Sokol Guga është producenti tashmë i njohur i spektakleve, që ditaditës po habit me ambicien për të bërë karrierë. Energjik, me këmbë në tokë, por edhe shumë i sinqertë, Sokoli na flet për fillimet e tij, sfidat e para që ka hasur si dhe kënaqësinë që i jep spektakli. Ka realizuar disa spektakle të suksesshme dhe vazhdon të sjellë për publikun ide të reja ku programi i ardhshëm do të jetë “Yjet në Lëkurës”, në muajin korrik.
CMG: Z.Guga faleminderit për pjesëmarrjen në rubrikën “Autostradë” në valët e Radio Ejani.
Sokol Guga: Faleminderit dhe kënaqësia ishte e gjitha e imja, duke e pritur më gëzim ftesën. Jam i lumtur që këtë udhëtim në “Autostradë” do ta bëjmë së bashku.
CMG: Si erdhi spektakli i parë televiziv i realizuar nga ju dhe vështirësistë që keni hasur në fillimet e këtij rrugëtimi televiziv?
Sokol Guga: Do të shkojmë në vitin e largët 2009 ku ka qenë një projekt i realizuar me televizionin e parë që unë kam punuar, Shijak TV, ku i jam shumë mirënjohës presidentit të këtij televizioni, Gëzim Ismaili sepse më hapi derën e televizionit dhe besoi tek programi im i parë. Në atë kohë unë kam qenë 17 vjeç dhe ka qenë shumë e vështirë për ta realizuar sepse nuk kisha kontaktet dhe njerëzit e duhur, kisha vetëm një televizion, disa operatorë dhe kaq.
Ka qenë një konkurs me DJ në fakt ku unë arrita që të gjej konkurentët vetë, “Verë performance DJ 2009” që e kemi bërë në Durrës. Më pas sigurisht cilësia e programeve u rrit shkallë-shkallë dhe unë hoqa dorë, duke e profilizuar veten në programet e stilit pak klasik, sepse nga natyra më pëlqen të jem gala, kalsik dhe madhështor në realizimin e gjërave. Kështu nisi spektakli i parë, një dëshirë dhe pasion i çmendur. Dua të kujtoj në vitin 2010 ku kemi bërë edicionin e dytë, unë kam pasur mbështetjen e regjisorit Ernis Çili dhe edicionin e dytë e kemi realizuar në Vlorë. Sigurisht që dhe aty ka pasur vështirësi dhe e kemi xhiruar me televizionin Apollon TV, pastaj kaluam në Digitalb dhe më vonë në Klan Plus.
CMG: Spektakli që mban dhe patentën tuaj “Krishtlindje në Tiranë” tashmë është bërë traditë në çdo fund viti me të ftuar dhe artistë të njohur.
Sokol Guga: “Krishtlindje në Tiranë” erdhi në vitin 2014, një produksion gjigant që u transmetua në Digitalb për disa vite rresht dhe në vitin 2019 unë kam kaluar në televizionin Klan Plus, ku vazhdoj edhe sot e kësaj dite të bashkëpunoj me ta. Ky është i vetmi spektakël i realizuar për Krishtlindje dhe e në datën 25 dhjetor jemi çdo vit me publikun dhe me artistët në skenë.
“Krishtlindje në Tiranë” vjen në edicionin e shtatë këtë vit ku unë për herë të parë dhe për radion tuaj do të zbuloj dy emrat që do të vijnë si të ftuar special. Do të jetë këngëtarja ukrainase Ruslana, fituesja e Eurosong, e cila do të vijnë në Tiranë dhe grupi suedez “Red Neck”, të cilët e kanë konfirmuar ardhjen. Në bashkë prezantim unë do të jem me një emër shumë të mirë dhe të konsoliduar të muzikës shqiptare të cilën do ta le surprizë si dhe artistët e tjerë të cilët do të jenë dhuratë.
CMG: Ju jeni gjithmonë i guximshëm dhe me një vullnet të hekurt. Një vit më parë kur pandemia vazhdonte dhe gjithçka ishte pezulluar, ju guxuat dhe sollët një tjetër spektakël për publikun, ku nuk munguan dhe emrat e njohur nga jashtë.
