Zëri brilant i Liri Rashës ka ngritur peshë platetë e shumë vendeve të botës, kudo ku ka emigantë shqiptarë, në të katër anët e globit. Një këngëtare e veçantë e traditës së këngës popullore veriore. Si vetë emri që mbart, ashtu ka qënë ajo me këngën, e lirë, e ëmbël, impresionuse, duke ruajtur me fanatizëm traditën, por duke hedhur dhe sytë drejt së resë në këngën e mirëfilltë popullore shqiptare. Në rrugëtimin e saj skenik, ajo asnjëherë nuk ka deformuar këngën e bukur popullore edhe në emër të parasë. Gëzimi më i madh është që vajza e saj Ingrit Jushi, një këngëtare e afirmuar dhe e njohur tashmë po e vazhdon me po atë dinamizëm dhe përkushtim rrugën e nënës, duke lënë hapur shtigjet e fluturimit brenda familjes në këtë profesion kaq të brishtë, por edhe të bukur dhe magjik. Kohët e fundit kanë interpretuar edhe disa këngë popullore në duet dhe janë pritur mjaft mirë nga publiku. Ne sot i kemi të dyja të ftuara në Bio Folk në një bisedë të këndshme për karrierën dhe projektet e tyre artistike.
CMG: Ju përshëndes dhe është kënaqësi për mua dhe dëgjuesit që jeni në Bio Folk.
Liri Rasha: Përshëndetje Gazi dhe faleminderit shumë për ftesën
Ingrit Jushi: Edhe unë si mami ju falenderoj shumë për ftesën dhe jam e nderuar që jam pjesë e kësaj interviste.
CMG: Znj.Liri ju keni një karrierë të gjatë artistike dhe keni arkivuar në repertor këngë popullore që sot janë të pëlqyera nga të gjithë. Ndjeheni e plotësuar si artiste për kontributin në muzikën popullore?
Liri Rasha: Të them të drejtën nuk ndjehem aq e plotësuar për arsye se unë kur u largova nga Dibra erdha në Laç dhe aty mungonin trupat artistike dhe unë pata një shkëputje të madhe prej 7 vitesh me skenën. Kur erdha në Tiranë jam marrë me artin shumë, por më shumë privatisht duke ndjekur koncertet dhe eventet familjare, por gjithmonë me këngë popullore dibrane si dhe të krahinave të ndryshme.
CMG: Këngët tuaja sot i këndojnë të gjithë si nëpër koncerte ashtu edhe në gëzime familjare. Jeni e lumtur që këngët tuaja interpretohen nga shumë këngëtarë të tjerë?
Liri Rasha: Jam shumë e lumturuar sidomos kur dëgjoj këngën time që këndohet bukur nga brezi i ri, atëhere jam shumë e kënaqur dhe mendoj për momentin se jam duke dëgjuar dikë që e këndon bukur këngën time, mendoj se si mund të bëj diçka të bukur dhe t’ja lë brezit pasardhës. Sepse kënga popullore është një thesar.
CMG: Kujtojmë disa nga këngët tuaja që sot janë hite si “Oj Zogo”, “Fusha e Korabit”, “Kur e përcolla ylberin” etj. Falë interpretimit tuaj me mjeshtëri të lartë artistike këto këngë janë bërë hite.
Liri Rasha: Është edhe muzika e bukur dibrane që e lartëson këngëtarin. Nësë e këndon ashtu siç duhet muzikën dibrane ka vlera dhe nuanca shumë të bukura. Ky është një avantazh për mua që kam qenë këngëtare e asaj krahine.
CMG: Ndalemi pak me Ingritin e cila sigurisht që ka një karrierë të gjatë në muzikën e lehtë, por dhe atë popullore. Para shumë vitesh u bëtë shumë e njohur me këngën e Xhamadanit. Jeni rikthyer tani me këngë popullore që është traditë në familjen tuaj, por dhe pasioni juaj besoj.
