Eclesio Ramos është një artist Brazilian, i cili prej afro një dekade jeton dhe punon në Shqipëri. Ai është një muzikat tejet i talentuar, që muzikën e ka nisur në moshën 10 vjeçare ku ka qenë dhe pjesë e grupit “Banda Kess” në Brazil. Eclesio Ramos po realizon një album muzikor në gjuhën shqipe, të cilin ka dëshirë ta prezantojë më pas me koncerte në Brazil.
CMG: Kam kënaqësinë të të kem sot në programin “Muzika shqip”. Përshëndetje dhe mirë se erdhe Eslesio!
Eclesio Ramos: Përshëndetje Sava!
CMG: Në këtë program muzikor ne kemi të ftuar muzikantë shqiptarë shqiptarë, por këtë herë kemi një ndryshim, një artist Brazilian, i cili prej 8 vjetësh këndon edhe në gjuhën shqipe. Eclesio, ti ke marrë pasaportë shqiptare?
Eclesio Ramos: Ende jo, por jam në pritje. Për një vit e marr pasaportën shqiptare.
CMG: Si filloi karriera jote muzikore në Brazil?
Eclesio: Në Brazil kam filluar të këndoj që në moshën 10 vjeçare. Në familje unë jam më i vogli. Në Brazil kam kënduar në shumë vende deri në moshën 20 vjeçare.
CMG: Për çfarë ke studiuar?
Eclesio Ramos: Shkollën e kam mbaruar me shumë vështirësi, pasi kam qenë i angazhuar me koncerte të shumta që në moshën 10 vjeçare dhe nuk kam patur mundësi ta ndiqja rregullisht, kështu që e përfundova me vonesë. Kam ndjekur shumë kurse muzike dhe kam studiuar me orë të tëra muzikë.
CMG: Ti ke studiuar për këndim apo ndonjë instrument?
Eclesio Ramos: Unë kam mbaruar shkollën për këngëtar.
CMG: Si ishte jeta jote artistike në Brazil?
Eclesio Ramos: Unë si këngëtar kam qenë pjesë e grupit me emrin “Banda Kess”. Për 20 vite kam qenë këngëtar dhe luaja nga pak kitarë kur isha pjesë e bandës. Emri im i artit në Brazil ka qenë Kess dhe këngët e kësaj bande muzikore, kryesisht kënga me titullin “Divã” ka mbi 15 vite që transmetohet nëpër radio në Brazil dhe tani ka më shumë se 20 milion njerëz që i këndojnë, pasi janë këngë folklorike braziliane. Më vonë u ndryshua mentaliteti, muzika dhe mendova të bëj ndonjë ndryshim dhe kështu erdha në Europë.
CMG: Grupi juaj ka qenë i suksesshëm në Brazil! Përse zgjodhe në këtë moment suksesi, të shëtisje në Europë?
Eclesio Ramos: Që në moshë të vogël kam udhëtuar shpesh nëpër koncerte të ndryshme, udhëtonim për 1000 kilomentra nga njëri qytet në tjetrin. Puna në Brazil u bë e lodhshme nga ana psikologjike. Kishim shumë intervista nëpë radio, televizione, etj dhe doja patjetër të bëja një ndryshim. Ishin koncerte të mëdha me 10 mijë apo 20 mijë persona dhe për mua u bë shumë e lodhshme, kështu vendosa të shëtis nëpër Europë. Në fillim shkova në Itali për të ndryshuar ambjentin, jo për të kërkuar famën apo para sepse ato i kisha në Brazil, por doja të ndryshoja mentalitetin. Kur erdha në Itali fillova të merresha me modë, festa, art etj. Kam qëndruar pak kohë në Milano, gjithashtu kam punuar në Gjenevë, në Gjermani me organizime festash dhe më pas erdha në Shqipëri e cila më pëlqeu shumë. Shqipëria më duket njësoj si Brazili, plazhet e njëjta, ushqimi gjithashtu dhe mentaliteti.
CMG: Çfarë të lidh kaq shumë ty me Shqipërinë?
Eklesio: Vajza ime jeton këtu e ka mamin shqiptare. Me pëlqen vendi juaj dhe unë prej 8 vitesh kam filluar jetën këtu, gjithashtu kam dëshirë që të jetoj përgjithmonë në Shqipëri.
CMG: I ngjajnë plazhet tona plazheve të Brazilit?
Eklesio: Mendoj se janë njësoj! Shqipëria i ngjan shumë Brazilit vetëm se është më e vogël dhe më e qetë dhe unë ndjehem si në shtëpinë time.
CMG: Ti nëpër koncerte këtu tek ne këndon këngë të famshme braziliane, gjithashtu edhe shqiptare. Cilën këngë do të veçoje nga muzika jonë?
Eclesio Ramos: Më pëlqejnë shumë këngët shqiptare, por njëra që e veçoj është një këngë arbëreshe, e cila është shumë speciale për mua “Vajta kalova gjithë Kalabrinë ”, të cilën do ta interpretoj me kënaqësi në programin tuaj “Muzika shqip”.
CMG: Dhe është vërtetë bukur ky interpretim në natyrë, pranë Amfiteatrit në Liqenin Artificial, ku duket si një Koncert recital pasi kemi publikun i cili na ndjek përrreth, ndërsa shëtisin.
CMG: Eclesio, emri yt në gjuhën greke “eclesia” do të thotë “kishë”, a ka emri yt lidhje me kishën ?
