Këngëtarja Klodjana Vata edhe pse mjaft e re në moshë, ka një karrierë të pasur artistike. Sot është vetëm 18 vjeç dhe ka një eksperiencë prej 12 vjetësh në skenën. Fillesat në muzikë i ka në moshën 6 vjeçare, ku me një përkushtim dhe punë të pa lodhur ka patur mjaft prezantime në festivalet e fëmijëve, konkurime të ndryshme si tek “Gjeniu i vogël”, por edhe ato ndërkombëtare …
Për Klodianën nuk është vetëm muzika pasioni i saj. Veç talentit për këngën ajo ka një pasion shumë të madh për prezantimin dhe aktrimin, të cilat po ashtu me punë dhe talent po arrin t’i përballojë me sukses. Por, ku do jetë fokusi i saj në vazhdimësi?! Ajo ka rrëfyer për programin “Muzika shqip” të gjitha aktivitetet e saj artistike, gjithashtu edhe planet për të ardhmen.
CMG: Përshëndetje Klodi! Mirë se erdhe në programin “Muzika shqip”!
KLodiana Vata: Faleminderit Sava! Është gjithmonë kënaqësi të jem pjesë e çdo gjëje që ti organizon, sepse gjithmonë do të jetë e veçantë nëse ti krijon diçka. Është shumë kënaqësi që ne takohemi bashkë dhe të falenderoj për ftesën.
CMG: Faleminderit për fjalët e bukura Klodi!
CMG: Ne sot jemi për këngën tënde më të fundit me titullin “Bosh”. Është një këngë të cilën e ke prezantuar me videoklip, por duhet theksuar se këtë herë vjen edhe si kantautore. Na trego me detaje për këtë material të ri tëndin?
Klodiana Vata: Ky është një ndër materialet më të vecantë për mua. Kam bërë më parë edhe projekte të tjera, por ky i fundit është si një dashuri e parë sepse është shumë e vecantë për mua. Kam dhënë shpirtin tek kjo këngë. Çdo gjë ka qenë nga brendësia ime dhe kanë qenë fjalë të dala nga unë. Pra ndryshe nga tekstet të cilat i paguan dhe i këndon, ky ka qenë një tekst që ka ardhur shumë natyrshëm. Duke punuar në studio, po dëgjoja një këngë e cila më ka ngjitur me herën e parë, më pas më rrodhën fjalët e tekstit, të cilin e shkrova për 30 minuta. Por mbi të gjitha kompozimi, që është pjesa më e rëndësishme e këngës është realizuar mjaft mirë nga Ervin Gonxhi, i cili është ndër të vetmit njerëz që më ka hapur derën dhe ka trajtuar çdo gjë me shumë kujdes. Sidomos mënyra sesi ai më ka pritur, ma ka bërë punën e thjeshtë, më është dukur sikur e njihja një jetë më përpara dhe ishte pjesë e familjes sime. Ka qenë një energji e mirë në atë studio ku punuam bashkë.
CMG: Tekstin e këngës ti e ke krijuar vetë. Është ky një përjetim i yti, pra je ndjerë “Bosh” në ato momente?
CMG: Për mua çdo njeri gjithmonë përjeton gjëra të tilla. Ndonjëherë njerëzit nuk duan të tregohen aq hipokritë sa ta thonë. Kjo nuk është nga eksperienca ime, por thjesht e kam menduar. Çdo njeri kalon disa eksperienca, e sidomos dashuria që është gjëja më e bukur në botë dhe çdo person duhet ta përjetojë, nuk duhet të ketë turp ta fshehi ose mos e thotë që është dashuruar. I dashuruar mund të jesh gjithmonë, mund të jesh i dashuruar me çdo lloj gjëje, por dashuria në vetvete është një gjë shumë e bukur e sidomos kur dashuron në mënyrë të pastër kuptohet që, kur një njeri nuk është pranë teje normalisht që do ndjehesh bosh. Kur kam dëgjuar melodinë e këngës, unë e kam futur veten në atë botë, e kam menduar, sikur mos të jetë dikush që vërtetë e do fort, si mund të ndjehesh? A do ndjehej një njeri bosh?
Atëherë e kam trajtuar këngën në këtë mënyrë dhe është e rëndësishme që ta përmend, ku teksti thotë: “Dhimbjen time, vet kam me e mbajt”, pra nëse largohem nga një person i caktuar. Jam pro mendimit që femrat të jenë të forta, çfarëdo lloj gjëje që t’u ndodhi në jetë të mos përgjërohen, por ta mbajnë dhimbjen për vete e të ecin përpara. Nuk më pëlqejnë ato tekstet e këngëve ku femrat përgjërohen, përulen, bëjnë lloj- lloj skenash përpara një mashkulli, etj.
