Julka Gramo është bërë e njohur për publikun shqiptar si këngëtare, ku në prezantimin e saj të parë në “Kënga Magjikë” në vitin 1999 mori pjesë me këngën “Stolia e mërzisë”, për të vazhduar rrugëtimin me pjesëmarrje të shumta si në “Fest e Rtsh-së” në vitin 2001 me këngën “Ekzistoj”, “Top Fest” ejt. Prezantimet e saj më të shumta dhe më të suksesshme kanë qenë në skenën e festivalit “Kënga Magjike” këngë të cilat u bënë hite si; “Të Ndjej", "Rio De Janiero", "Kurrë Mos Thuaj Jo". Me këtë të fundit Julka është vlerësuar me çmimin “Best Dance”. Julka Gramo është dhe një nga moderatoret më të dashura për publikun. Ajo ka një marrëdhënie shumë të ngushtë me radion, ku prej vitesh punon si drejtoreshë e NRG Radio, ku është në kontakt të përditdshëm me publikun në programet e saj radiofonike. Vitet e fundit ajo është bërë dhe një figurë e njohur e ekranit të TVSH-së, ku prezanton programin “Pasditja ime lejla”. Në Radio Ejani ajo na tregon për dashurinë që ka për muzikën, radion, televizionin, por dhe për familjen e saj të bukur!
CMG: Përshëndetje Julka! Kam kënaqësinë të të kem të ftuar në programin “Muzika shqip”!
Julka Gramo: Përshëndetje Sava! Është shumë kënaqësi dhe për mua që mora këtë ftesë kaq të veçantë!
CMG: Ti prej disa kohësh prezanton një program televiziv “Pasditja ime lejla”. Të kujtohet si të erdhi ftesa për aty?
Julka Gramo: Më kujtohet shumë mirë! Ftesa e parë më erdhi për të prezantuar ditën e premte “Pasditja e kuqe”, program që i përkiste kulturës, por që në të vërtetë e pata refuzuar. Më pas mu ofrua prezantimi për “Pasditja ime lejla”. Kjo ishte diçka më ndryshe, i përket një hapësire familjare, të cilën unë e mbuloj shumë mirë dhe kështu që e pranova. Aty është një atmosferë familjare, e ngrohtë, që të gjithë e dëshirojnë.
CMG: Ti drejton hapësirën lejla, por a është kjo dhe ngjyra jote e preferuar?
Julka Gramo: Ka filluar të më pëlqejë edhe ngjyra lejla, por e preferuara ime është ngjyra turkuaz.
CMG: Si e sheh këtë eksperiencë televizive?
Julka Gramo: Më pëlqen shumë, gjë të cilën nuk e kisha pritur. Tvsh-ja është një kanal që shihet në të gjithë territorin, këtë e kam vërejtur në vende të ndryshme ku kam udhëtuar dhe njerëzit në rrugë nuk më njohin thjesht si Julka këngëtare, por tani edhe si Julka e pasdites në Tvsh. Unë kam bërë televizion edhe shumë vite më parë, por duke qenë prezente në radio për shumë kohë, sfida e televizionit është më e thjeshtë sepse çdo gjë menaxhohet më lehtë në transmetimet live. Në televizion jam me pak më tepër truk, që në radio nuk e kam, por që më pëlqen shumë dhe e enjtja është ajo dita ku unë zbukurohem.
CMG: Po publiku si të ka pritur kur dole në ekran?
Julka Gramo: Duket se u pëlqej sepse u vij në prezantim ndryshe, u vij ëmbël, shtruar, e thjesht, pa filtra ashtu si jam unë, jo shumë e ngurtë. Dhe një tip si unë nuk mund të vinte ndryshe.
CMG: Kë do të veçoje nga këto dy profesione?
