzikën e këngës, ndërsa orkestrimi është realizuar nga bashkëpunëtori i Avniut, Ebrar Mazhar nga Maqedonia. Unë prej disa viteve punoj për videoklipet me regjisorin Alban Zovjanin, me produksionin Red Bird Film.
CMG:E kërkove ti këngën me një fabul të tillë, apo erdhi rastësisht?
Neki Emra: Kënga ka ardhur rastësisht te unë. Më mori në telefon Avni Qahili, i cili më tregoi se kishte një këngë e cila kishte shumë vlerë për atë dhe më kërkoi se vetëm unë mund ta këndoja. Sapo e dëgjova këngën më pëlqeu shumë që me dëgjimin e parë, sidomos vargjet, refreni i këngës, ka shumë emocion, ka kuptim të thellë. Më pas detaje të tjera u zhvilluan rrugës kur erdhi videoklipi, orkestrimi etj.
Neki Emra gjate videoklipit Provokim
CMG: Ti je personazhi kryesor në videoklip, në rolin e personit që lufton për jetën, derisa jep dhe frymën e fundit. Si i përjetove ato momente, për të hyrë në rol?
Neki Emra: Po, është e vërtetë që kam qenë personazhi që ndërron jetë, madje e kam pyetur regjisorin kur më tregoi skenarin se duhet të ndërroja jetë. E pyeta: A do të më mbytësh?! (qesh).
Ishte në të vërtetë një rol shumë i vështirë. Në fillim mora në telefon familjarët e mi, prindërit dhe u tregova skenarin në mënyrë që të mos bëheshin merak dhe babai më tha që ta hiqja pjesën e fundit, por i spjegova se ai është vetëm një rol. U përgatita edhe vetë psikologjikisht se do të isha i shtrirë për orë të tëra, ku nuk duhej të bëja asnjë lëvizje. Regjisori më ndihmoi mjaft për këtë rol. Sigurisht që nuk jam aktor profesionist, por e kisha një aktore profesioniste që ishte pjesë e videoklipit, e cila kishte pjesën më të madhe të punës. Unë nuk duhej që të kisha asnjë reagim gjatë lojës së saj, dhe mendoj se ia arrita qëllimit, ia dola të isha në nivelin e duhur, të atij personi që ndërroi jetë.
CMG: Teksti i këngës thotë: “A ta quaj provokim, sytë e tua kur më shikuan, u gënjeva përsëri kur mendova se më dashuruan, A ta quaj provokim, ardhjen tënde të papritur, apo thjesht është fati im, dy herë në zemër i goditur”. Për ata që nuk e kanë kuptuar mirë fabulën, na i trego me detaje?
Neki Emra: Shumë bukur i citove vargjet e refrenit të këngës! Këto kanë qenë pikërisht vargjet që më kanë lidhur dhe mua kur e kam dëgjuar për herë të parë këngën. Sa i përket fabulës së klipit, është momenti ku shfaqet ish e dashura dhe në rastin konkret djali (që jam unë) ndodhet në gjëndje kome në spital.
Dhe aty vajza sheh ëndrrat që kanë patur së bashku, sheh një grua shtatzënë (që në vërtetë vajza e ka dashur diçka të tillë), sheh një djalë të vogël (që do donte shumë të ishte djali i tyre). Pra të gjitha ëndrrat që kjo i kishte, po i jetonte dikush tjetër. Dhe në fund ajo sheh bashkëshorten e personit që ka dashur, ndërsa ai po lufton me vdekjen. Aty sheh se ëndrrat që ajo ka patur, po i jetonte dikush tjeter dhe në këtë moment vajza largohet me neveri nga spitali. Ky është dhe çasti kur djali që ishte në gjendje kome ndërron jetë.
Kjo është një histori që mund t’i ndodhë çdokujt, ku ish i dashuri të shfaqet në momentet e fundit të jetës.
CMG: Ky është projekti më i ri, të cilin gjithashtu ti e prezantove te “Netët e Klipit shqiptar”. Si ishte kjo pjesëmarrje këtë vit?
Neki Emra: E vërtetë që kënga "Provokim" ishte fituese pjesëmarrëse te "Netët e klipit shqiptar". Në këtë spektakël marr pjesë çdo vit dhe që nga momenti kur kam qenë fitues i çmimit të madh mundohem që për çdo vit, të paraqitem edhe më mirë artistikisht. Këtë vit prezantimi ishte mjaft mirë, dhe unë u shpërbleva me çmimin e madh të jurisë. Është kënaqësi e madhe kur një punë serioze shpërblehet dhe na inkurajon që të punojmë edhe më mirë në vazhdim.
