Foto: VCG
Pas vështirësive të krijuara nga masat kufizuese të pandemisë vitin e kaluar, “Open Cinema” nis edicionin e pestë, me qëllim promovimin e regjisorëve dhe prodhimeve kinematografike sidomos në Shqipëri.
Edicioni i pestë i këtij aktiviteti e nisi rrugëtimin në qytetin e Patosit, ku më 21 qershor, në ambiente të hapura dhe publike, janë shfaqur produksionet “Lokomotiva” nga Ermal Qori dhe filmi “Krimineli” i Christian Borovës.
Rrugëtimi do të vazhdojë në 12 qytete të ndryshme të Shqipërisë. Të ftuar në këtë aktivitet do të jenë personalitete të njohur në fusha të ndryshme të artit, si Irma Libohova, Jorgo Papingji, Mevlan Shanaj, Natasha Lako etj.
Ky aktivitet që ka për qëllim promovimin e kinemasë dhe të realizuesve të saj gjithashtu bëhet i mundur me mbështetjen e “Qendrës Kombëtare të Kinematografisë” dhe të bashkive të qyteteve në të cilat do të organizohet. Për të tërhequr vëmendjen e publikut por edhe për t’i argëtuar ata në këto ditë të nxehta vere, të ftuar do të jenë edhe këngëtarë të ndryshëm të muzikës moderne shqiptare.
Skënder Jaçe, që është edhe producenti i këtij aktiviteti, shprehet se strategjia për këtë vit do të fokusohet te mendimi se kinematografia mbetet një nga artet më popullore, që përcjell mesazhe të forta për jetën, e njerëzimin. (Elona)