Këngëtarja e njohur Fitnete Tuda ka lindur në Strugë, ndërsa studimet i ka kryer në Prishtinë në degën “ Gjuhë-Letërsi shqipe”. Në vitin 1995 dhe 1996 ajo mori pjesë në festivalin e Rtsh-së me këngët “Rrugë” dhe “Shi bie në Tiranë”, të cilat kanë mbetur gjatë në memorien e publikut. Në vitin 1999 mori pjesë në festivalin “Kënga Magjike” me këngën “Duke kërkuar jetën” dhe në vitin 2003 me këngën "Si muzika" ku u vlerësua me çmimin “Produksioni më i mirë”.
Përkushtumi i saj në këto dy dekada ka qenë në fushën e gazetarisë, në profilin e kulturës. Rikthehet pas 18 viteve mungesë në skenën e festivaleve, ku këtë herë erdhi në duet me djalin e saj Don Duli dhe së bashku kënduan këngën “Kur buzëqesh”. Arsyen përse i ka munguar kaq gjatë publikut dhe nëse do ketë vazhdimësi në pasionin e saj të hershëm muzikën, e ka rrëfyer në programin “Muzika shqip” për Radio “Ejani”.
CMG: Përshëndetje Fitnete! Kënaqësi që të kam në programin “Muzika shqip”. Përse i ke munguar kaq shumë publikut shqiptar?
Fitnete Tuda: Po, është vërtetë. Ka kaluar një kohë relativisht e gjatë nga paraqitja ime e fundit në skenë. Debutimi im në skenën e festivaleve ka qenë në vitin 1995 me këngën me titullin “Rrugë” në festivalin e Rtsh-së, ndërsa prezantimi im i fundit i takon vitit 2003 në festivalin “Kënga Magjike”, ku këndova “Si muzika”. Kanë kaluar plot 18 vite dhe këtë herë u riktheva në festivalin “Kënga Magjike” jo si soliste, por në duet me djalin tim Donin, ku sollëm këngën me titull “Kur buzëqesh”.
Arsyet e mugesës janë të shumta, por më e rëndësishmja është përkushtimi im në familje. Edhe pse i kam munguar skenës gjithë këto vite, brenda vetes kam kënduar gjithmonë sepse muzika është pjesë e pandashme e kënaqësisë sime shpirtërore. Tani që fëmijët u rritën, erdhi kënga e re “Kur buzëqesh”.
CMG: Kënga me të cilën u prezantuat së fundi në "Kënga Magjike" ka një melodi që vjen shumë këndshëm për veshin, e cila mban titullin "Kur buzëqesh". Na trego se çfarë doje të përcillje nëpërmjet kësaj kënge?
Fitnete Tuda: Kënga “Kur buzëqesh” lindi një vit më parë, gjatë periudhës së pandemisë, nga koha kur u izoluam dhe përballeshim me shumë të panjohura. Kjo është një këngë për jetën, për dashurinë, për familjen, vlera që i ka jeta dhe që në të vërtetë na patën munguar gjatë pandemisë dhe kjo këngë lindi shumë spontanisht. Fillimisht mendova refrenin e këngës, nuk e kisha çuar ndër mend për ta sjellë në duet, por gradualisht duke e dëgjuar nëpër shtëpi, këngën e këndonte dhe djali, Doni dhe menduam pse jo, mos e këndojmë bashkë në duet.
CMG: Ndjekësit dhe të gjithë ata të cilët e kanë dëgjuar këtë këngë , kanë dhënë komentet e tyre pozitive në Youtube. Çfarë do u thuash tani?
Fitnete Tuda: Që në momentin kur e interpretova këngën në fazën e parë, u prit mjaft mirë nga publiku, mora shumë komente pozitive dhe nga miqtë e mi, por edhe nga njerëz të panjohur. Të shohim se si do ecë kjo këngë, që i kushtohet jetës “Kur buzëqesh”, ku gjithçka kam dashur të them e kam shprehur nëpërmjet fjalëve dhe tingujve të saj. Komentet kanë qenë pozitive, mendoj se kënga po bën jetën e vet dhe mendoj se kjo vijë melodike do mbetet për publikun, ashtu si kanë mbetur edhe këngët e tjera. Kënga ka brenda vetes shumë dashuri, për mua si nënë , si krijuese të cilën e kam sjellë me shumë dashuri.
CMG: Si e përjetoi këtë interpretim djali Don Duli, në një skenë kaq të madhe si “Kënga Magjike” ?
