“Erdh Lezeti” është një festival tradicional Kosovar, i cili mbledh qindra njerëz në kryeqytet për të festuar ardhjen e verës me shfaqje unike e tinguj nga e gjithë bota. Prej disa vitesh festivali ofron performanca të veçanta nga grupe të njohura nga skena e muzikës tradicionale nga mbarë bota. Përveç muzikës, festivali njihet për atmosferën festive që krijon në formë të “block-party” (festë e lagjes).
Në një postim në rrjetet sociale artisti Arbër Salihu ka bërë me dije se në festivalin e këtij viti do të vijë me një bashkëpunim me Dafina Zeqirin. Tradita e këtij festivali është që të gjithë pjesëmarrësit e të gjitha moshave e bllokojnë rrugën pranë lokalit “Dit’ e Nat”, duke festuar me ushqim e pije. Inspiruar nga Shën Gjergji, “Erdh Lezeti” në thelb është festim i vlerave kulturore të shqiptarëve në Kosovë.
Eneda Tarifa ft Walter Ricci me “ Udhëkryq” në gjuhën italiane
Këngëtarja fituese e edicionit të kaluar të festivalit “Kënga Magjike” Eneda Tarifa, zgjodhi të konkuronte në edicionin e sivjetëm në një bashkëpunim italo-shqiptar me artistin e njohur Italian Walter Ricci. Dueti i këngës “Udhëkryq”, i realizuar nga “Don Production” u prit mjaft mirë nga publiku, duke u renditur në vendin e katërt me 866 pikë në Festivalin “Këngja Magjike”. E ftuar në një program televiziv, Eneda Tarifa përmendi se kënga “Udhëkryq” do të vijë e gjitha në gjuhën italiane, ndërsa theksoi gjithashtu se kjo këngë do jetë hit i kësaj vere.
Bebe Rexha në serialin “We the people” në Netflix
Artistja me prejardhje shqiptare Bebe Rexha, e cila gëzon famë botërore do të pjesë e një seriali të platformës Netflix. “We The People”, është seriali i animuar ekskluzivitet i Netflix, në të cilin një rol i është rezervuar yllit të hitit “Last Hurrah”.
Krijuesi i serisë së animuar “Doc McStuffins”, Chris Nee, për realizim të kësaj serie është ribashkuar me ish-presidentin Barack Obama dhe kompaninë “Higher Ground Productions” të Michelle Obamas. Seria e re, pjesë e së cilës do të jetë edhe Bebe Rexha, do të sjellë muzikë dhe skena animuese me qëllim edukimin e të rinjve amerikanë për fuqinë e njerëzve. Kjo prurje kinematografike përmban edhe këngë origjinale të interpretuara nga artistët më “IN” të momentit, si; HER, Janelle Monae, Brandi Carlile, Lin-Manuel Miranda, Adam Lambert, Cordae, Bebe Rexha, KYLE, Andra Day dhe poeten Amanda Gorman. Secili episod do të sjellë ndërthurje të stileve të animuara, duke bërë thirrje për veprime të rimenduara dhe duke shfaqur “të kuptuarit” e funksionimit të qeverisë dhe qytetarisë brenda një botë moderne. Debutimi botëror i serisë do të bëhet më 24 qershor, ndërsa “We The People” premierën në Netflix do ta ketë në ditën e katërt të muajit korrik.
Përgatiti Sava Lena