Ingrit Jushi: Është e vërtetë që unë jam rritur me muzikën popullore në shtëpi që e vogël dhe padyshim që e njoh mirë, të paktën muzikën e veriut, por sidomos ata të dasmave. Kënga “Xhamadani i kuq si gjaku” është një këngë që fillimisht e ka kënduar mamaja ime, kështu që me prekjen magjike të Genti Lakos doli një këngë shumë e mirë para gati 17 vitesh. Pas shkëputjes që unë pata normalisht do kthehesha te muzika popullore, kjo e nisur edhe nga pragmatizmi që muzika popullore sjell më shumë të ardhura për momentin, por edhe për shkak se unë tani e gjej veten në këtë muzikë.
Muzikën e lehtë e kam lënë mënjanë dhe do mundohem ta elaboroj. Sot pas një shkëputje shumë të madhe kam filluar të jem shumë aktive të paktën në koncerte apo regjistrime nëpër televizione të ndryshme, ndoshta jo dhe aq në kompeticione, por të shohim në të ardhmen.
CMG: Pak më përpara po i thoja Lirisë që këngët e saj janë hite dhe që këndohen nga këngëtarë të tjerë. Ju si ndjeheni si vajza e saj kur këndoni këngët e saj?
Ingrit Jushi: Për mua të këndosh këngën që është bërë hit dhe është kënduar nga dikush më përpara është sfidë sepse ose duhet të jesh më i mirë sesa ai person dhe që nuk ndodh sepse njerëzit janë mësuar ta dëgjojnë këngën në atë version, ose duhet ta sjellësh në një mënyrë tepër origjinale. Unë mundohem t’i qëndroj korrekt pjesës së të kënduarit siç e ka kënduar mamaja ime, ndoshta mund të “akuzohem” se bëhem një kopje më e keqe e mamit, por e kam dëshirë t’i këndoj siç janë sepse ndoshta ashtu duhet t’i mbetet publikut, një version origjinal.
CMG: Ju keni gati dy dekada që këndoni në skenë, por bashkëpunimi me mamanë tuaj në duet ka ardhur pak vonë. Ky ishte momenti i përshtatshëm për të realizuar disa këngë së bashku?
Ingrit Jushi: Gjithmonë kur je në kulmin e suksesit mendon se si të eci individualisht. Duke dashur, edhe me sugjerimin e mamit që të shkëputet pak ideja e të qenit unë vajza e saj dhe të ruajtjes së një identiteti më vete nuk kemi bërë bashkëpunime bashkë, plus që unë në atë kohë këndoja muzikë të lehtë. Tani që unë jam e dedikur te muzika popullore, na u krijua mundësia që të bënim disa bashkëpunime dhe besoj se do t’i bëjmë një pjesë të mirë të këngëve të mamit me qëllim që të jetë figura e saj brenda në këngë dhe unë me atë paksa risi që mund të sjell.
CMG: Znj.Liri, kemi më shumë se një vit që po jetojmë në një kohë të vështirë pandemie. Sa ka ndikuar kjo në jetën tuaj artistike?
Liri Rasha: Ashtu si në çdo sektor edhe në art ka pasur një bllokim total sepse ne këndojmë për njerëzit, njerëz për të mbledhur diku nuk mundeshe sepse ishte pandemia dhe ishte e ndaluar për grumbullime. Kështu që na është dashur të punojmë në mënyrë individuale dhe kemi bërë këngë me Ingritin. Jam munduar me organizime të ndryshme si për Vitin e ri apo evenimente të tjera. Dihet që jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën ka qenë një periudhë e vështirë.
CMG: Kohët e fundit keni marrë pjesë te spektakli “Këngë moj” në natën dibrane ku së bashku me Ingritin interpretuat këngët e bukura dibrane.