Fitnete Tuda: Sa i takon Donit, paraqitja e tij e parë skenike ka qenë në “Voice Kids Albania” para tre viteve, kur djali ishte vetëm 10 vjeç dhe ku Doni e dëshmoi talentin e vet. Mendoj se ky bashkëpunim ka ardhur pa ia imponuar unë, sepse ai ka një zë të bukur dhe mendoj se ka talent.
CMG: Fitnete, djali e ka nisur muzikën se ka qenë dëshirë e jotja, apo ke parë talentin te ai?
Fitnete Tuda: Prindërit janë të prirur në shumicën e rasteve që profesionin e tyre ta përcjellin edhe tek fëmijët, por se çfarë do të bëhet ai në të ardhmen, profesionin e tij ai do ta vendosi vetë. Nuk kam dëshirë që t’ja imponoj.
CMG: Midis dy profesioneve, ai i gazetares dhe i këngëtares, kush të fal më shumë kënaqësi?
Fitnete Tuda: Mendoj se të dyja janë të lidhura me njëra- tjetrën. Kam mbaruar studimet e larta për “Gjuhë-Letërsi” në Universitetin e Prishtinës. Jam gazetare e kulturës dhe që nga viti 2000, ku punoj në televizionin e Kosovës. Më pëlqen puna që bëj, po ashtu edhe muzika.Të dyja e plotësojnë njëra-tjetrën. Muzika është art, krijimtari dhe më përmbush shumë nga ana emocionale. Muzikën e kam pasur ëndërr në sirtar që e vogël, të cilën e realizova. Mendoj që të dyja do t’i vazhdoj.
CMG: Si do të jetë vazhdimësia jote në muzikë?
Fitnete Tuda: Nuk mund të jap një përgjigje tani, do të shoh se si do të rrjedhin gjërat. Kam dhe shumë këngë të tjera të cilat i kam kompozuar, por që nuk janë bërë publike. Dëshira ime është që t’i përmbledh të gjitha këngët në një album muzikor. Ashtu si është një libër për një shkrimtar, ashtu është dhe një album muzikor për një këngëtar.
CMG: Po mendon të realizosh një album me këngë të reja?
Fitnete Tuda: Mendoj që të jetë një album ku të ketë këngët e mia më të njohura, por patjetër dhe shumë krijime të reja. Kjo gjë do më bëjë shumë të lumtur.
CMG: Ti bashkë me vëllain keni hapur median “Art kanal”. Na trego pak për këtë inciativë tuajën?
Fitnete Tuda: Jam angazhuar me gazetarinë që në periudhën e studimeve. Ka qenë një gazetë e cila quhej “Bota e re” ku punova në periudhën e studimeve, fillimisht si lektore dhe më pas si gazetare. Pas përfundimit të studimeve u ktheva në Strugë, ku së bashku me vëllain tim Uranin, i cili është inxhinier i elektronikës hapëm radion “Art Kanal” që është dhe radio e parë e pavarur në gjuhën shqipe, në Maqedoninë e Veriut. Puna në radio më ka ndihmuar sepse e pëlqej shumë median, sidomos radio të ofron një kënaqësi ndryshe nga media të tjera, komunikimi me publikun është më i drejtpërdrejtë. Puna në radio më ndihmoi që ta kisha edhe më të lehtë punën në televizion ku jam aktualisht. Edhe pse puna në televizion kërkon më tepër angazhim se radio, përsëri ka kënaqësinë e vet.
CMG: Fitnete, na trego si ka qenë jeta jote gjatë këtyre dy dekadave, larg skenës dhe publikut? Dhe a do të të shohim sërish në skena?
Fitnete Tuda: Pyetja juaj është shumë interesante! Pas pjesëmarrjes sime te Kënga Magjike” shpresoj që të mos bëj një mungesë kaq të madhe sa këtë herë. Kam këngë të reja, të cilat duhet t’i përfundoj, por momentalisht nuk kam bërë plane. Po mendohem dhe unë tani, se sikur më zure ngushtë me pyetjen tënde. Të shohim një herë se si do ecë kjo këngë dhe pse jo të sjell edhe në vazhdim për publikun këngë të reja.
CMG: Shumë faleminderit për këtë bisedë të këndshme. Ju uroj shumë suksese në rrugën e bukur të artit dhe të keni shëndetin mbi të gjitha! Fitnete Tuda: Të falenderoj dhe unë Sava për intervistën dhe mund të them se nuk kam dhënë për një kohë të gjatë një intervistë për në radio. Kjo më bën bën shumë të lumtur edhe si ish gazetare e radios më sjell shumë emocione. Faleminderit shumë dhe mirupafshim!
Intervistoi: Sava Lena