Intervistë me kantautorin nga Struga Vullnet Ibraimi
Kantautori shqiptar nga Struga, Vullnet Ibraimi është bërë i njohur për publikun shqiptar në bashkëpunimin me kantautorin Redon Makashi, ku së bashku sollën në vitin 2014 këngën me titullin “Ditari”. Këngët e tij i përkasin muzikës së lehtë shqiptare dhe të gjitha materialet muzikore janë të shoqëruara me videoklipe, të cilat duken si një film me metrazh të shkurtër.
Në vitin 2015 Vullneti erdhi me një duet me këngëtaren Rosela Gjylbegu me këngën me titullin “Jam aty”, me të cilën u prezantua në “Netët e klipit shqiptar”, “Zhurma show” etj. Një vit më pas një tjetër sukses në bashkëpunim me këngëtarin e njohur Vedat Ademi, por edhe shumë këngë dhe pjesëmarrje në kompeticione të ndryshme. I ftuar për programin “Muzika shqip” ai na rrëfen a rreth karierës së tij artistike, bashkëpunimeve, por dhe jetës private.
CMG: Përshëndetje Vullnet! Mirë se erdhe në programin “Muzika shqip”!
Vullnet Ibraimi: Përshëndetje Sava! Mirë se të gjeta! Erdha me shumë kënaqësi sot në Tiranë për t’ju përgjigjur ftesës tënde për në program.
CMG: Së fundi ke sjellë për publikun këngën më të re, e cila mban titullin “Fillimi i fundit”. Na trego çfarë ke dashur të përcillje nëpërmjet kësaj fabule?
Vullneta Ibraimi: Kënga “Fillimi i fundit” është materiali më i ri dhe i përshtatet pak situatës së fundit edhe pse nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë, por unë e konsideroj si një fillim të ri edhe në këtë sezon veror, pas kalimit nga pandemia etj.
CMG: Por kënga ”Fillim I fundit”…?
Vullneta Ibraimi: Teksti flet për një histori dashurie, për një fillim të ri, “Fillim i fundit” them aty do mundohem ta kthej një dashuri të humbur.
CMG: Cila është “muza” jote në krijimtari?
Vullneta Ibraimi: Shumë gjëra, që nga një moment i rastësishëm, ku mund të ndodhesh në kohën dhe vendin e duhur. Kam parë diçka që më ka ngacmuar dhe e kam hedhur menjëherë ndonjë varg dhe më vonë e përpunoj në studio për të kompletuar dhe vijën melodike etj.
CMG: Frymëzimin e merr nga historitë e tua, apo historitë e të tjerëve?
Vullneta Ibraimi: Frymëzimi më vjen nga gjithçka që shoh rastësisht.
CMG: Nuk të kanë frymëzuar asnjëherë historitë e tua personale?
Vullneta Ibraimi: Kur më është bërë kjo pyetje, jam munduar gjithmonë që ta shmang, e kam anashkaluar për të thënë se nuk jam unë aty, por normalisht çdo krijues bën pjesë në veprën që ai shkuan, e s’mund të thuash që nuk je vetja aty. Ndodhitë ndonjëherë janë kaq të ngjashme me njëra –tjetrën sa çdokush e gjën veten në një këngë të caktuar.
CMG: Ti çdo këngë e shoqëron me videoklip. Sa i rëndësishëm është ai minifilm që ti përcjell nëpërmjet videoklipit ?
Vullneta Ibraimi: Është bërë si një domosdosmëri realizimi i videoklipit në kohët e sotme, në tregun muzikor. Dikur mund të realizoje një album muzikor, ndërsa tani një këngë është si një album kur vjen e kompletuar me videoklip.
Por sigurisht që ka edhe të këqijat e saj, sepse është mbingarkuar shumë tregu, ku çdo njeri mund të realizojë një këng apo një videoklip.
CMG: Ti Vullnet i realizon vetë tekstin, muzikën, orkestracionin dhe tani edhe videoklipin e këngëve. Nuk ke besim që ta realizojë këngën një autor tjetër?
Vullneta Ibraimi: Që të them se nuk kam besim tek dikush tjetër, këtë nuk mund ta them. Në momentin që mund të më ofrohet një tekst i mirë, do jem i gatshëm për ta realizuar edhe pse nga puna ime në studio ka rrjedhur normalisht puna që ta realizoj gjithçka vetë.
CMG: Po për muzikën?
Vullneta Ibraimi: Joo! Sa i takon muzikës nuk do lejoja njeri. Ndoshta për respekt profesional me ndonjë koleg mund ta kisha bërë një gjë të tillë, por deri tani nuk e kam menduar, por jam i hapur për tekste të mira.
CMG: Për publikun shqiptar ti je bërë i njohur në vitin 2013 në duet me kantautorin Redon Makashi, me këngën me titull “Ditari”. Si e prite këtë sukses?
Vullneta Ibraimi: Unë i prezantova disa këngë Redonit për të realizuar duetin dhe kënga “Ditar” ishte menjëherë ajo që ai vendosi. Në të vërtetë kënga u prit shumë mirë dhe vazhdon ende të dëgjohet dhe kjo më gëzon.
CMG: Si ja bëre ftesën Redonit?