CMG: Prandaj të pyeta sepse ti thua “dhimbjen time vet kam me e mbajt”. Ti personalisht, je egoiste?
Klodiana Vata: Nuk jam egoiste më tepër sesa jam një njeri që i kuptoj gjërat dhe vendos që nëse diçka nuk funksionon dhe dikush vendos të marrë një hap shumë të madh, ndonjëherë ndodh dhe ndarja sepse është pjesë e jetës. Shpesh herë kemi parë raste ku shumë njerëz nuk e pranojnë këtë gjë, ku njerëzit kalojnë edhe në gjëra që nuk duhet. Kam parë të krijohen kohët e fundit tekste këngësh ku femrat bëjnë gjëra nga më të ndryshmet, ndonjëherë bëjnë edhe videoklipe depresionuese, që i përplas makina, shkojnë në spital etj. Ky nuk është një mesazh që i duhet dhënë femrave. Ne duhet t’u japim mesazh femrave që të dashurojnë sa të kenë mundësi dhe nëse jeni momentalisht me një person që ju do, shijojeni deri në maksimum dhe nëse nuk funksionon, atëherë vazhdoni jetën tuaj.
CMG: Do të thuash që kjo është e gjitha një fantazi?
Klodiana Vata: Kjo nuk më ka ndodhur mua, por edhe nëse më ndodh, do veproja kështu.
CMG: E konsideron këtë këngë si një nga materialet e tua më të arrira?
Klodiana Vata: Absolutisht që po. Kjo është një nga këngët më të arrira të miat dhe mendoj se është një projekt që ( pa dashur të dukem sikur po vlerësoj veten), por sinqerisht i ka munguar tregut muzikor shqiptar. Kudo janë bërë kopje të njëri-tjetrit. Me aq sa kam vërejtur, (sepse nuk është hera e parë që punoj në studio) shumë kompozitorë, të cilët dashur pa dashur meqënëse dëgjojnë me orë të tëra këngë, u qëllon edhe të ndikohen apo të kopjojnë të ndryshme. Dhe melodia, harmonia vijnë si një melodi, harmoni e dëgjuar, por është roli i këngëtarit që duhet t’u qëndrojë në kokë, deri në momentin final të këngës.
Të gjithë ata që punojnë me mua e dinë që është shumë e vështirë dhe shpesh më thonë, Klodiana dil nga studio sepse jam shumë kërkuese dhe një farë mënyre e bezdisshme për këtë fakt. Jam dakort nëse ke një frymëzim diku, por thjesht frymëzim. Edhe mua më ka ndodhur që të jem frymëzuar nga një videoklip.
CMG: Nga cili videoklip je frymëzuar?
Klodiana Vata: Nga klipi i Faouzia dhe John Legend, është një klip fantastik, klipi Minefields. Unë kam qenë në studio pasi kemi përfunduar këngën e cila ka përfunduar brenda natës, i kam thënë Ervinit që të hapi kompjuterin sepse kisha parë një videoklip dhe gjithashtu i thashë t’ja hiqte zërin e klipit dhe të vendoste këngën tonë sipër. Dhe ajo u dukte sikur po këndonte këngën tonë, i përshtatej shumë. Dhe aty mendova në këtë formë ku unë u frymëzova, por duke e përshtatur me plane të tjera dhe në formën tonë.
Dhe këtë e kam thënë publikisht, që në fillim, sepse kam dëgjuar edhe të thonë plagjiaturë, por unë nuk jam dakort, sepse unë nuk e kam vjedhur, nuk e kam marrë copy-paste, siç ndodh përherë. Jam dakord që ne të gjithë të frymëzohemi nga gjëra të bukura dhe t’i realizojmë në mënyrën tonë, por kjo nuk duhet të ndodhë kurrsesi me këngën.
CMG: Meqënëse po jep një mesazh për femrat, përse nuk e titullove këngën “Mos u ndjeni bosh”?
Klodiana Vata: Kjo është një këshillë më shumë, por kush e dëgjon këngën me vëmendje e merr mesazhin. Bosh ndihet ai person që të ka humbur, ky është mesazhi tjetër. Kënga thotë në vazhdim: “Tani pa mua zemrën e ke bosh”. Nuk është se e kam unë zemrën bosh. Duket sikur po akuzojmë vetëm meshkujt, se ndonjëherë ndodh edhe e kundërta, por në përgjithësi çfarë kam vënë re është se femrat vetë e ulin njëra-tjetrën dhe kështu krijohet përshtypja që ne nuk jemi asgjë. Por jo, ne jemi shumëçka, jemi femra që sjellim jetën dhe jemi qënie shumë të bekuara sepse kemi mjaft gjëra pozitive, të cilat na i ka dhuruar vetë Zoti, natyra dhe nuk duhet ta ulim njëra-tjetrën.