Liri Rasha: Pjesëmarrja ime në “Këngë moj” ishte një kënaqësi shumë e madhe, sidomos kur dëgjova se jam me vajzën dhe për këtë i falenderoj shumë organizatorët e këtij spektakli që më nxorrën bashkë me Ingritin. Ishte ëndërr e imja që unë të këndoj në një eveniment të tillë.
CMG: Ka qenë kjo ëndërr e juaja që të këndoni më përpara me Ingritin në skenë ? Pra ju plotësua kjo dëshirë?
Liri Rasha: Ka qenë plotësim i dëshirës sime, por unë kam dashur që Ingriti të mos jetë plotësuese e imja, por të krijojë emrin e vet. Ingriti është një këngëtare shumë e mirë, zërin e ka brilant dhe ka nuanca shumë të mira. Kam mendimin që Ingriti të krijojë emrin e vet dhe pastaj të bëjmë kolazhe bashkë.
CMG: Edhe për ju Ingrit pjesëmarrja në “Këngë moj” ka qenë emocionuese edhe pse pa publikun prezent?
Ingrit Jushi: Për mua ishte një kënaqësi shumë e madhe sepse mu dha mundësia të këndoja me mamin dhe po bënim një duet live, pra atë që ne dimë të bëjmë më mirë, të paktën nëpër evente. Por mbi të gjitha ishte dhe kënaqësi sepse prej një kohe të gjatë nuk kishin patur mundësi asnjë prej këngëtarëve që të performojnë për publikun, në këtë rast për teleshikuesit. Nga ana tjetër kërkonte shumë impenjim sepse ishte live dhe ka problemet e veta, unë i vuaj shumë emocionet por megjithatë doli shkëlqyeshëm.
CMG: Znj.Liri ju jeni vlerësuar me shumë çmime dhe medalje gjatë karrierës suaj artistike siç janë “Artiste e merituar’, “Mjeshtër i madh” dhe shumë vlerësime të tjera, përveç vlerësimit të publikut.
Liri Rasha: Kohët e fundit jam vlerësuar edhe me urdhërin “Kalorësi i Skënderbeut”. Unë mendoj se vlerësimet janë të lidhura bashkë për arsye sepse publiku ta jep titullin dhe për ta firmosur e firmos dikush që është në detyrë.
CMG: Keni ndonjë projekt artistik së afërmi ose ndonjë plan për të realizuar një koncert recital?
Ingrit Jushi: Do ishte diçka shumë e mirë kjo që përmendët ju sepse recitali edhe pse kërkon goxha impenjim është një mundësi shumë e mirë për të patur një marrëdhënie direkte me artdashësit e mamit në këtë rast. Do ishte shumë mirë që ajo të mendonte për këtë gjë sepse sot është në formën më të mirë se sa mund të jetë vite më vonë.
Liri Rasha: Kjo do ishte dhe dëshira ime për të kënaqur publikun dhe për këtë arsye desha të falenderoj TV Klan, sepse më ka ftuar disa herë për t’u plotësuar dëshirën gjithë artdashësve, sidomos kur këngëtari është në formë. Kur kanë aktivitete përsa i përket muzikës popullore duhet të na ftojnë edhe ne që të plotësojmë kërkesat e publikut.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.
Liri Rasha: Ju uroj gjithë të mirat dhe mos të kemi më pandemi. Ne jemi borxhli dhe do të jemi sa më shpesh përpara publikut me materiale të reja.
Ingrit Jushi: Unë do të thoja se i jemi shumë mirënjohës atij publiku që i jep kuptim muzikës që ne bëjmë. Nëse ky publik nuk do na ndiqte as puna jonë nuk do kishte kuptim. Duke dashur që dëgjuesit e radios të shtohen, unë dua t’u them që u jam shumë mirënjohëse nëse dëgjoni këngët tona dhe kënaqeni me to. Ju uroj të jenë sa më shëndetshëm bashkë me familjarët e tyre.
Intervistoi: Gazmend Agaj