Tahir Boshkaj ka studiuar në Universitetin e Arteve në Tiranë në degën e instrumentit të klarinetës, por të kënduarit ka qenë një pasion i tij që në fëmijëri. I rritur në një familje artistësh ai u lidh pas muzikës së jugut dhe veçanërisht asaj polifonike që i vogël dhe tashmë ka arkivuar në repertor këngë të njohura popullore. Disa nga këngët e tij janë bërë hite dhe interpretohen në çdo gëzim familjar, apo evente të ndryshme artistike. Në një intervistë për emisionin Bio Folk ai na tregon për karrierën e tij si dhe projektet artistike.
CMG: Përshëndetje dhe faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në emisionin Bio Folk.
Tahir Boshkaj: Përshëndetje dhe kënaqësia është e gjitha e imja dhe ju falënderoj për ftesën në këtë emision të mrekullueshëm.
CMG: Flasim për nisjen e karrierës suaj muzikore dhe sidomos të këngëve popullore të jugut. Ka qenë muzika një pasion i hershëm i juaji?
Tahir Boshkaj: Në radhë të parë unë mendoj që muzika është gjenetike. Ky është mendimi im personal, por realisht unë vij nga një familje muzikantësh dhe që i vogël merrem me muzikë. Kur kam qenë në shkollë fillore kam kënduar si fëmijët e atëhershëm në festat e abetares, pastaj më vonë kam vazhduar te shtëpia e pionerit dhe më pas u regjistrova në lice si dhe mbarova dhe Akademinë e Arteve. Për të arritur një punë të mirë duhet të studiosh dhe punosh shumë. Unë akoma nuk e them që kemi arritur shumë, por realisht jemi në rrugë të mirë.
CMG: Ju keni studiuar në Akademinë e Arteve për instrumentin e klarinetës dhe kjo ju ka ndihmuar në rrugën tuaj të muzikës popullore?
Tahir Boshkaj: Unë e kam mbaruar Akademinë e arteve me një professor shumë të mirë dhe shumë i njohur për publikun shqiptar, Fatos Qerimaj i cili vjen nga familja e njohur Qerimaj. Mendoj se instrumenti i klarinetës të ndihmon shumë në ecurinë e këngës dhe prandaj zgjodha klarinetën, madje edhe babai im është klarinetist dhe mendoj se kjo rrjedh nga familja.
CMG: Të gjitha këngët që ju keni publikuar bazohen në folklorin e jugut dhe ju e keni interpretuar pastër këngën popullore.
Tahir Boshkaj: Ne jemi rritur me polifoninë. Unë vij nga Mallakastra dhe jemi rritur me këtë frymë dhe jam shumë i lumtur që jemi rritur nga një brez që e kanë dashuruar muzikën polifonike. Unë jam munduar që t’i qëndroj asaj tradite të bukur për të cilën ne kudo që shkojmë në botë mburremi, sepse është e vetmja gjë ku ne krenohemi. Muzika polifonike është një emocion që nuk e përshkruan dot, imagjino kur mblidhen 6 veta dhe kur janë bashkë dhe bashkojnë zërat duke dalë një zë i vetëm që buçet dhe që është një kënaqësi shumë e madhe. Pak a shumë edhe këngët e mia mbështeten në polifoni dhe unë kam qëndruar dhe vazhdoj t’i qëndroj strikt asaj sepse më pëlqen dhe e dashuroj këngën polifonike.
CMG: Ju ka penguar pandemia gjatë kësaj periudhe të prodhoni këngë apo dhe të merrni pjesë në aktivitete të ndryshme artistike?
Tahir Boshkaj: Realisht pandemia ka ndikuar shumë te muzikantët sepse kur të tjerët kanë punuar nga pak, ne kemi qenë të vetmit që nuk kemi punuar fare. Kjo ka ndikuar tek të gjitha, te krijimtaria, por edhe në anën psikologjike si dhe atë shpirtërore.
CMG: Ndërkohë ju gjatë kësaj periudhe keni qenë aktiv në rrjetet sociale apo dhe kanalit tuaj Youtube, duke publikuar këngë dhe kolazhe nga jugu.
Tahir Boshkaj: Unë e thashë që nuk kemi krijuar, por e vërteta është se ne jemi marrë pak me muzikë. Unë kam disa projekte tani që shpresoj t’i nxjerr sa më shpejt, besoj se për dy javë do kemi këngë të reja sepse jam në përfundim të këtyre projekteve. Një projekt e kam me kompozitorin e mirënjohur Edi Balili, gjithashtu me një mikun tim Vani Rushitin po realizojmë një këngë tjetër, që ja dedikoj fshatit Kurjan dhe dy këngë të tjera do t’i publikoj gjatë verës.
CMG: Këto projekte të reja muzikore që përmendët, janë krijimtari e re popullore apo janë mbi bazën e këngëve të vjetra?
Tahir Boshkaj: Këto janë krijimtari e re muzikore, sepse siç e përmenda më lart unë jam njohur nga kënga polifonike, ngaqë kam risjellë bukur këngët e vjetra popullore, por tani mendoj që ka ardhur koha që unë të nxjerr në pah krijimtarinë time.
CMG: Keni studiuar shumë vite për instrumentin e klarinetës, ndërkohë që tani po angazhoheni më shumë si këngëtar. Do jetë klarineta pjesë e karrierës suaj artistike përveç këngës?
Tahir Boshkaj: Duke qenë se babain e kam klarinetist dhe unë që i vogël jam rritur me tingullin e klarinetës dhe e dashuroj, ai lunate aq bukur sa më bënte të pasionohesha pas tij dhe pas tingullit të instrumentit. Unë e kam vlerësuar gjithmonë veten time si një shpirt me dy dashuri, njëra rrihte te kënga dhe tjetra te klarineta.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.
Tahir Boshkaj: Përshëndetja shkon për familjen time, sepse më kanë mbështetur shumë. Ju falenderoj dhe juve që më dhatë mundësinë për të realizuar këtë intervistë kaq të bukur.
Intervistoi: Gazmend Agaj