Julka Gramo: Kur isha e vogël kam patur ëndërr të këndoja. Mendoja sikur isha në skenë, bëja këngë të bukura. Me kalimin e kohës, radio erdhi dhe ma zbehu dëshirën, dashurinë dhe pasionin për muzikën. Kështu që radio është dashuria ime më e madhe sot, e cila mban vendin e parë, por duke qenë se jam dhe në televizion nuk mund ta lë pas dhe atë sepse po ashtu është dashuri.
CMG: Radio në vendin e parë, televizioni në të dytin, po muzika?
Julka Gramo: Muzika mban vendin e tretë, si performuese në këtë moment. Duke qenë një person me këmbë tokë asnjëherë nuk e kam parë veten si një “Diva” e madhe. Madje ndonjëherë vihesha në siklet kur njerëzit më puthnin duart, e më thonin “faleminderit për muzikën që bëni”, na merrnin autografe në vendet më të çuditshme. Ka qenë një emocion shumë, shumë i madh, kur shihja një publik i cili i këndonte këngët e mia fjalë për fjalë.
CMG: Ti je në kontakt të përditshëm në radio me dëgjuesit, a e kërkojnë ata një këngë të re nga Julka?
Julka Gramo: Në fakt dëgjuesti e mi në radio më duan ashtu si jam, të jem në radio, t’u bëj shoqëri, t’u fal pozitivitet. Ndërsa fansat në një aspekt më të gjerë, më shkruajnë pa pushim në rrjetet e mia sociale, ku kërkojnë me insistim rikthimin tim në muzikë. Kam zbuluar se kam rritur shumë breza (qesh). Tani nuk më vjen mirë kur më thonë: “ne jemi rritur me ty”. Pak ditë më parë kishte ditëlindjen një mikesha ime dhe kur e urova më thotë: “Nuk e kisha menduar se për 29 vjetorin do më uronte idhulli im i fëmijërisë”. Pra e vë re se ka një lloj nostalgjie për muzikën që bëja dikur. Një ditë po kërkoja këngët e mia e po i shkarkoja nga internet se nuk i kisha në arkiv. Pra ndodh edhe kështu!
CMG: Të kujtohet kënga e fundit?
Julka Gramo: Kënga e fundit mban titullin “Për mua je dashuri”, të cilën e kam kënduar në “Top Fest 9”.
CMG: A do doje t’i ktheheshe muzikës, qoftë vetëm për kënaqësinë tënde?
Julka Gramo: Jo vetëm që e kam menduar, por kam krijuar edhe këngë disa vite më parë, por më ka ndodhur një problem e më janë fshirë të gjitha. Po absolutisht që kam shumë dëshirë që ta realizoj një këngë për kënaqësinë time, por dhe të gjithë atyre njerëzve që më shkruajnë pafund që unë të rikthehem me një këngë të re. Nuk mund të jap një afat të caktuar, se nuk më pëlqen të flas para kohë, por mendoj se gjërat vijnë atëherë kur është momenti.
CMG: Sa i pëlqen zhanrit muzikor, çfarë të pëlqen tani?
Julka Gramo: Jam natyrë që më pëlqen muzika në të gjitha dimensionet e saj, por për ta kënduar mund të ishte një këngë house ose një këngë e qetë, që patjetër do të kishte dritë.
CMG: Po fëmijët, i kanë dëgjuar këngët e tua dhe a të kërkojnë të realizosh këngë të reja?
Julka Gramo: I kanë dëgjuar kohë më parë nga mbesat që i dëgjonin dhe i kanë ditur disa këngë. I kam treguar episode nga jeta ime.
CMG: Si e etiketojnë ata mamin si këngëtare apo prezantuese?
Julka Gramo: Si mami prezantuese sepse më shohin në televizion, më dëgjojnë në radio çdo ditë, madje kanë filluar që të hyjnë edhe ata në radio të bëjnë emisionet e tyre.
CMG: Ti je mami i dy djemve, por si është të jësh një prind dhe njëkohësisht të bësh karrierë? A është prindërimi një profesion i vështirë për ty?