CMG: Shoh që një vëmendje të veçantë i jep aktrimit në videoklipet e tua. Më i rëndësishëm për ty është mesazhi që përcjell kënga në përgjithësi, apo një videoklip i realizuar më së miri?
Neki Emra: Tek unë kënga dhe videoklipi kanë një rëndësi të veçantë se në kohët e sotme ku teknologjia ka arritur në majat më të larta, i jep më tepër vlerë këngës një videoklip dhe unë mundohem ta realizoj më së miri. Në shumicën e rasteve kam angazhuar aktorë profesionistë. Mendoj se videoklipi duhet të jetë një film i shkurtër që të kuptohet më së miri fabula, por që të dhurojë dhe një emocion. Mundohem përherë që gjithçka të vijë e kompletuar e në nivelet më të larta. A ka më mirë?! Sigursht që ka dhe më mirë, por unë kështu kam menduar ta përcjell artin tim, duke i dhënë rëndësi dhe anës vizuale.
CMG: Nëse nuk do ishe bërë këngëtar, mund të ishe një aktor sot?
Neki Emra: Sa i përket aktrimit, një nga ëndrrat e mia ka qenë aktrimi. Të studioja aktrim në periudhën time nuk mendoja se do fitoja me aktrimin, por nëse do isha edhe një herë i vogël në kohët e sotme, ndoshta do isha bërë actor. Pra është një ëndërr në sirtar. Gjithsesi me videoklipet që realizoj mundohem të bëj në një farë mënyre ndonjë rol të vogël, duke i plotësuar dhe dëshirën vetes për aktrimin.
CMG: Neki, disa nga këngët e tua janë; “Një dhimbje mbete ti”, “Ti më nuk je”, “Te vdes apo të pres”, “Papritmas” si dhe kënga më e re me titullin “Provokim” që ka një fund tragjik. Përse zgjedh përherë fabula me një fund të hidhur?
Neki Emra: E vërtetë që të gjitha këngët e mia e kanë një fund tragjik, ose nëse nuk e kanë një fund tragjik, tregojnë në fund një dhimbje, por kanë gjithashtu shumë art dhe një emocion real. Që në fillimi publiku më pëlqeu në këtë mënyrë dhe më pas krijova këngë të tjera në këtë rrymë muzikore. Ne jemi qënie që kemi emocione, jetojmë pak më ndryshe se qëniet e tjera. Njerëzimi jeton me ndjenja dhe çdokush nga ne kalon dhimbje në jetë që i përjetojmë, i kalojmë shumë vështirë dhe ato na reflektojnë në sfera të ndryshme të jetës. Ne si artistë mundohemi që ato dhimbje t’i pasqyrojmë në sferën artistike, ku mundohemi të nxjerrim ndonjë vepër të bukur. Ngaqë publiku më ka pëlqyer në këtë mënyrë, jam munduar të mbaj të njëjtën linjë.
CMG: Neki, na trego pak për jetën tënde private?
Neki Emra: Përveç muzikës, i kushtoj shumë rëndësi familjes. Mundohem që të mos i ekspozohem shumë skandaleve dhe veprimeve të gabuara. Kam një pasion të madh për të shëtitur nëpër botë. Gjysma ime është muzika dhe gjysma tjetër janë familja, udhëtimet.
Sava & Neki.
CMG: Cilat janë projektet e tua në vazhdim?
Neki Emra: Kam dhe dy këngë të tjera të finalizuara, të cilat ende nuk i kam realizuar videoklipet për shkak se ana financiare e artistëve gjatë pandemisë nuk ka qenë shumë e mirë këtë periudhë, por mendoj se pas verës në muajin shtator mund të sjell një këngë të re për vit të ri, e cila do jetë diçka më festuese për festat e ndërrimit të viteve.
CMG: Çfarë do shtoje së fundi?
Neki Emra: Të falenderoj shumë për intervistën, është gjithmonë kënaqësi! Dua të përshëndes dhe publikun kudo ku ndodhet, i cili më mbështet përherë në projektet e mia, gjithashtu dhe gjithë dëgjuesit e radio “Ejani”.
Intervistoi: Sava Lena