Kjo gjë nuk ndodh me meshkujt dhe vihet re, ku e njëjta konkurencë nuk është aq e fortë sa e kanë femrat me njëra-tjetrën.
CMG: Klodi, ti e ke filluar muzikën në moshën 6 vjeçare. Cila janë spektaklet kombëtare dhe ndërkombëtare ku ti ke marr pjesë?
Klodiana Vata: E kam filluar rrugën e muzikës kus isha 6 vjeç, ku kam marr pjesë në shumë aktivitete, duke nisur që nga “Qëndra kulturore”, ku kam marr pjesë në shumë kompeticione për fëmijë. Kam marr pjesë në festivale, ku jam vlerësuar me çmime të ndryshme. Pastaj ka qenë pjesëmarrja ime tek ”Gjeniu i vogël”, më pas fitorja ime në Maqedoni, në festivalin “Ylberi”, ku kam marrë çmimin e parë e kështu me rradhë. Tek “Gjeniu i vogel” Edicioni i gjashtë kam qenë finaliste, ku kam kënduar këngët më të bukura nga divat botërore, të cilat kanë qenë këngë shumë të vështira e kjo ishte një sfidë shumë e madhe. Më pas në “ The Voice Kids” etj.
Një nga aktivitetet më të mëdha ka qenë kompetiocioni që pata në Lion, ishte periudha kur unë sa kisha dalë nga “Gjeniu u vogël” dhe vendosa ta provoj veten në një vend ku nuk më njihte askush, pra në një vend tjetër. Bëra një audicion në Lion, nuk e dija se kush ishte në juri dhe aty pashë se ishte traineri i Lara Fabian, i cili do dëgjonte dhe gjykonte bashkë me artistë nga Franca. Në atë kompeticion fitova çmimin e parë në Lion, ku më pas do përfaqësoja Lionin në Paris, në një tjetër kompeticion. Aty do të jepja një provim në tre disiplina, në këndim, kërcim dhe aktrim. Edhe aty unë fitova çmimin e parë, ku më dhuruan edhe një bursë për shkollën e vetme “Musical” në Paris, por që fatkeqësisht një problem i imi familjar nuk më lejoi të vazhdoja jetën time aty.
CMG: Do mbetet kjo për më vonë?
Klodiana Vata: Po patjetër. Unë e kam mundësinë përderisa e kam lënë një gjurmë aty dhe emrin e mirë, do mbetet për një moment tjetër.
CMG: Ke kujtime nga ai moment?
Klodiana Vata: Kam disa foto kujtim. Ka qenë një eksperiencë e paharrueshme. Jam surprizuar shumë sepse nuk e prisja, pasi ka qenë një konkurrencë shumë e madhe, sidomos për mua që nuk kisha bërë kurrë balet. Ju përkushtova shumë gjuhës, pasi aty s’bëhej fjalë të flisja anglisht, pasi ky është konflikti midis francezëve dhe mospëlqimit që kanë ata për gjuhën angleze dhe vendosa të flisja vetëm në gjuhën frënge. Eca përpara duke përgatitur një pjesë të veprës “Romeo dhe Zhuljeta” e tëra në gjuhën frënge, ishte një monolog dhe gjithashtu kënga “ Broken Vow” nga Lara Fabian. Kjo më bëri fituese edhe në audicionin tjetër, ku fitova çmimin e parë për bursë.
CMG: Shumë urime dhe suksese nga unë! Më vjen mirë që e vure në dukje këtë gjë sepse jo të gjithë e dinë dhe është mirë të vihen në dukje arritjet e një arstisti!
Klodiana Vata: Unë jam vetëm 18 vjeç dhe për moshën që kam, kam bërë goxha. Kam qenë gjithmonë pjesë e teatrit “Migjeni” që kur isha vetëm 3 vjeç. Kam marr pjesë në një dokumentar, pastaj në shumë komedi, drama, shfaqje, filma etj. Së fundmi isha në filmin ” 2100 ditë”. Ishte një eksperiencë e paharrueshme. Bëhet fjalë për një film, i cili flet për gjakmarrjen, kështu që nuk i jam ndarë as aktrimit gjithashtu edhe radios.
CMG: Ti ke marë pjesë në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar, ku ke garuar me artistë të rinj, por dhe të afirmuar të skenës. Ka qenë kjo një dëshirë e jotja me synimin për të shkuar në “Eurovizion”?