Vullneta Ibraimi: Njohja me Redonin ka filluar nga viti 2010, kur unë kam realizuar disa këngë për të, një ndër to është dhe kënga “Më ler të fle”, e cila ka fituar çmimin e parë te “Kënga Magjike”. Më pas erdhi dhe dueti, për të cilin Redoni pati të drejtë që do të pritej mirë edhe pse unë isha pak skeptik në fillim.
CMG: Përveç muzikës ti tani ke filluar të punosh edhe videoklipin. Është ky një trend i ri, që një njeri duhet t’i bëjë të gjitha vetë?
Vullnet Ibraimi: Në fakt në treg është krijuar kjo ide, që një njeri duhet t’i bëjë të gjitha komponentët vetë, por për mua ka qenë një pasion i dytë i imi realizimi i videoklipeve. Nuk e kam marr përsipër këtë angazhim më herët se kam pasur merak se mos më merte shumë kohë dhe nuk mbetej shumë kohë për muzikën. Sado që e shtyja në kohë këtë dëshirë timen, derisa erdhi momenti që i mora të gjitha pajisjet e duhura dhe fillova të realizoj vetë videoklipet e mia. Edhe pse muzika dhe krijimtaria janë në plan të pare, për mua ndërsa videoklipi mbetet pasion i dyti.
CMG: Ke bërë një shkollë të caktuar për këtë gjë?
Vullnet Ibraimi: Nuk kam bërë një shkollë për këtë, por i punoj sipas këndvështimit tim. I realizoj videoklipet ashtu si mendoj unë se duhet të duket një videoklip. E rëndësishme është që të dish kriteret e punës dhe ta kesh me pasion punë që bën.
CMG: Ti Vullnet këndon, realizon vetë tektin, muzikën, orkestracionin e këngës gjithashtu dhe videoklipin. Po çfarë bën ti që e ndjen mirë dhe veten?
Vullnet Ibraimi: Veten e shoh më mirë në rolin e krijuesit. Kur një këngë e imja është realizuar mirë profesionalisht, kënga pëlqehet nga publiku dhe kur gjej një këngëtar të mirë për ta interpretuar atë.
CMG: Më shumë rëndësi për ty ka një këngë e prezantuar në një festival, apo një këngë e punuar me videoklip?
Vullnet Ibraimi: E rëndësishme është që të jetë një këngë profesionale, nuk ka rëndësi për mua nëse kënga është konkurente në një festival të caktuar, apo e sjellë vetëm në videoklip. Sa i takon festivaleve, kjo lë për të dëshiruar dhe unë nuk e kam parë veten aty.
CMG: Cila është rryma muzikore që ti dëgjon më së shumti në përditshmërinë tënde?
Vullnet Ibraimi: Dëgjoj në përgjithësi muzikë të mirë. Unë nëse marr të bëj një këngë ritmike, përsëri baladë më del dhe e kam bindur veten të mos tentoj se baladë më del sërish.
CMG: Ke mbaruar studimet e larta për muzikë. Në cilat instrumenta luan?
Vullnet Ibraimi: Pianoja është baza, gjithashtu luaj në fizarmonikë dhe në kitarë.
CMG: Përveç muzikës, ke pasione të tjera?
Vullnet Ibraimi: Përveç punës në studio me muzikën, pasion tjetër i imi është motorri. Më pëlqen të shëtis me motorr dhe prandaj dhe e realizova një videoklip me motorr.
CMG: Të pëlqen shpejtësia?
Vullnet Ibraimi: Më pëlqen të shëtis me motorr, por jo shpejtësia. Këtë fenomen e shoh tek ju, madje përfitoj nga rasti t’u them të gjithë atyre që ecin me motorr, që të kenë kujdes sepse shpejtësia po merr shumë jetë njerëzish.
CMG: Cilat janë projektet e tua në vazhdimësi?
Vullnet Ibraimi: Sa herë që më bëhet kjo pyetje, kam thënë se dua të bëj një duet, po ende nuk e kam gjetur këngëtarin me të cilin do bëj duetin. Dua të gjej një vokal të përshtatshëm me zërin tim.
CMG: Ti ke shumë duete me Redon Makashin, duetin me Rosela Gjylbegun, Vedat Ademin etj. Mendon se kanë më shumë sukses këngët në duet?
Vullnet Ibraimi: Sigurisht që duetet kanë më shumë sukses, pasi të dy këngëtarët tërheqin nga pas publikun përkatës që kanë. Ka kritere, shumë përgjegjësi një këngë e cila vjen në duet, varet si i këndon njëri dashurisë dhe tjetri.
CMG: Gjithmonë vetëm dashurisë, nuk mund të ketë ndonjë temë tjetër në vazhdimësi ?
Vullnet Ibraimi: Dashurisë i këndojnë të gjithë sot, por varet se si e trajtojnë temën e dashurisë.
CMG: Je ti i dashuruar momentalisht?
Vullnet Ibraimi: Jam i dashuruar me muzikën, me jetën dhe me gjërat e bukura.
CMG: Të falenderoj që erdhe posaçërisht nga Struga për këtë intervistë në programin “Muzika shqip”!
Vullnet Ibraimi: Të falenderoj për ftesën! Ishte kënaqësi për mua!
Intervistoi Sava Lena