Kreshnik Koshi ish këngëtari i grupit “Na” publikoi videoklipin e tij më të ri si solist,”Flas me veten”. Fabula e këngës tregon një rrëfim të imagjinatës së tij në moshën 18 vjeçare, atëherë kur është krijuar dhe kënga, por që doli nga sirtari për ta publikuar edhe në videoklip pas 22 vjetësh. Sot Kreshniku është 40 vjeç. Me këtë këngë kantautori mundohet të rigjejë veten. Gjithçka që ai ka imagjinuar 22 vite më parë, ai po e jeton sot, pra në një farë mënyre kjo këngë tregon se gjërat të cilat ne i imagjinojmë, vjen një ditë që përballemi në një të ardhme me to. Vioklipi i këngës është realizuar nga Sara Smaja dhe xhirimet janë bërë nëpër hekurudhat e Shqipërisë, në Rrogozhinë, Librazhd etj.
Yllka Kuqi publikon këngën e re “Dehem”
Këngëtarja e njohur, Yllka Kuqi, publikoi këngën më të re me titullin “Dehem”. Artistja nga Gjakova që nga koha e lindjes së vajzës së saj, Luiza nuk ka publikuar shpesh këngë të reja. Megjithatë ajo ka vendosur të rikthehet. Për realizimin e këtij materiali të ri muzikor me titull “Dehem” është kujdesur Valon Biba për muzikën, tekstin e kanë shkruar Albatros Rexhaj, Valon Biba dhe Yllka Kuqi, ndërsa orkestrimin e ka bërë Florent Boshnjaku. Kënga është publikuar në Youtube, e shoqëruar dhe me videoklip . Për klipin këngëtarja ka bashkëpunuar me produksionin “Sekuencë”.
Ganja në projekt muzikor me “Pro Band”
Këngëtarja Ganja, pas shumë kohësh rikthehet në muzikë me një projekt muzikor me grupin “Pro Band”.
Pranvera e këtij viti grupin e njohur të muzikës "PRO BAND", e ka gjetur me risi jo vetëm sa i përket projekteve muzikore, por edhe në përbërjen e grupit. Lideri i grupit Moni Rama ka konfirmuar se është në përgatitje e sipër të disa këngëve të reja, së bashku me këngëtaren e njohur Ganimete Abazi -Ganen. Ata do të kenë dhe shumë risi, për të cilat publiku do të njoftohet kohë pas kohe.
Përgatiti Sava Lena