Eclesio Ramos: E vërtetë “eclesia” në greqisht do të thotë “kishë” dhe këtë emër ma ka vendosur babai im, në kujtim të një miku të tij grek, i cili punonte me babin tim dhe më pas humbi jetën.
CMG: Kush merrej me muzikë në familjen tuaj?
Eclesio Ramos: Në kemi qenë një familje muzikantësh. Unë jam më i vogli nga fëmijët, kam dy motra, dy vëllezër dhe një vëlla i cili ka ndërruar jetë para 8 viteve. Ai ishte muzikanti më i mirë i familjes. Ndërsa tani janë të gjithë mjekë në profesion dhe vetëm unë ju përkushtova muzikës.
CMG: Si është jeta larg familjes ata në Brazil, ndërsa ti në Shqipëri?
Eclesio Ramos: Tashmë jam mësuar pasi që në moshën 10 vjeçare jam marrë më muzikë dhe kam qenë shumë pak kohë në shtëpi. Më mungojnë, por kështu është jeta. Tani jam mësuar sepse u bë kohë që jetoj e punoj larg. Në verë e gjithë familja do të vijë në Shqipëri për t’u takuar e për të bërë dhe plazh këtu.
CMG: Cili është plazhi i preferuar që do të shkosh dhe këtë vit?
Eclesio Ramos: Preferoj shumë jugun e vendit, më pëlqen plazhi në Jalë, Qeparo, në Borsh, Vlorë e Sarandë. Këtë vit do të shkojmë në gjithë jugun.
CMG: Eclesio, ti i njeh këngëtarët shqipëtarë. Me cilin apo cilën prej tyre do të bëje një duet?
Eclesio Ramos: Po njoh shumë këngëtarë dhe më pëlqejnë, por nuk mund të them tamam se me cilën do doja të bëja një duet, më duhet të mendohem. Mua të gjitha këngëtaret shqiptare më pëlqejnë si, Aurela Gaçe një këngëtare me shumë eksperiencë, Mariza Ikonomi, Orgesa Zaimi. Me këto dy të fundit më ka rënë rasti që edhe të punoj.
CMG: Po në festivale a ke menduar të marrësh pjesë?
Eclesio Ramos: Ndoshta te “kënga Magjike” do provoj një herë vitin tjetër të këndoj një këngë në gjuhën time se aty e shoh veten më mirë.
CMG: Në koncerte këtu, ti këndon në gjuhën shqipe?
Eclesio Ramos: Këtu në Shqipëri 90% të ftesave i kam që të këndoj në gjuhën braziliane, sepse këtu ka shumë këngëtarë shqiptarë dhe ata kërkojnë diçka ndryshe, dhe unë këndoj në gjuhën time .
CMG: Cilat janë të rejat e tua në muzikë?
Eclesio Ramos: Kam punuar shumë, jam duke realizuar këngë në gjuhën shqipe edhe pse duhen rregulluar se kam bërë shumë gabime (qesh). Albumin muzikor me këngë shqiptare që po e realizoj, dua ta publikoj në Brazil.
CMG: Sa ide e bukur! Bravo Eclesio!
CMG: Ti ke një vajzë Vivian, e cila e ka mamanë shqiptare dhe babain brazilian. Gjithashtu edhe ajo ka talent për muzikë. Si e sheh të ardhmen e saj, si muzikante apo jo?
Eclesio Ramos: Ajo ka shumë talent për muzikë, ka vesh të mirë, këndon bukur, por nuk dua të ndikoj unë. Dua që ajo ta bëjë me dëshirë këtë punë. Muzikanti që këndon me dëshirë ka më shumë shpirt në të. Kur unë isha i vogël babai im më bënte presion për muzikën e unë nuk punoja dot sepse nuk më pëlqente presioni. Ndaj dua që vajza ime të këndoj me dëshirë. Nëse ajo e do vërtetë muzikën unë do e ndihmoj.
CMG: Cilat janë projektet e tua në vazhdimësi ?
Eclesio Ramos: Kam patur disa projekte për koncerte në vitin 2019 për në Itali, Gjermani dhe vende të tjera të Europës ku kisha kontrata, por u mbyllëm nga pandemia Covid-19 dhe programet u anulluan. Tani e tutje do vazhdoj të qëndroj në Shqipëri. Dhe pak kohë më duhet dhe përfundoj albumin tim.
CMG: Si vlerësohet nga ana financiare një artist në Brazil, duke e krahasuar me këtu në Shqipëri?
Eclesio Ramos: Brazili është shumë i madh dhe aty nuk ka koncerte të vogla. Por problemi është se atje nga koncerti në koncert janë për t’u bërë mijëra kilometra dhe kjo është shumë e lodhshme për muzikantin . Gjithashtu aty ka shumë kriminalitete, ndërsa këtu në Shqipëri është më qetë. Unë nuk ika nga Brazili për para sepse atje paguhesha më shumë. Në Brazil ne jemi një familje e madhe dhe nuk kemi patur asnjëherë probleme financiare. Tani jam adaptuar shumë në Shqipëri, po më pëlqen shumë dhe klima këtu, pasi në dimër nuk bën shumë ftohtë.
CMG: Për pak do bëhesh shqiptar edhe me pasaportë…
Eclesio Ramos: Unë jam shqiptar edhe pse shqipja ime nuk është perfekte.
CMG: Të falenderoj shumë për këtë bisedë. Të uroj shumë suksese me albumin e ri e me projektet në vazhdim.
Eclesio Ramos: Shumë faleminderit Sava! Ju përshëndes të gjithëve me këngën “Lulet e Majit”.
Intervistoi: Sava LENA