Bekim Ibrahimi është një emër i njohur i muzikës popullore në tregun muzikor shqiptar. Ai ka nisur të merret me muzikë që në moshë të vogël dhe kur ishte vetëm 6-vjec arriti të improvizonte furkën në një çifteli. Bekimi nuk është ndalur së kënduari, duke marrë pjesë nëpër evente të ndryshmme, nëpër shkolla, ansamble etj. Bekim Ibrahimi ka mbi 20 vite karrierë dhe deri tani numëron 30 këngë. Para pak kohësh ka publikuar hitin “Jam shqiptar, hej jam shqiptar”, këngë kjo që ka ndezur edhe më shumë shpirtin patriotik të shqiptarëve. Kjo është një këngë e cila shpalos dashurinë, mallin dhe krenarinë e këngëtarit për atdheun, i cili edhe pse jeton larg, nuk i harron rrënjet e tij. Në një intervistë për Radio Ejani ai na tregon për produksionet e tij të fundit dhe projektet artistike në të ardhmen.
CMG: Z.Ibrahimi ju përshëndes dhe faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në Bio Folk.
Bekim Ibrahimi: Faleminderit dhe të përshëndes bashkë me stafin si dhe emisionit Bio Folk i uroj suksese.
CMG: Ju keni shumë vite që këndoni këngën e mirëfilltë popullore, duke sjellë gjithmonë krijime të reja për publikun.
Bekim Ibrahimi: Unë këngën e këndoj me kënaqësi shumë të madhe dhe mundohem që të jap maksimumin nga vetja ime. Gjithmonë jam prezantuar me krijime të reja dhe për këtë jam i lumtur.
CMG: Sa albume muzikore keni realizuar gjatë karrierës suaj artistike?
Bekim Ibrahimi: Unë deri tani kam realizuar tre albume muzikore dhe për t’u kompletuar është kënga e 30 që po promovoj këtë her. Ajo titullohet “Jam shqiptar, hej jam shqiptar” dhe është kënga e 30 në karrierën time.
CMG: Sa vjeç keni qenë kur keni nisur të këndoni?
Bekim Ibrahimi: Unë kam filluar të merrem me muzikë që në moshë të vogël, 6 ose 7 vjeçare me mjete shumë të thjeshta që edhe furkën e kam shndërruar në çifteli dhe në mënyrë graduale kam arritur këtu ku jam sot.
CMG: Keni bashkëpunuar për realizimin e këngëve me profesionistë si për muzikën ashtu edhe tekstet e këngëve. Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj më të ngushtë?
Bekim Ibrahimi: Unë kam bashkëpunuar me shumë artistë ku nga kompozitorët do të veçoj Naim Gjoshin, Edmond Rrapin dhe tani së fundi edhe me Alfred Kaçinarin. Nga tekstshkruesit kam tekste nga poeti Jahe Fida, por kam tekste edhe në kohën e mëparshme nga poeti Agim Doçi.
CMG: Këto ditë jeni në Tiranë sepse po promovoni klipin tuaj më të ri të këngës “Jam shqiptar, hej jam shqiptar” ndërsa po punoni edhe për disa këngë të tjera.
Bekim Ibrahimi: Unë kam ardhur në Tiranë për të promovuar këngën “Jam shqiptar, hej jam shqiptar” dhe kështu shfrytëzoj rastin edhe për të prodhuar këngë të tjera, të cilat janë në punim e sipër.
CMG: Mbetemi pak te kënga “Jam shqiptar, hej jam shqiptar”. Si erdhi ideja e kësaj kënge patriotike dhe realizimi i klipit?
Bekim Ibrahimi: Është një këngë shumë prekëse për gjithë popullin shqiptar. Ideja e kësaj kënge ka ardhur në bashkëpunim me poetin Jahe Fida, që e falenderoj shumë për këtë tekst të bukur që ma ka dhuruar. Pasi mora tekstin kam shkuar te kompozitori Naim Gjoshi, i cili e ka kompozuar dhe dua që ta falenderoj shumë sepse ka bërë një kompozim shumë të bukur. Orekstrimi është realizuar në studion e Edmond Rrapit. Gjithashtu dua të falenderoj edhe koreografen Arta Paspali si dhe ansamblin “Tradita” nga Tirana me të gjithë vallëtarët, që morën pjesë për realizimin e klipit.
