Çmimi i parë i festivalit të 22-të “Kënga Magjike” shkoi për këngën me titull “Thikat e mia”, interpretuar nga këngëtari Alban Ramosaj. Këtë vit festivali “Kënga Magjike” erdhi ndryshe nga edicionet e tjera. Ndjehej mungesa e publikut, sepse për shkak të pandemisë, festivali u zhvillua në ambjentet e Televizionit Klan dhe jo në pallatin e Kongreseve ku jemi mësuar ta shohim përherë. Gjithashtu këtë vit nuk u ndanë shumë çmime si përherë, por vetëm tre çmime të para si; “Çmimi Big Best International Artist”, që shkoi për artisten nga Gjeorgjia Nutsa, me një vokal të mrekullueshëm. Kënga me të cilën Nutsa mori pjesë ishte “We Are One”, një material muzikor mjaft profesional në gjuhwn angleze, por ajo çfarë është më e rëndësishme ishte interpretimi i saj live. Një tjetër çmim u nda për artistin e ri më të mirë, “Best New Artist” me të cilin u nderua grupi rock “Urban Band”.
Sistemi i votimit këtë herë ishte në tre mënyra; Vota e publikut, nëpërmjet mesazheve; votat e artistëve, të cilët votuan njëri-tjetrin, si dhe votat e jurisë e cila ishte e përbërë nga: Enkel Demi, Jonida Maliqi, Markelian Kapedani, Arben Skënderi dhe Kozeta Kurti. Këtë vit Ardit Gjebrea zgjodhi të kishte në krah për të prezantuar këtë edicion, këngëtaren Marsela Çibukaj, e cila gjithashtu dhuroi spektakël me interpretimin e disa numrave artistikë të përzgjedhur posaçërisht për tre netët e edicionit “Kënga Magjike 2021”.