Julka Gramo: Në fakt është më i vështirë nga të gjitha këto që bëjmë ne të mbledhura së bashku. Është një profesion që paçka sfidave është më i preferuari nga ne prindërit. Sado lodhje e vështirësi sjell, por kur vjen fundi i ditës them: “këta djem janë kryevepra ime” dhe në të vërtetë janë puna më e mirë që kam bërë ndonjëherë në jetën time. Mendoj se këtë mendim ndajnë edhe prindërit e tjerë për krijesat e tyre. Prindërimi është një profesion i vështirë dhe unë si mami jam tejet aktive, mami në lëvizje gjithë kohës, pasi jam dhe përgjegjëse për t’i shpërndarë fëmijët nëpër të gjitha destinacionet.
E shijoj shumë pavarësisht gjithë lodhjes që më japin, por në fund mjafton një gjë shumë e vogël, apo një puthje, një përqafim, një fjalë e bukur dhe e gjithë lodhja zhduket si me magji. Jam një mami në karrierë, liberale, ndoshta edhe më shumë seç duhet dhe siç thotë populli ; “fëmijët ma kanë pirë lëngun”. Nuk e kam gjetur ende atë balancën, që të jem shok, apo të jem strikte me fëmijët, këtë kufirin nuk e kam, prandaj jam më tepër shoqe, sesa ajo mami strikte që të bëhen gjërat si i them unë.
CMG: Agazhimi me median, artin padiskutim sjellin dhe streset e veta, por në fund të ditës ti kalon kohë cilësore me ta, apo vazhdon të mbash mbingarkesën e ditës?
Julka Gramo: Të të them të drejtën, ka ditë kur jam vërtetë e ezauruar, kur kam patur një ditë të lodhshme dhe është e pa evitueshme që të jem totalisht e lëshuar, kur dita ka qenë mjaft e ngjeshur me takime, trasnmetime radiofonike, televizive, ti shtosh dhe trafikun e Tiranës etj. Fëmijët kanë atë imazhin e mamit “happy”, pra e lumtur dhe nuk jua transmetoj problemet që kam, por kur ndonjëherë jam vërtetë shumë e lodhur ata e kuptojnë dhe vijnë e më thonë; “mami çfarë ke, pse je mërzitur”?! Unë i spjegoj se jam thjesht pak e lodhur. Përpiqem që të kem kohë cilësore me ta, të bëjmë gjëra të bukura bashkë.
CMG: A kanë fëmijët e tu talent për muzikë?
Julka Gramo: Nuk mund të flas për talente, por mund të them se kanë vesh muzikor, fakti që hulumtojnë pafund në internet rreth muzikës. Djali im Ian dëgjonte shumë si bëhej “Beatbox” dhe më pas e bënte dhe vetë, kjo do të thotë se tregon një lloj tërheqje apo dashurie për muzikën duket se diçka kanë marrë dhe nga ne.
CMG: Do i përkrahnit ata nëse do merreshin me artin?
Julka Gramo: Patjetër që do i përkrahnim, madje do dëshiroja shumë që të isha në vendin e parë dhe të duartrokisja fëmijët e mi nëpër koncerteve të ndryshme apo kudo që të jenë ata, por do ua lë atyre në dorë zgjedhjen duke i udhëzuar.
CMG: Cilat janë planet e tua në të ardhmen?
Julka Gramo: Sa i përket muzikës nuk mund të jap një datë të caktuar, por mund të them se do jetë një moment të caktuar të jetës time ku unë mund të vij me një këngë të re, por jo të më shihni nëpër skena për të performuar. Ndërsa plane të tjera të afërta, do të jetë një rubrikë në Tvsh me titull: “Udhëtim në memorie”, një program muzikor ku personazhe të ndryshëm do të vijnë e do të kthehen pas në kohë dhe pikërisht nëpërmjet muzikës, ndërsa në radio do të vazhdoj të jem në transmetim.
CMG: Të uroj shumë suksese e dashur!
Julka Gramo: Shumë faleminderit Sava, kisha kohë pa dhënë intervista.
Intervistoi: Sava Lena