CMG: Kur shikon videon e kësaj këngë të sjell një emocion të madh, sepse përcjell atdhedashuri dhe patriotizëm.
Bekim Ibrahimi: Ne jemi munduar që të bëjmë maksimumin përmes videos së këngës, ku unë kam kënduar në mes flamurit shqiptar, sepse jemi shqiptar. Xhirimet e klipit janë bërë në sheshin Skënderbej në Tiranë, por që kemi zgjedhur edhe kalanë e Prezës ku dhe atje kemi realizuar një pjesë të klipit. Është krenari me qenë shqiptar dhe prandaj kam zgjedhur këto vende.
CMG: Jetojmë në një vit të vështirë të pandemisë, sa ka ndikuar te ju mungesa e publikut dhe aktiviteteve artistike?
Bekim Ibrahimi: Po sigurisht që pandemia ka bërë të vetën, duke ndikuar te çdo artist. Te unë nuk ka ndikuar shumë meqenëse kam shfrytëzuar pak rastin që të krijoj këngë më shumë. Direkt me publikun kam qenë i pranishëm përmes televizioneve, portaleve dhe radiove, pra kam qenë i lidhur me publikun në mënyrë virtuale.
CMG: Gjithmonë ju kemi parë të këndoni i vetëm në këngët që keni realizuar deri tani. Keni menduar të bëni ndonjë bashkëpunim me ndonjë këngëtar tjetër?
Bekim Ibrahimi: Deri tani këngët i kam kënduar vetë, por që jemi në fazat fillestare të bashkëpunimit në një duet që së shpejti do të bëhët publike. Unë jam i hapur për të bashkëpunuar me gjithë artistët e tjerë ku mund të më kontaktojnë përmes menaxherit apo rrjeteve sociale dhe mund të bashkojmë idetë për të mirën e publikut, të artit dhe të dy artistëve.
CMG: Duke ditur se kanë hyrë shumë rryma të tjera muzikore në treg, mendoni se vetë artistët duhet ta ruajnë të pastër muzikën popullore?
Bekim Ibrahimi: Unë vetë kam këngë edhe artistike, por edhe ritmike dhe publiku pranon atë që ne artistët i dhurojmë sepse ne artistët jemi të lidhur me publikun. Unë mundohem që këngën artistike ta realizoj me vlerë, pra mundohem që të bëj këngë shqiptare.
CMG: Mund të sjellim në vëmendje të publikut edhe dy këngët e reja që ju do të sillni së shpejti?
Bekim Ibrahimi: Njëra nga këngët që po pregatis ka motiv patriotik, pra është në drejtimin e kësaj kënge që kam publikuar. Dy këngët e tjera janë njëra e muzikës së lehtë dhe tjetra me muzikë të Shqipërisë së mesme.
CMG: Ku qëndron më tepër zëri juaj, te treva e veriut apo e Shqipërisë së mesme?
Bekim Ibrahimi: Zëri im besoj se qëndron te të dyja, Shqipëria e mesme dhe ajo e veriut, ndërsa nga jugu më pak ose fare.
CMG: Çdo të thotë për një artist si ju, ta ruash këngën popullore bio?
Bekim Ibrahimi: Unë mundohem të bëj më të mirën sepse e ndjej shumë shqiptar veten dhe jam shumë krenar duke e mbajtur gjuhën, kulturën dhe këngën time me shumë dëshirë.
CMG: Keni projekte të tjera artistike gjatë verës?
Bekim Ibrahimi: Unë mendoj se këtë vit ndoshta do të krijoj 10 këngë, tani po mundohem të prodhoj 3 prej tyre. Me thënë të drejtën ne jemi çdo ditë në punë me krijuesit, kompozitorë dhe autorë tekstesh.
CMG: Së fundi përshëndetja juaj për dëgjuesit e Radio Ejani.
Bekim Ibrahimi: Unë përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk, gjithashtu të falenderoj dhe ty për këtë intervitë.
Intervistoi: Gazmend Agaj