Sokol Guga: Nëse ke pasion unë mendoj se askush nuk mund të të ndalojë. Sigurisht që pandemia pati efektin e vet, por në rastin tim pandemia mua më ndihmoi sepse orari 20.00 që kishte vendosur qeveria për t’u futur të gjithë njerëzit në shtëpi, i bëri të gjithë njerëzit që në orën 21.00 prime time të ndiqnin Klan Plus për të parë Krishtlindjet në Tiranë. Ardhja e artistes së njohur italiane Ornella Muti ishte një ngjarje për spektaklin dhe Shqipërinë dhe jam shumë i lumtur që ka bërë shumë jehonë vjet dhe vazhdon tradita.
Unë bëj një spektakël i cili shërben për këdo, nuk bëj show dhe biznes. Njerëzit kanë sy dhe shohin, dallimet, realizimet dhe qëllimet. Kush i ka parë spektaklet e mia e ka kuptuar se cilësia dhe të bërit art të pastër është mbi gjithçka.
CMG: Keni njohur gjithmonë suksese dhe arritje në karrierë, por a keni hasur në ndonjë vështirësi për realizimin e qëllimeve tuaja në fushën e artit?
Sokol Guga: Gazi unë jam njeri me fat sepse njerëzit më duan, bashkëpunëtorët më duan, partnerët më duan si dhe bizneset që mbështesin aktivitetin. Pa diskutim që vështirësi ka sepse ne të gjithë në këtë Tiranë apo këtë Shqipëri jetojmë dhe hasim në vështirësira jo vetëm burimesh njerëzore, por edhe teknike. Pra ti futesh në një sallë po marr shembull dhe ti nuk gjen shtangeta.
Vështirësira ka, por unë mendoj që kur mbizotëron pasioni dhe dëshira për diçka, këto minimizohen. Jam i lumtur që punoj me njerëz që më duan dhe besojnë në pasionin tim dhe për këtë jam mirënjohës.
CMG: Po punoni për një tjetër spektakël që do ta realizoni në qytetin e Sarandës. Mund të na tregoni më shumë rreth këtij eventi?
Sokol Guga: Ky është një udhëtim i gjatë jo vetëm efekti kohë Tiranë- Sarandë, por një udhëtim i gjatë edhe artistik. Unë kam dy vjet që mendoj për një program për ta bërë në jug dhe isha i bindur që duhet ta bëjëa në Kalanë e Lëkurësit në Sarandë. Kalaja e Lekurësit është një magji ku mes Lekurësit dhe Butrintit njerëzit më thonin Butrintin, por unë zgjodha Lekurësin. Lëkurësi është kalaja mesjetare e cila do të mirëpresë jo vetëm turistët këtë vit, por dhe kastin e artistëve të spektaklit “Yje në Lëkurës”. E kam titulluar kështu sepse artistët që kam zgjedhur Kastriot Tusha, Armando Likaj, sopranoja e filarmonisë së Kosovës Adelina Paloja, do të jetë orkestra e Lekurësit, Ema Andrea me një poezi shumë të bukur, popstar Mariza Ikonomi, pra këta janë yjet e artit dhe kulturës shqiptare.
Sigurisht duke qenë dhe në ambient të hapur dhe qiellin e hapur bashkë me yjet mbi kokë. Ky spektakël do të jetë dy orë program, një bashkëprodhim i “Guga Production” me Klan Plus që do të sjellin për të gjithë shqiptarët më 24 korrik një program artistik veror me vlera artistike të vërteta, ku gjithçka do të jetë e qendisur.
CMG: Ju do të jeni edhe moderator i këtij spektakli?
Sokol Guga: Programin do ta drejtoj unë i vetëm, sigurisht duke i lënë hapësirë çdo artisti të prezantojë kolëgët e tij. Jam i lumtur për në Lekurës sepse unë jam një njeri që i bëj ëndrrat realitet dhe nëse kam pikësynim diçka do ta realizoj.
CMG: Ju falenderoj që ishim së bashku në këtë udhëtim në “Autostradë”, duke ju uruar suksese në spektaklin e radhës. Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.
Sokol Guga: Unë të falënderoj shumë për ftesën që më bëre dhe jam shumë i lumtur që startin e nisëm së bashku në emisionin “Autostradë”. I ftoj të gjithë shqiptarët dhe të gjithë dëgjuesit të vijnë në Lëkurës më 17 korrik ku ne kemi realizimin e spektaklit dhe në 24 korrik ne dalim në transmetim. Jeni të gjithë të mirëpritur të vini dhe të shikoni një program shumë të veçantë pop klasik.
Intervistoi: Gazmend Agaj