Klodiana Vata: Të gjithë këngëtarët e kanë synimin te fitorja kur hyjnë në një garë, por për mua këto kompeticionet janë bërë shumë të vështira që të ma mbushësh mëndjen të hyj aty. Në kohën kur kam konkuruar mbase nuk kam qenë në nivelin që jam sot, pasi njeriu vjen gjithmonë duke u përmirësuar, por nuk më pëlqen mënyra sesi organizohen gjërat aty. Besoj nuk jam e vetmja artiste që e them këtë, pasi të gjithë e thonë.
CMG: Klodi, po ndan brenda ditës disa profesione. Je sa në studio, në radio, por dhe në skenë si aktore. Do të shohim në të treja paralelisht?
Klodiana Vata: Patjetër që do i mbaj! Kuptohet që edhe koha ime ka qenë shumë e ngushtuar për shkak të gjithë aktiviteve që kam. Tani është sezon vere dhe unë kam vendosur që të shkëputem pak nga aktrimi dhe radio, sepse duhet t’i përkushtohem asaj për të cilën kam sakrifikuar më shumë, për muzikën. Po punoj më shumë në studio për të sjellë projekte të reja sepse njerëzit që më duan, e shohin se meritoj diçka më shumë. Nisur nga unë e para, besoj se kam nevojë që të punoj më tepër për të sjellë projekte të tjera për publikun dhe të gjithë ata njerëz, të cilët presin diçka nga unë. Dua të fokusohem më shumë te muzika këtë verë, këndimeve live që gjithmonë shoqërohen me verën. Pra do jem e përqëndruar 100% në muzikë sepse ja kam ngrënë pak hakun këto kohët e fundit. Kam shumë projekte për në vazhdim, janë ende në furrë.
CMG: Cila nga këto profesione të bën ty të ndjehesh vetvetja?
Klodiana Vata: Janë të pandashme dhe sidomos ti e di magjinë e radios që është shumë e veçantë është komunikimi me publikun, pavarësisht se radio tani nuk dëgjohet më si më përpara, gjithsesi njerëzit, të cilët kanë fatin të punojnë në radio e dinë se çfarë ndjesie është. Aktrimi në anën tjetër është një gjë krejtësisht e ndryshme dhe e veçantë, ka një lodhje shumë të madhe sepse njerëzit, që e vetëm e shohin dhe kanë dëshirën për të punuar nuk e dinë sesa vështirësi dhe lodhje ka, duhet t’i kthehesh disa herë qoftë edhe një detaji të vogël, por është një gjë shumë e bukur që nuk e bën çdokush. Por më së shumti nga të gjitha do të veçoja këngën.
CMG: Dmth kënga do të shoqërojë në vazhdimësi?
Klodiana Vata: As që bëhet fjalë, ajo është pjesë e pandashme e jetës.
CMG: Ku e sheh veten ti pas një dekade?
Klodiana Vata: Unë i kam vendosur disa pika vetes. Shpresoj që ta shoh veten aty ku unë dua. Nuk më pëlqen që t’i them planet përpara se t’i realizoj, por e mendoj në atë pikë sa të arrij suksesin, aq sa njerëzit të paktën të kenë dëshirën të dëgjojnë këngët e mia, të gjejnë veten aty dhe të frymëzohen prej tyre dhe të paktën të mbaj këtë imazh e të mos jem një njeri që kam ulur veten për disa klikime apo për pak vëmendje. Të vazhdoj të jem kështu, kaq.
CMG: Cilat janë planet më të afërta?
Klodiana Vata: Është një koncert ku do të jem moderatore, gjithashtu edhe do të këndoj. Më pas do fokusohem tek koncertet live, por ajo që dua më fort në këto momente është të punoj sa më shumë në studio sepse dua të sjell projekte të reja për sezonin veror, pasi nuk dua të jem më larg publikut. Ky do jetë përkushtimi im këtë periudhë.
CMG: Ku e gjen veten më tepër te baladat apo këngët me ritëm?
Klodiana Vata: Tani nuk ka më ndarje, sezoni i verës është vetëm ritëm, qejf është sezoni që ka më shumë zhurmë dhe nuk duan të dëgjojnë më asnjë lloj trishtimi sepse njerëzit janë të lodhur nga dimri. Pastaj kur të ftohet koha do i rikthehem baladave. Kështu që këtë verë do më shihni me këngë me ritëm.
CMG: Klodiana, të falenderoj e dashur për intervistën!
Klodiana Vata: Të falenderoj edhe unë shumë për intervistën.
Hiqet paragrafi në vazhdim
Intervistoi Sava Lena